Anëtarësimi i Kosovës në NATO/ Vjen thirrja për presidenten dhe qeverinë

Politika

Anëtarësimi i Kosovës në NATO/ Vjen thirrja për presidenten dhe qeverinë

Nga: A.M. Më: 31 dhjetor 2021 Në ora: 23:57
Foto ilustrim

Ditë më parë, presidentja Vjosa Osmani gjatë një takimi me ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar, ka kërkuar mbështetjen e Ankarasë zyrtare për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Dihet se anëtarësimi i vendit tonë në NATO do të ndihmonte në largimin e rrezikut serbo-rus.

Profesori Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe raportet mes tyre.

Së pari, ai u shpreh se Kosova është produkt i NATO-s dhe se të dyja palët ndjehen krenar për njëra-tjetrën.

Image
Profesori Enver Bytyçi

“Kosova dhe NATO qëndrojnë prej më shumë se dy dekadash në një binom të pandarë. Nuk ka popull e vend tjetër që të ketë vendosur këtë lidhje raportesh si Kosova dhe NATO. Kosova është produkt i NATO-s dhe ndërhyrja në Kosovë është fitorja më e madhe e NATO-s në historinë e ekzistencës së saj. Të dyja palët ndjehen krenar për njëra-tjetrën”, deklaroi profesori.

Më pas, Bytyçi potencoi se shteti i Kosovës duhet të vazhdoj të bëj presion dhe të kërkojnë vazhdimisht anëtarësimin e vendit në NATO.

Ai përmendi edhe pritjet që iu janë bërë forcave ushtarake të NATO-s në qytetet e ndryshme të Kosovës.

“Në historinë e Aleancës Atlantike nuk ka ndodhur ndonjëherë që forcat e saj të armatosura të priten me lule dhe ovacione të pafund, siç ato janë pritur në Prizren dhe qytetet e tjera të Republikës së Kosovës. Por nuk ka ndonjë vend tjetër ku NATO të ketë pasur një konsensus të plotë për të ndërmarrë veprime ushtarake në emër të lirisë dhe jetës njerëzore!

Nëse e lexojmë mirë këtë lidhje të jashtëzakonshme dhe unike atëherë duhet që shqiptarët dhe pakicat etnike në Kosovë të bëjnë presion të vazhdueshëm te politika dhe sidomos ndaj institucioneve të vendit që këta të krijojnë lidhje institucionale me Aleancën Atlantike. E di se anëtarësimi nuk varet nga elita politike dhe lidershipi. Por askush nuk mund t’ia ndalojë lidershipit të Kosovës të këmbëngulë dhe të kërkojë vazhdimisht anëtarësimin e vendit në NATO”, theksoi ai.

Krahas kësaj, profesori vlerësoi kërkesën e presidentes Osmani ndaj Turqisë për ndihmën e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Megjithatë, ai kërkoi që qeveria dhe presidentja të bëjnë kërkesa zyrtare në të gjitha vendet anëtare të NATO-s si sekretarit të saj të Përgjithshëm për pranim në organizatën politiko-ushtarake më të madhe të botës.

“Zonja Osmani ka bërë shumë mirë që ka kërkuar ndihmën e Turqisë për ta pranuar Kosovën në Aleancë. Turqia është vendi më i fuqishëm pas SHBA-ve brenda Aleancës. Ka autoritet dhe ndikim te vendet e tjera anëtare. Por kjo kërkesë i duhet paraqit me këmbëngulje Uashingtonit. Duhet që parlamenti, presidentja dhe qeveria të bëjnë kërkesa zyrtare në të gjitha vendet anëtare të NATO-s si sekretarit të saj të Përgjithshëm për pranim në organizatën politiko-ushtarake më të madhe të botës. Ndoshta nuk do merrej parasysh menjëherë kjo kërkesë, por mund të çojë në një vendim që Kosovës t’i jepet statusi i vendit partner për paqen ndaj NATO-s”, nënvizoi Bytyçi.

Në vazhdim, ai tha se një nga arsyet e zvarritjes së anëtarësimit të Kosovës në NATO ka të bëjë me një lloj diplomacie që të mos shkaktojë reagime ekstreme negative në Beograd dhe në Moskë.

“Kosova tashmë është pjesë e misioneve paqeruajtëse në botë. Kjo përbën një krenari për secilin prej nesh. Kontributet dhe profesionalizmi i ushtrisë dhe forcave special të Kosovës është shembull i jashtëzakonshëm për NATO-n dhe premisë e ndërtimit të besimit dhe mirëbesimit midis dy palëve. Nëse këtë kontribut e lidhim me dëshirën mbarëkombëtare të shqiptarëve për t’u anëtarësuar në NATO, atëherë kuptohet se këtu dy premise duhen shfrytëzuar me zgjuarsi dhe vendosmëri për t’ia arritur sa më shpejt këtij qëllimi.

E di se zvarritja e interesit të NATO-s për Kosovën ka të bëjë me një lloj diplomacie që të mos shkaktojë reagime ekstreme negative në Beograd dhe në Moskë. Ndoshta në NATO dikush beson se edhe Serbia mund të bëhet një ditë anëtare e saj dhe për këtë arsye nuk dëshirojnë ta zemërojnë këtë aleat hipotetik. Por me këtë rast dua të them se anëtarësimi I Serbisë në NATO është thjesht iluzion. Dhe ka jo pak evropianë e amerikanë në politikë, të cilët jetojnë me iluzione të tilla, më së shumti për shkak se ata nuk e njohin realitetin serb”, vlerësoi profesori.

Më tej, Bytyçi hodhi dyshime se dikush nga Beogradi dhe Tiranë ka dhënë garanci se shteti serb do të bëhet anëtare e Aleancës Atlantike.

Kjo për të vetmin qëllim, që kjo Aleancë të rezervohet në anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Ndoshta dikush në Beograd ose në Tiranë ka dhënë garanci se Serbia një ditë do të bëhet anëtare e Aleancës Atlantike. Dhe kjo është bërë me qëllim që ta bëjë këtë Aleancë të kujdesshme dhe të rezervuar në afrimin e Kosovës në NATO. Në fund të fundit në qendrën e NATO-s kanë të drejtë të bëjnë një llogari: Kosovën aty e kemi. Herë do kurdo ajo bëhet pjesë e jona. Është mirë që të bëjmë çmos që Serbia të bëhet pjesë e kësaj Aleance. Disa indikativë janë logjikë. Serbia është e rrethuar me vende anëtare të BE-së dhe të NATO-s. Kësisoj gjithkush ka të drejtë të llogarisë së ajo nuk mund të mbijetojë ndryshe, veçse duke u anëtarësuar në të dy këto blloqe. Por jo gjithçka flet në favor të kësaj logjike. Së pari serbët në shumicë dërmuese janë armiqësorë me Aleancën Atlantike. Ndaj çdo lider serb që e premton anëtarësimin e vendit të tij, thjesht gënjen e mashtron. Asnjë prej tyre nuk do të shkonte kundër vullnetit të sovranit. Pra, asnjëri prej tyre nuk do të mund ta çonte Serbinë në NATO”, tha ndër të tjera ai.

Në fund, profesori beson se me një presion minimal të Uashingtonit, Berlinit e Londrës vendet që nuk e kanë njohur Kosovë së paku do të abstenonin, edhe nëse nuk do ta votonin pranimin e Kosovës në Aleancë.

“Besoj se Kosova duhet të bëhet sa më shpejt anëtare e NATO-s. Këtë duhet ta kërkojnëpolitikanët dhe populli i Kosovës. Deri me plebishite dhe firma mbarë kombëtare me kërkesën që të arrihet ky anëtarësim. Janë katër vende të NATO-s të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Por me një presion minimal të Uashingtonit, Berlinit e Londrës këto vende së paku do të abstenonin, edhe nëse nuk do ta votonin pranimin e Kosovës në Aleancë.

Është e mundshme që Kosova të bëhet anëtare e Aleancës Atlantike. Kjo do të shpëtonte përfundimisht edhe nga diversione dhe agresioni i vazhdueshëm serbo-rus”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat