Kanë kaluar më shumë se një vit që nga koha kur Gjykata Speciale ka konfirmuar aktakuzat e ngritura ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Së fundmi, Dhomat e Specilaizuara kanë konfirmuar vazhdimin e paraburgimit për ish-presidentin Hashim Thaçi.
Këtë proces gjyqësor e ka komentuar edhe kryetari i Drenasit nga radhët e PDK-së, Ramiz Lladrovci.
Fillimisht, ai u shpreh se emërtimi i UÇK-së si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” është tepër fyes dhe i rëndë.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/December/31/auto_651640980300.jpg)
“Si çdo qytetar i lirë i këtij vendi dhe që ka përjetuar gjenocidin serb në familje, farefis dhe në kombin e tij, bëj dallimin në mes të palëve. Vetë emërtimi i krijuar “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” për ta dhe të gjithë neve dhe shtetin, është tepër fyes, është tepër i rëndë”, u shpreh Lladrovci.
Gjithashtu, ai tha se është kohë e tmerrshme për ish-krerët e UÇK-së dhe familjet e tyre, duke shtuar se është zhgënjyes fakti se u ngritën këto lloj akuzash.
“Të ngrihet akuza për veprimtari çlirimtare, të cilët i ndihmoi tërë populli dhe mori përkrahje nga bota demokratike, është tepër zhgënjyese. Kaloi një vit prej se ata gjenden në Hagë, shokët e miqtë tanë, ish drejtuesit e UÇK-së dhe shtetit të Kosovës, gjithsesi është kohë e tmerrshme për familjet, për neve dhe proceset ku ndodhet Kosova. Një minutë është tepër, jo një vit. Uroj të fitojë drejtësia sa më parë”, theksoi Ramiz Lladrovci për “Bota sot”.