Sikur e gjithë bota, edhe Kosova ka vazhduar përballjen me pandeminë e Covid-19 edhe gjatë vitit që po lëmë pas.
Padyshim që viti 2021 ishte vit i vështirë edhe për ekonominë e vendit dhe rimëkëmbjen e saj, pas një viti paraprak tejet të vështirë, me shumë biznese të shuara e me shumë humbje të vendeve të punës.
Me kufizime për shkak të Covid 19 vazhdoi edhe ky vit, derisa bizneset u ankuan për gjendjen, kufizimet e mëdha në ora, rritjen e çmimeve të furnizimit, mungesën e fuqisë punëtore për arsye të ndryshme etj.
Përpos kësaj pati edhe ngritje të çmimeve në të gjithë sektorët.
Ndërsa, nga Qeveria janë deklaruar se ka pasur ngritje ekonomike dhe se janë dhënë shifra për 10 mijë të punësuar gjatë vitit 2021.
Ekspertët e ekonomisë kanë folur për gazetën “Bota sot” për ekonominë gjatë këtij viti, vështirësitë dhe uljet e ngritjet.
Sikur e gjithë bota, edhe Kosova ka vazhduar përballjen me pandeminë e Covid-19 edhe gjatë vitit që po lëmë pas.
Padyshim që viti 2021 ishte vit i vështirë edhe për ekonominë e vendit dhe rimëkëmbjen e saj, pas një viti paraprak tejet të vështirë, me shumë biznese të shuara e me shumë humbje të vendeve të punës.
Me kufizime për shkak të Covid 19 vazhdoi edhe ky vit, derisa bizneset u ankuan për gjendjen, kufizimet e mëdha në ora, rritjen e çmimeve të furnizimit, mungesën e fuqisë punëtore për arsye të ndryshme etj.
Përpos kësaj pati edhe ngritje të çmimeve në të gjithë sektorët.
Ndërsa, nga Qeveria janë deklaruar se ka pasur ngritje ekonomike dhe se janë dhënë shifra për 10 mijë të punësuar gjatë vitit 2021.
Ekspertët e ekonomisë kanë folur për gazetën “Bota sot” për ekonominë gjatë këtij viti, vështirësitë dhe uljet e ngritjet.
Kadriaj: Nuk ka pasur pritje të mëdha për vitin 2021
Eksperti dhe profesori i ekonomisë Mustafë Kadriaj, ka thënë se gjatë këtij viti nuk ka pasur pritje të mëdha për shkak të pandemisë dhe kur kemi pas dy palë zgjedhje dhe se përkrahja ndaj bizneseve nuk ishte e duhura.
“Viti 2021 nuk ishte vit për pritje të mëdha për faktin se ishte vit i pandemisë sidomos nga numri i të vdekurve edhe më keq se viti 2020 duke uruar që viti 2022 të jetë vit i mbarë për ekonominë dhe shëndetin e qytetarëve. Pra, viti 2021 nuk ishte vit i pritjeve të mëdha duke qenë vit i dy palë zgjedhjeve, të cilat vetëm ia kanë shtuar dozën e rënies ekonomike dhe po ashtu përkrahja e shtetit për biznese ishte jo në nivel të pritjeve”, është shprehur ai.
Sipas tij, më e rëndë ishte ngritja e çmimeve dhe së fundi edhe reduktimet e energjisë elektrike kur vendi po përballet me krizë.
“Por, më e rënda që krahas përballjes me pandemi, Kosovës iu shtua edhe kriza e rritjes së çmimeve në produkte bazë, po ashtu furnizimi me derivate dhe tani në fund të vitit po përballemi me reduktime të energjisë elektrike duke bërë që ora e zhvillimit ekonomik të numërojë së prapthi, pra kjo duhet të jetë një alarm për qeverinë që të ketë qasje dhe strategji për dalje nga kriza”, ka vlerësuar Kadriaj.
Ai ka komentuar edhe numrat e të punësuarve të deklaruar nga Qeveria.
