Ja pse nuk do të ketë marrëveshje brenda mandatit të Kurtit

Politika

Ja pse nuk do të ketë marrëveshje brenda mandatit të Kurtit

Nga: A.M. Më: 2 janar 2022 Në ora: 14:58
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar fundin e bisedimeve me Serbinë brenda mandatit të qeverisjes së tij.

“Unë besoj që dialogu, bisedimet dhe marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të duhej të përfundonte brenda mandatit të qeverisë së Republikës së Kosovës e që koincidon, që përputhet edhe me mandatin e presidentit amerikan, Joe Biden dhe atë të Komisionit aktual Evropian të udhëhequr nga zonja Ursula von der Leyen dhe me zëvendësin e saj, përfaqësuesin e lartë për politikën e Jashtme dhe atë të sigurisë, zotin Josep Borrell”, ka deklaruar Kurti në një intervistë për VOA.

Gani Qarri në komentimin e deklarimeve të Kurtit, në një prononcim për “Bota sot”, ka treguar se nga çfarë varet marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Marrëveshja dhe përfundimi i bisedimeve me Serbinë nuk varen vetëm nga dëshirat dhe deklaratat e kryeministrit apo qeveritarëve të njërit shtet, por nga zhvillimi i procesit të bisedimeve dhe avancimet në dialogun ndërmjet të dy vendeve Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, duke parë jo pa keqardhje, se kryeministri Kurti, përveçse ka shkelur pothuajse të gjitha premtimet e dhëna veresie, si në pazaret “alla-turkqe”, ai pas marrjes së qeverisë në duart e veta, mund ti ndryshoj edhe qëndrimet rreth bisedimeve me Serbinë dhe të dëshmoj se as ky, nuk është kryeministri i njëmendtë dhe serioz, siç kanë shpresuar qytetarët e Kosovës, të cilët me gjithë premtimet për parajsën në tokë, ka filluar ti lë edhe pa rrymë, pa ujë dhe pa ngrohje në mes të dimrit”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Qarri ka thënë se nuk është e sigurt nëse marrëveshja Kosovë -Serbi do të ndodhë gjatë mandati të Qeverisë Kurti2.

“Kështu që, marrë parasysh edhe faktin se dialogu Kosovë-Serbi, po zgjat e zhagitet tash e më se 11 vite me radhë, me gjithë parashikimet e Kurtit, asgjë nuk mund të thuhet me saktësi e as të jetë plotësisht e garantuar, se brenda mandatit të Qeverisë Kurti, medoemos do të përfundojë tërësisht dialogu, nëse z. Kurti nuk i ka ndryshuar qëndrimet e veta fillestare, ndaj dialogut”, ka nënvizuar ai.

Më tej, Qarri ka përmendur se cilat mund të jenë kushtet me të cilat do të përfundonte dialogu.

“Ndërsa kushtet në të cilat do të përfundonte shpejt dialogu, nuk janë ato me të cilat mund të pajtohet Kosova, pa nënshkruar vet shkatërrimin e saj, ashtu siç kërkon Serbia, duke pranuar bosnjëzimin, me asociacionin një etnik serb, si hap i parë drejt ndarjes përfundimtare, eksterritorialitetin e kishave apo edhe të enklavave në jug të Ibrit, pjesëmarrjen si hisedarë të shtetit serb, në pasuritë dhe resurset e brendshme të Kosovës, si dhe falja e veriut me pjesët më vitale të vendit tonë, Serbisë hegjemoniste”, ka thënë ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat