Ardhja e UNMIK-ut në Kosovë kishte si pikë synimi vendosjen e rendit dhe ligjit.
Por, një gjë e tillë nuk u arrit.
Pas përfundimit të misionit të UNMIK-ut, ndërkombëtarët provuan edhe njëherë që të “vendosin” rendin dhe ligjin në Kosovë, duke e sjellë një mision të ri, EULEX-in.
Kjo e fundit, kishte për qëllim që t`i kapte peshqit e mëdhenj.
Por, sipas njohësve të çështjeve politike dhe juridike, EULEX-i dështoi njëjtë sikurse UNMIK-u.
Ardhja e UNMIK-ut në Kosovë kishte si pikë synimi vendosjen e rendit dhe ligjit.
Por, një gjë e tillë nuk u arrit.
Pas përfundimit të misionit të UNMIK-ut, ndërkombëtarët provuan edhe njëherë që të “vendosin” rendin dhe ligjin në Kosovë, duke e sjellë një mision të ri, EULEX-in.
Kjo e fundit, kishte për qëllim që t`i kapte peshqit e mëdhenj.
Por, sipas njohësve të çështjeve politike dhe juridike, EULEX-i dështoi njëjtë sikurse UNMIK-u.
Sipas tyre, u bënë arrestime të sakta nga EULEX-i, por jo edhe ndëshkime.
Publicisti dhe njohësi i çështjeve politike , Idriz Zeqiraj në një prononcim për “Bota sot”, ka hedhur kritika ndaj sistemit të drejtësisë.
“Përgjigja e drejtpërdrejtë do të ishte: Nuk ka kush t`i arrestojë, t`i hetojë, t`i gjykojë dhe, aq më pak, t`i dënojë. Sepse, sistemi i drejtësisë është i kapur, madje, i tëri, nga PRONTO-mafia, nga SHIK-u. Pra, nga ata që e kanë përgjakur, zhvatur e vjedhur Kosovën, përkatësisht, pasuritë e brezave shqiptarë, përfshirë këtu edhe tokën, si pasuri e shenjtë, e patundshme, për dy dekada radhazi”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Po ashtu, ai ka folur edhe për UNMIK-un, duke thënë se të gjitha hetimet dhe arrestimet ishin të sakta, por, dënimet ishin simbolike.
“UNMIK-u, si monitorues i administrimit të Kosovës, ndër kompetencat e para kishte edhe sistemin e drejtësisë. Bëri shumë në vendosjen e një rendi administrativ bashkëkohor, duke shmangur praktikat moniste të sistemit majtist jugosllav, edhepse ishte më i avancuari, në raport me lindjen komuniste. Megjithatë, çaloi dhe dështoi, tërësisht, në sistemin e drejtësisë. Të gjitha hetimet dhe arrestimet ishin të sakta, penalizuese, por, dënimet ishin simbolike, qoftë edhe për krimet e rënda vrastare apo makro-hajnitë zyrtare, të zbutura me termin korrupsion! "Lirohen për mungesë provash",- ishte arsyetimi klishe!?”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Gjithashtu, Zeqiraj ka folur edhe për vrasjet politike, ku ka treguar se kush janë protagonistët e këtyre fundit.
“Vrasjet politike, të cilat i filloi LPK-ja, në prag të luftës, gjatë dhe pas luftës, kishin një qëllim të paracaktuar: Marrjen dhe mbajtjen e pushtetit me dhunë, jo nga Serbia, por, nga LDK-ja dhe Ibrahim Rugova! Janë të njëjtit protagonistë të vrasjeve, edhe të hajnisë galopante zyrtare, të pas luftës. Sepse, "komandantët", pa ushtarë gjatë luftës, pasurimin, paranë e kishin fe dhe atdhe pas luftës!
Nga mitra e përgjakur e LPK-së lindën tri parti: PDK, AAK, NISMA dhe ndoca satelitë të saj, përfshirë dhe "Shoqërinë Civile"! Ato u bashkuan në koalicionin PAN, për ta zhbërë Gjykatën Speciale dhe, së bashku, vazhdojnë ta luftojnë atë edhe tani, duke abuzuar me mediat, përfshi këtu edhe RTK-në "publike", të vënë në ballë të lehaqenëve agjitativë!”, thekson ai.
Gjithashtu, Zeqiraj tregon se cila është fatkeqësia në rastin e UNMIK-ut në Kosovë.
“Vërtetë, ishte fatkeqësi e madhe dhe humbje e rastit, që nuk u ngulmua për administrimin kalimtar, të përkohshëm në Kosovë, nga një shtet i fuqishëm ekonomik dhe ligjor, si Gjermania, Anglia, Austria...