“Po ashtu krahas saj, qeveria i jep vetes të drejtë t’i thur lavde vetes duke u deklaruar për mbi 10 mijë të punësuar, që kjo jo që i bën mirë, por ka krijuar irritim te qytetarët sepse në realitet nuk qëndron, ndoshta ka formalizim të punësimit, por në realitet këta 10 mijë punëtorë kanë qenë të punësuar, por në joformalitet, pra vetëm janë formalizuar për të përfituar nga pakot e qeverisë, ndërsa për çdo dështim në sektorët e tjerë ia hedh fajin qeverive të kaluara kryeministri aktual. Do të kuptoja nëse do tëankohet Qeveria, por t’i thur lavde vetes është e papranueshme dhe kjo do të jetë autogol për Kryeministrin sepse qytetari këtë nuk e beson”, vlerëson analisti.
Ai shprehet pesimist për vitin 2022 duke u bazuar në buxhetin e miratuar nga Qeveria.
“Për fat jo të mirë, niveli qeverisës në Kosovë është anemik, pa asnjë investim deri më tani dhe duke u bazuar në buxhetin për vitin 2022 nuk është premtues nga ana investive. Pra, ka pak gjasa për rritje të punësimit në vend. Nga ajo që kemi parë deri më tani kemi mbi 50 mbledhje të Qeverisë ku kemi shkarkime dhe ngarkime në borde të ndryshe, mbledhjet mbulohen me lëvdata për vete, ankesa dhe hedhje të fajit te oponentët politikë, por jeta e qytetarit vazhdon të rëndohet çdo ditë e më shumë”, deklaron Mustafë Kadriaj për gazetën “Bota sot”.
Ahmeti: Ekonomia gjatë vitit 2021 ka pasur luhatje
Ndërsa, eksperti i ekonomisë Bardh Ahmeti, duke folur për ekonominë gjatë vitit 2021, thotë se ajo ka pasur luhatje.
“Ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2021 ka pasur luhatje, fillimisht kishim rrëzimin e Qeverisë nga Gjykata Kushtetuese, pastaj zgjedhjet parlamentare, deri në konsolidimin e institucioneve, me një shumicë të fortë në numra dhe që do të duhej të garantonte stabilitet institucional dhe politik në vend, pas shumë zgjedhjeve që kemi kaluar viteve të fundit, e sigurisht për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm stabiliteti politik dhe institucional është i domosdoshëm”, thekson ai.
Sipas Ahmetit, kemi qenë të ndikuar nga trendët globale si në aspektin pandemik, ashtu edhe në atë ekonomik, derisa përmend edhe krizën energjetike që po ashtu është në gjithë botën.
“Pastaj, këtë vit, si kurrë më parë kemi qenë të ndikuar nga trendet globale, globalizimi, sikur në aspektin pandemik me COVID-19, po ashtu edhe me trendet ekonomike, sikurse inflacioni që aktualisht po kalojmë, ku kemi ngritje të theksuar të çmimeve të konsumit dhe jo vetëm. Problemet me zinxhirin e furnizimeve, transporti ndërkombëtar, mungesa e prodhimeve në vendet kyçe, ishin trendet globale që afektuan edhe ekonominë e Kosovës. Oferta dhe kërkesa ishin në ç‘ekuilibër, si pasojë po kalojmë këtë inflacion. Në këtë pjesë, me shumë rëndësi duhet të theksohet kriza me energjinë që po kalojmë, edhe kjo si trend global i krizës energjetike. Situatën në vendin tonë e shkakton varësia e lartë që kemi ndaj importit të energjisë elektrike, prodhimi i vogël krahasuar me kërkesën, sidomos gjatë stinës së dimrit dhe periudhës së festave të fund vitit. Infrastruktura e vjetërsuar e Kosovës A dhe B na bën që ta kemi me rrezik çështjen e sigurisë energjetike. Sigurisht, institucionet duhet që me kohë, gjatë stinës së pranverës, të kontraktojnë me çmime të favorshme furnizimin e energjisë për stinën e dimrit, kjo praktikë është përdorur në vendin tonë ndër vite. Kurse, në këto rrethana të krizës globale, edhe përkundër kontraktimit të hershëm do të mund të përballeshim me krizë, por e sigurt është që çmimet do të mund të fiksoheshin”, vlerëson Ahmeti.
Eksperti i ekonomisë ka potencuar se bilanci tregtar vazhdon të jetë negativ në dëm të ekonomisë derisa thotë se në dëm të ekonomisë ka ndikuar edhe dialogu me Serbinë.
“Bilanci tregtar vazhdon të jetë negativ, në shifra të larta, në dëm të ekonomisë tonë. Ndonëse, kemi pasur rritje të eksporteve nga produktet e prodhuara në vendin tonë. Prodhuesit vendor, përveç sfidave të brendshme vazhdojnë të ballafaqohen me barriera të shumta, kryesisht me prapavijë politike nga Serbia. Dialogu me Serbinë, këtë vit nuk i ka kontribuar zgjidhjes së ndonjë çështjeje, përkundrazi besoj që ka frenuar edhe më tej potencialin ekonomik të vendit tonë, si dhe ka marrë fokusin në agjendën politike dhe zhvillimore të vendit. Vendi është karakterizuar me stabilitet makro-fiskalë, ka pasur rritje të të hyrave buxhetore, sektor financiar stabil, por mungesë në realizimin e projekteve kapitale, në shumë raste si pengesë e procedurave të prokurimit. Remitencat kanë vazhduar të vijnë në vendin tonë, nga diaspora jonë, në nivel rekord, si një nga arsyet që kemi pasur në situata të caktuara rritje të kërkesës agregate në treg”, thotë Bardh Ahmeti për “Bota sot”.
Ndihma nga pakot e rimëkëmbjes nga qeveritë Hoti dhe Kurti
Sa ka qenë sfidë rimëkëmbja e ekonomisë, me pandeminë e Covid 19 të pranishme në Kosovë sikur edhe në shumicën e shteteve në botë?
Ai vlerëson se rimëkëmbja ka qenë sfiduese për shkak të pandemisë, derisa kanë ndihmuar pakot e rimëkëmbjes nga të dyja qeveritë gjatë kësaj periudhe.
“Variantet e reja të COVID-19, në periudha të caktuara të vitit 2021, kanë shkaktuar dëme të mëdha në vendin tonë, fillimisht në njerëz, stër-mbushje të kapaciteteve spitalore, si dhe pastaj edhe në ekonominë e vendit dhe procesin mësimor/akademik. Rimëkëmbja ekonomike ka qenë sfiduese, por fillimisht disa instrumente të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike të qeverisë Hoti, pastaj edhe Pakoja për Ringjallje Ekonomike e qeverisë Kurti II, kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e kërkesës në treg, kthimin e besimit të konsumatorit dhe ekonomisë, stabilizimin e prodhimit në vend, si dhe bilancit buxhetor të vendit. Sektorët e gastronomisë, turizmit, transportit, bujqësisë, kanë qenë më të prekurit nga masat për menaxhimin e situatës pandemike, mirëpo kanë qenë të domosdoshme për ruajtjen e shëndetit publik”, ka deklaruar Ahmeti.
Ai ka komentuar edhe shifrat nga kryeministri dhe ministrat për ngritjen e ekonomisë dhe vendet e reja të punës.
“Krahasuar me vitin 2020, kur goditja në ekonomi nga pandemia e COVID-19 ishte e fortë, gjatë vitit 2021 sigurisht kemi rritje dhe trend pozitiv të GDP-së, e shoqëruar me rritje të inflacionit. Sa i përket hapjes së vendeve të punës, është një trajektore vjetore e rritjes e cila ndiqet, por një pjesë e kësaj rritje ka të bëjë me formalizmin e vendeve të punës për të përfituar nga Pakoja për Ringjallje Ekonomike. Papunësia në vend mbetet e lartë, sipas të dhënave zyrtare mbi 25%, e ku pjesëmarrja më e lartë është tek të rinjtë, me theks tek femrat”, ka shpjeguar eksperti i ekonomisë.
A ka pasur rënie apo ngritje të ekonomisë gjatë vitit që po lëmë pas?
Ahmeti thotë se krahasuar me vitin 2020, në vitin 2021 ka pasur ngritje të ekonomisë derisa shpreson që të shkohet me hapa më të shpejtë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm.
“Vitin që po e lëmë pas, krahasuar me vitin 2020 ka pasur ngritje të ekonomisë, pak a shumë kemi kthim në realitetin ekonomik të para pandemisë, por urojmë që pandemia të merr fund dhe të shkojmë tutje me hapa të shpejtë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik. Agjenda e institucioneve në fushën ekonomike duhet të intensifikohet, me projekte të mëdha kapitale, nxitje të agjendës së përafrimit me Bashkimin Evropian, diplomaci ekonomike në vendet me interes strategjik për shtetin tonë, shfrytëzim të kanaleve tregtare”, deklaron Bardh Ameti për “Bota sot”.