Qëllimi i Rusisë është të rrisë tensionet në Ballkan në mënyrë që të mund të pozicionohet si i vetmi ndërmjetës dhe garantues rajonal i sigurisë, dhe në të njëjtën kohë ajo dëshiron të tregojë se NATO-ja dhe Bashkimi Evropian nuk janë partnerë të besueshëm për asnjë nga vendet e Ballkanit, shkruan portali amerikan Foreign Affairs.
Ky medium shkruan se atmosfera më shpërthyese në Ballkan është në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe se presidenti rus Vladimir Putin po përdor ish-republikat jugosllave si fushëbetejën e radhës për të dobësuar NATO-n dhe BE-në.
“Edhe pse popullsia e Kosovës është më shumë se 90 për qind shqiptare, serbët e shohin vendin si atdheun e lashtë të vendeve më të shenjta të Kishës Ortodokse Serbe”, thuhet në tekst, duke theksuar se Kremlini po përdor Kishën Ortodokse Serbe për të “destabilizuar vendin dhe rajonin”.
Ngjashëm me strategjinë e Kremlinit në Kaukaz, qëllimi i Rusisë në Ballkan është të rrisë tensionet në mënyrë që të mund të pozicionohet si ndërmjetësi dhe garantuesi i vetëm rajonal i sigurisë.
Lidhur me atë se sa është rreziku nga Rusia për tentimin e saj që të pozicionohet këtu, dhe sa ka rrezik Kosova dhe si duhet të veprojë, për “Bota sot”, kanë folur disa njohës.
“Qeveria të rivendos rend ligjor në koordinim me SHBA-të”
Lidhur me këtë, analisti politik Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Putini ka për qëllim edhe okupimin e Dornbasit, si dhe destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
Gani Qarri
Përveç Rusisë, edhe Kina ka shtuar prezencën në Ballkanin Perëndimor, madje sipas tij, dobësia e institucioneve brenda Ballkanit, ka bërë që të kthehet në qendër të interesave ruse.
“Rusia e Putinit ashtu siç shkruajnë me të drejtë edhe mediat amerikane dhe ato botërore, që nga vitit 2014, kur dhe aneksoi me forcë gadishullin e Krimesë duket se ka për qëllim edhe okupimin e Dornbasit, dhe destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, ndaj në emër të mbrojtjes së pakicës ruse, në lindje të Ukrainës, nuk përjashton as konfliktin e armatosur, duke nxitur edhe serbët në Bosnje, Mal të Zi dhe Veriun e Kosovës, që në vijimësi të luajnë rolin e viktimës dhe shtyrë Serbinë për kërcënime me forca ushtarake dhe zjarrin e luftës, në gjithë rajonin. Madje përveç Rusisë në tensionimin e situatës po ndikon edhe Kina e cila kohët e fundit, përmes Serbisë, ka shtuar shumë prezencën, sidomos atë ekonomike në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Për aq më tepër, kundërthëniet e brendshme, jo stabiliteti politik dhe dobësia e institucioneve demokratike në shtetet e vogla të Ballkanit, kanë bërë që ky rajon, të kthehet serish qendër të interesave të Rusisë e cila ka vendosur baza ushtarake edhe në Serbi”, thekson Qarri.
Rusia tani është më agresive dhe po mundohet të inskenoj probleme të pareshtura.
Rusia po luan me luftën në Ballkan
Qarri potencoi se mediat amerikane me të drejtë japin alarmin se Rusia po luan me luftën në Ballkan, sepse po tenton që të pozicionohet si i vetmi garantues i sigurisë.
“Madje anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe përpjekjet e tyre për integrimin në Bashkimin Europian, e kanë bërë politikën e Rusisë edhe më agresive, e cila nuk ka hezituar të ndërmarrë, të gjitha hapat për pengimin e zgjerimit të NATO-s dhe Bashkimit Evropian në këtë rajon, duke bërë çdo gjë të mundur, të inskenoj probleme të pareshtura në Ballkanin perëndimor. Kohët e fundit prezenca ushtarake e Rusisë është rritur jashtëzakonisht shumë në Ballkan sidomos me ngritjen e bazës së ashtuquajtur të "inteligjencës" në Nish të Serbisë, duke zhvilluar edhe stërvitje të përbashkëta ushtarake me Serbinë. Shto kësaj, tensionet e pareshtura, me mbështetjen ruse në Bosnje e Hercegovinë nga Millorad Dodik, në Mal të Zi dhe Veriun e Kosovës, Ballkani perëndimor vërtetë është kthyer në qendër të kryqëzimit të interesave ruse, ndaj mediat amerikane e Foreign Affairs, me të drejtë, jep alarmin se Rusia po luan me zjarrin e luftës në Ballkan. Rusia edhe me ekspozim të forcës, po tenton që të pozicionohet si i vetmi garantues i sigurisë, në Ballkan, duke bërë që atmosfera të jetë gjithnjë e më shpërthyese, veçanërisht në Bosnje, por që mund të eskalojë edhe në Kosovë”, ka shtuar ai.
Më tej deklaroi se edhe Kosova po kërcënohet drejtpërsëdrejti nga koketimet ruso serbe, kështu që sipas Qarrit, Kosova duhet të tregojë kujdes ndaj bandave serbe që dirigjohen nga Vuçiqi.
Por, tani Qeveria me SHBA-në, duhet ta rivendosë rendin e ligjin, dhe të arrestojë të gjithë kriminelët, të cilët e pengojnë vendosjen e rendit dhe të ligjit.
“Prandaj edhe Kosova njëjtë si Bosnja, kërcënohet drejtpërsëdrejti, nga koketimet ruso serbe, sidomos nga përzierjet dhe ngritja e tensioneve në veri, me të cilat Serbia dhe Rusia, duan jo vetëm të krijojnë probleme të vazhdueshme, por edhe ta gllabërojnë e aneksohet me forcë, kjo pjesë e territorit të Kosovës nga Serbia okupatore. Kosova, duhet të tregojë prezencën e saj dhe kujdes të veçantë në këtë trevë të ndjeshme, të sunduar nga bandat kriminale serbe, të cilat si dorë e zgjatur e Serbisë veprojnë nën dirigjimin direkt të Aleksandër Vuçiqit, dhe në çdo moment, janë të gatshme, ta përshkallëzojnë situatën në veri. Kështu që, sidomos pas vendosjes së këtyre bandave në listën e zezë të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, Qeveria e vendit në koordinim me SHBA-të, forcat prezente të NATO-s, dhe ato të policisë së shtetit tonë, duhet ta rivendosin rendin e ligjin, të shtrijnë ndikimin e shtetit dhe të arrestojnë të gjithë kriminelët, të cilët tash e mbi dy dekada, të nxitur nga Serbia dhe Rusia, pengojnë shtetin e të drejtës dhe vendosjen e rendit dhe të ligjit, në këtë pjesë të vendit tonë, para se të eskalojë gjendja dhe bëhet vonë për çdo gjë”, theksoi ai.
Tri shtete që kufizohen me Serbinë rrezikohen
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se në aspektin e sigurisë rrezikohen tri shtetet që kufizohen me Serbinë.
Drizan Shala
“Tri shtete që kufizohen me Serbinë rrezikohen në aspektin e sigurisë. Ato ose kërcënohen direkt nga Serbia (Kosova), ose kalojnë nëpër tensione të shkaktuara nga akterët pro-serbë (Mali i Zi), ose rrezikojnë të shpërbëhen (Bosnjë-Hercegovina). Në Kosovë, për shkak se Qeveria e saj implementoi reciprocitetin sa u përket targave, Serbia me strukturat paralele të saj brenda Kosovës reagoi ashpër duke bllokuar rrugët, duke sulmuar me mjete eksplozive zyrat e institucioneve të Kosovës, si dhe duke dërguar ushtrinë afër kufirit. Një reagim kaq agresiv ishte i papritur nga të gjithë, por nuk është edhe aq befasues kur shikohet konteksti rajonal dhe evropian”, thotë ai.
Tutje ka shtuar se nuk është e qartë se a përfshihet “Open Ballkan” në ‘Botën serbe’, por ajo që dihet është se përmes kësaj, Serbia ka qëllim të dominojë në Ballkanin Perëndimor.
“Në rajon Serbia ka dalë tashmë hapur me idenë e krijimit të ‘Botës serbe’ (Srpski Svet), që mund të quhet një rietiketim i projektit të Serbisë së Madhe. Nuk është e qartë se a përfshihet unioni ‘Open Balkan’ në këtë ide apo jo, por ajo që mund të konkludohet është se përmes ‘Botës serbe’, Serbia synon ta dominojë Ballkanin Perëndimor si rajon. Rrjedhimisht bëhen më të kuptueshme lëvizjet desabilizuese në rajon dhe përkrahja e Serbisë për to. Kuvendi i Republika Serbe mori vendim që të krijojë institucione paralele brenda Bosnjë-Hercegovinës. Kjo mund të shihet si një hap larg secesionit”, shtoi tutje Shala.
Më tej ka deklaruar se për shkak të konfliktit me statusin e Kishës Ortodokse, Mali i Zi po kalon në tensione të mëdha, përveç kësaj, edhe pse partitë pro-serbe fituan zgjedhjet, prapë nuk mund të thuhet se janë ulur tensionet.
“Kjo lëvizje është e paimagjinueshme të kuptohet pa përkrahjen e Serbisë dhe Rusisë për liderin ultranacionalist të serbëve të Bosnjë-Hercegovinës, Dodik. Gjithashtu, Mali i Zi po kalon në një periudhë tensionesh për shkak të konfliktit në lidhje me statusin e Kishës Ortodokse. Pikërisht për shkak të ndërhyrjes së Kishës Ortodokse Serbe në politikë dhe fushatë zgjedhore, partitë pro-serbe fituan zgjedhjet dhe ishin në gjendje të formojnë qeverinë. Edhe pas zgjedhjeve nuk mund të thuhet se tensionet janë ulur dukshëm. Dhe ndikimi i Beogradit në Mal të Zi mund të thuhet se është në rritje”, përfundon Drizan Shala.