Edhe pse UNMIK-u dështoi në administrimin ligjor të Kosovës, në veçanti, në shtyllën kryesore, drejtësinë, ai vazhdon të qëndrojë në Kosovë, me kompetenca dhe personel të reduktuar. Ai mbetet në Kosovë me ngulmimin e Serbisë dhe të Rusisë, ngaqë përfaqëson Rezolutën 1244, e cila favorizon Serbinë”, thotë ai.
Premtimi i EULEX-it - goditja e "peshqve" të mëdhenj apo të "profilit të lartë"
Gjithashtu, Zeqiraj thotë se EULEX-i dha premtime të bujshme, por nuk e realizoi vendosjen e rendit dhe të ligjit.
“Ardhja e EULEX-it i mori shumë kompetenca UNMIK-ut, por, nuk e largoi atë. EULEX-i dha premtime të bujshme, për vendosjen e rendit dhe të ligjit, por nuk i realizoi dot. "Peshqit" e mëdhenjë, alias të "profilit të lartë", vazhduan të livadhisin dhe të begatohen, korruptueshëm e shpjegueshëm, sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Shkurt: As në sistemin e drejtësisë, "nuk bëri as lavrën e miut"!
EULEX-i e dite gjendjen në drejtësi, bllokimin e saj nga PAN-i, përkatësisht SHIK-u i tij, i cili ka instaluar njerëzit e tij, në të gjitha shkallët e gjykatave dhe në prokurori”, është shprehur ai.
Më tej, Zeqiraj është shprehur se EULEX-i ka bërë konstatimin e saktë, se kush janë "peshqit" e mëdhenj, por ishin mjaftuar vetëm me "lojën" e emërtesave.
“EULEX-i ka bërë konstatimin e saktë, se janë "peshqit" e mëdhenj, tani, me emërtesë të zëvendësuar me atë të "profilit të lartë". Por, në vend të veprimit, të prangosjes, është mjaftuar vetëm me "lojën" e emërtesave. Dhe, në vend të hetimit dhe gjykimit, bënë "lojë fjalësh", duke i lënë të qetë "peshqit" e mëdhenj apo të "profilit të lartët", në veprimtarinë e tyre kriminale dhe hajnore!
EULEX-i e dinë mirëfilli se kuadrot e drejtësisë, prokurorët e gjykatësit, mund të arrestojnë e dënojnë ndonjë xheparosh, thyerës të banesave apo dëmtues të pyjeve, por, jo edhe "peshqit" e mëdhenj apo të "profilit të lartë", që urdhërojnë vrasjet politike apo vjedhin milionat. Ata e dinin, tani e 20 vjet më parë, autorësinë e krimeve vrastare të shqiptarëve, përkatësisht, të kundërshtarëve politikë. Por, nuk guxonin t`i arrestonin, hetonin, dhe, aq më pak, t`i gjykonin, dënonin ata!”, thekson Zeqiraj.
Sipas tij, e njëjta ka ndodhur sikurse me UNMIK-un, ashtu edhe me EULEX-in .
“Njëjtë po ndodhë edhe me EULEX-in, si me UNMIK-un më parë. Kërcënimi, paraja dhe ndërhyrjet e Serbisë, nëpërmjet të argatëve vendorë, të hershëm dhe të vonshëm, si dhe nëpërmjet të shteteve aleate, ata duan status-kuon”, deklaron Zeqiraj për “Bota sot”.
Krasniqi: Kështu bëhet pastrimi i “peshqve të mëdhenj”
Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike, Islam Krasniqi, ka deklaruar për “Bota sot” se rrjeta e peshqve të mëdhenj ishte më e madhe se EULEX-i.
“Kush mund t'i gjykojë ata “peshqit” e mëdhenj, ata të cilët nuk mundi as EULEX-i t`i dënojë, sepse rrjeta e tyre ishte aq e madhe sa që edhe misionin e EULEX -it e futën në rrjetën e tyre. Qe një kohë të gjatë është folur për ‘peshqit’ e mëdhenj, por veprimet ndaj tyre ishin zero, edhe ato procedura që kanë filluar, janë parashkruar, duke u liruar edhe kryesit e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thekson ai për “Bota sot”.
Në fund, Krasniqi ka treguar mënyrën se si mund të ndëshkohen ‘peshqit’ e mëdhenj.
“Andaj duhet të kryhet procesi i vetingut dhe pasi të bëhen verifikimet dhe pastrimi i sistemit të drejtësisë, atëherë mund edhe të ndëshkohen edhe peshqit e mëdhenj, në të kundërtën vetëm do të shpenzojnë mjete në këtë drejtim dhe rezultatet do të jenë zero!”, thotë Krasniqi për “Bota sot”.