Shumë poltikanë aktiv dhe pasiv, madje ish-kryeministra, ish-ministra, ish deputetë e deputetë, ish-kryetar komunash e aktual, ish-zyrtarë të lartë, e zyrtarë të lart aktual, do të kenë shumë përjetime të pakëndshme në muajt që do të vijnë.
Disa prej tyre madje mund të marrin arratinë, të tjerë edhe të bëjnë edhe sherre të tjera, në përpjekje për t’i shpëtuar hetimeve të pasurisë së tyre, që shumë shpejt mund të fillojnë.
Më shumë se 20 vite, Kosovën e kishin një vend-parajsë për të vjedhur, plaçkitur dhe pasuruar edhe marramendshëm, pa u ndjerë të rrezikuar nga drejtësia, veç atyre që ishin të dobët e të pakrahë, dhe që kishin shpërdorur më së paku.
Byroja do t’ua verifikojë pasurinë personave zyrtarë, familjarëve
Kështu pritet të ndodhë pasi, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës është miratuar Projektligji për themelimin e byrosë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Kjo byro, siç ka treguar zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, do të jetë institucion i pavarur, i cili do të themelohet e do t’i raportojë Kuvendit të Kosovës. Kuvendi do ta zgjedhë edhe drejtorin e byrosë, me shumicë të thjeshtë votash.
Rregullimi i brendshëm i kësaj byroje që do t’ua verifikojë pasurinë personave zyrtarë, familjarëve të tyre, personave të ekspozuar politikisht dhe palëve të treta, do të dihet më vonë, pasi ligji të hyjë në fuqi.
Njëkohësisht, siç ka bërë të ditur Sallahu, verifikimi i pasurisë ka fuqi retroaktive, çka do të thotë se pasuria e zyrtarëve mund të hetohet nga 17 shkurti i 2008-ës, si dhe deri në 10 vjet mbrapa kohës që një zyrtar ka lënë postin e tij, gjithnjë duke i paraqitur faktet se duhet të konfiskohet pasuria që nuk është arsyetuar dot pranë gjykatës.
Shuma e pasurisë, e cila bën që zyrtarët publikë të kenë punë me këtë byro është 25 mijë euro e sipër dhe hetimet mbi pasurinë vlejnë vetëm për ata që kanë nënshtetësi kosovare, e do të bashkëpunohet edhe me ndërkombëtarët, nëse ka dyshime se pasuria ruhet jashtë Kosovës.
Pasuria e zyrtarëve që nuk arsyetohet si u fitua do t’i kthehet shtetit dhe për këtë Ministria e Drejtësisë po përgatit një koncept-dokument të ri për të krijuar një lloj FOND KONFISKIMI, e do të vendoset edhe ku do të destinohen mjetet.
Lidhur me këtë, për “Bota sot”, kanë folur disa juristë.
“Me hetimin e pasurisë të merret vetëm gjykata”
Juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka theksuar se shteti ligjor nuk guxon të preket, edhe nëse Qeveria propozon lloj-lloj projektligjesh, madje edhe mund të shpallen zyrtarisht, por sipas Kelmendit, ligjet e tilla me padi në Gjykatën Kushtetuese anulohen.
Muhamet Kelmendi
“Shteti ligjor dhe demokratik nuk guxon të preket, juridikisht nuk ka ligje që veprojnë në mënyrë retroaktive apo prapavepruese. Kjo, për faktin se ligji hynë në fuqi në ditën e shpalljes në fletoren zyrtare, pasi që të nënshkruhet nga Presidenti. Qeveria mund të nxjerrë dhe të propozojë në Kuvend të Republikës lloj-lloj projektligje. Edhe Kuvendi mund të aprovojë projektet e tilla. Ka mundësi të nënshkruhen dhe të shpallen zyrtarisht. Por, ligjet e tilla me padi në Gjykatën Kushtetuese anulohen. Kuptohet se lufta kundër krimit dhe korrupsionit, pasurisë së paligjshme është e drejtë. E ajo luftë nuk bëhet me norma të tilla juridike. Kosova ka ligjet në fuqi”, thotë ai.
Tutje u shpreh se Prokuroria Speciale duhet të hapë hetime, e më pastaj të bëhet konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme.
Sipas tij, nuk ka mundësi juridike që organet administrative të konfiskojnë pasurinë.
“Ekziston prokuroria dhe gjykatat. Kemi shumë agjenci antikorrupsion etj. Kërkohet që të ndërmerren hapa konkret. Kërkohet që Prokuroria Speciale të hap hetimet dhe mbi ato rezultate bëhet edhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme. Por, këtë e bënë vetëm gjykata me aktgjykim. Nuk ka mundësi juridiko-kushtetuese dhe as që duhet pretenduar që organet administrative të hetojnë dhe konfiskojnë pasurinë. Nëse kështu bëhet dhe lejohet në Kosovë, humb shteti i së drejtës”, thotë Kelmendi.
Më tej ka theksuar se nëse administratat merren me ndarjen e drejtësisë, atëherë e futim shtetin në gjendje të rëndë, madje konfliktuale.
“E drejta zgjidhet dhe përcaktohet me ligj vetëm nga gjykatat kompetente, duke marrë në shqyrtim fakte dhe prova. Veprimi tjetër, duke futur administratën në ndarjen e drejtësisë, e futim kështu shtetin në një gjendje të rëndë dhe shumë konfliktuoze. Humb karakteri ligjor i shtetit dhe shteti merrë formë të diktaturës. E këtu nuk ka rëndësi shkaku. Mund të vidhet e vidhet, por kurrsesi nuk duhet lejuar që drejtësinë ta marrin në dorë organet administrative dhe ekzekutive. Këtë e kanë në kompetencë vetëm gjykatat. Kjo nuk lejohet në asnjë shtet demokratik”, përfundoi Muhamet Kelmendi.
“Ligj pozitiv”
Ndërsa, Juristi Blerim Burjani, thotë se nëse ky ligj e ka përnjëmend hetimin e ministrave, atëherë është pozitiv, madje ai thekson se duhet të ndodhë edhe konfiskimi i pronave që nga privatizimi e deri tek pagat e paligjshme.
Blerim Burjani
“Ky ligj mund të përcillet me vështirësi të mëdha dhe në ankesën në gjykata të rregullta e deri te Gjykata Kushtetuese, ligji s’do mend se është optimistik, por cilat janë efektet retroaktive nuk dihen. Ky ligj është pozitivë nëse përnjëmend e ka hetimin e ministrave dhe ish ministrave, nëse ka për qëllim konfiskimin e pasurive të cilat janë të shumta të këtyre njerëzve, dhe nuk dihet se krejt kjo e mbanë këtë pasuri, dhe me cilat emra e mbajnë atë kjo do të ishte një pozitivitet, sikur të ndodhte konfiskimi i pronave prej privatizimit dhe pasurive tjera dhe pagave të paligjshme lë për të dëshiruar”, thotë Burjani.