Kryetari i Partisë Republikane të Kosovës, Faton Kurti në një bisedë për gazetën “Bota sot” ka folur për qeverisjen 9 muajshe të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, si dhe sfidat me të cilat u përball Kosova gjatë vitit 2021.
Kurti ka thënë se Kosova po përballet me shumë sfida si ato nacionale, rajonale dhe globale.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/January/02/auto_kurt1641137896.jpg)
Sipas tij, performanca e qeverisë Kurti gjatë këtij viti duhet të vështrohet nga dy perspektiva:
- Perspektivë e parë ishte largimi i një kastës së vjetër të paditur dhe korruptuar politike e cila e kishte ngulfatur shtetin e Kosovës për më shumë se dy dekada.
Për herë të parë pas 21 viteve, qytetarët e Kosovës e kuptuan se me votën e tyre mund ti ndëshkojnë politikanët e pa aftë dhe të korruptuar dhe tanimë çdo qeveri e re duhet ta kuptojë se nëse nuk performojnë si duhet dhe nuk i mbajnë premtimet e tyre, do të ndëshkohen me votën e sovranit.
Ai u shpreh se perspektiva e dytë është performanca e qeverisë Kurti dhe realizimi i premtimeve të dhëna gjatë fushatës si implementimi i vetingut në drejtësi, zhvillimi real ekonomik, përmirësimin e të ardhurave personale të qytetarëve dhe përmirësimin i mirëqenies sociale etj.
“Këto premtime mbeten të parealizuara këtë vit por shpresojmë se kjo të ndryshojë në vitin e ardhshëm. Qeveria Kurti duhet ta dijë fare mirë se "thembra e Akilit" është vetingu në drejtësi. Pa ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë nuk do të kemi zhvillime pozitive. E kemi vërejtur se vetëm paralajmërimi i kryeministrit Kurti se do t’i ndëshkojnë politikanët, të cilët u pasuruan paligjshëm, opozitën e tanishme (pushtetarët e djeshëm) i ka shqetësuar tej mase duke e humbur kontrollin dhe duke bërë një opozitarizëm total destruktiv!”,u shpreh ai.
Kurti kujtoi se ish-qeveritë, përveçse keqpërdoruan me shtetin, për të shpëtuar lëkurën e tyre nga përballja me drejtësinë ndërkombëtare bënë pazare dhe lëshime në kurriz të Kosovës dhe qytetarëve të saj si falja e 8000 hektarëve tokë Malit të Zi dhe nënshkrimin për themelimin e "zajednicave" apo më mirë "Bosnjizimin e Kosovës"!
“Por kjo gjë nuk mund të jetë kartë aminstie e përjetshme për VV dhe qeverinë Kurti. Qeveria Kurti urgjentisht duhet ti përvishet punës dhe t'ju sjellë qytetarëve ndryshimin e premtuar. Tanimë qytetarët janë vetëdijesuar, nuk mashtrohen më me fjalë të thurura bukur dhe duke e bërë krahasime me qeveritë e kaluara”, nënvizoi ai.
Sipas tij, vota e 14 shkurtit nuk ishte votë për VV por ishte votë e mllefit ndaj keq qeverisjeve të pasluftës, të cilat nuk lanë asgjë pa bërë për ta kapur pushtetin dhe pasuruar vetveten dhe rrethin e tyre të ngushtë.
“Nëse Kosova ka humbur dy dekada me analfabetët politikë të korruptuar, tani nuk e ka luksin të humbasë edhe dy dekada me amatorë politik! Partitë opozitare të cilat dolën fituese në zgjedhjet lokale duhet ta kuptojnë fare mirë se kjo fitore nuk erdhi nga meritat e tyre por thjesht nga një revoltë ndaj qeverisë aktuale e cila nuk po tregohet mjaft efikase siç e ka premtuar gjatë fushatës.
Qytetarët e Kosovës të vetëdijesuar e kanë kuptuar më në fund se me votën e tyre mund të lartësojnë dhe të rrëzojnë qeveritë, sipas motos "easy comes and easy goes"!”, nënvizoi ai.
Kriza globale dhe ndikimi i saj në jetën tonë në Kosovë!
Nga ana tjetër, Kurti tha se kriza globale ka një efekt katastrofal tek shtetet e vogla dhe të varfra siç është edhe shteti i Kosovës, e cila varet për gjithçka madje edhe për ushqim nga importi.
“Njerëzimi është duke futur në një cikël shumë të rrezikshëm të krizës globale duke u përballur me mbipopullimin e planetit, pandemitë globale, ndryshimet ekstreme klimatike, mungesën e resurseve tokësore dhe me një varfëri të shumicës të popullatës globale.
Kjo krizë globale ka një efekt katastrofal tek shtetet e vogla dhe të varfra siç është edhe shteti i ynë i Kosovës e cila varet për gjithçka madje edhe për ushqim nga importi.
Popullata e Kosovës me të ardhurat më të ulta në Evropë po e ndien krizën edhe më shumë se shtetet e pasura dhe po përballet me mungesën e energjisë elektrike dhe rritjen ekstreme të çmimeve për konsum dhe jetë bazike”.
Andaj sipas Kurtit, me një performancë të duhur profesionale dhe të pa korruptuar të qeverive, Republika e Kosovës një mini shtet, por me pasuri të jashtëzakonshme nëntokësore dhe mbitokësore dhe me një popullatën më të re në Evropë, sot duhej të kishte një standard të ngjashëm me Zvicrën dhe sot nuk do të ishte në një kollaps ekonomik, energjetik dhe social.
Ai u shpreh se shumica e "politikanëve" në Kosovë merren me politikë sepse duan të gjejnë një vend pune të paguar mirë dhe me privilegje dhe pa pasur nevojë ti japin llogari askujt për mosditurinë dhe pasivitetin e tyre.
“Sepse qeverisja/politika është menaxhim i shtetit. Të gjithë politikanët duhet ti pyesim, çfarë keni menaxhuar para se të merrni në menaxhim shtetin?
Shumica e "politikanëve" në Kosovë merren me politikë sepse duan të gjejnë një vend pune të paguar mirë dhe me privilegje dhe pa patur nevojë ti japin llogari askujt për mosditurinë dhe pasivitetin e tyre. Një subjekt politik duhet të vlerësohet/votohet në bazë të:
- burimeve njerëzore menaxhuese dhe profesioniste që ofron.
- programit me koncepte dhe projekte të kjarta zhvillimore ekonomike dhe strategjike.
- subjekti politik duhet ti ketë në dispozicion të gjitha strukturat e ndërtuara të personelit qeveritar shumë kohë para se të kërkojë ta marrë qeverisjen.
Në Kosovë ndodh e kundërta, subjektet politike së pari duan ta fitojnë pushtetin dhe pastaj dalin "në treg" në kërkim të personelit për postet qeveritare!
Për këtë arsye ne kemi në qeveri njerëz amatorë të cilët pas marrjes së postit të lartë qeveritar ju duhen edhe disa vite të kuptojnë se si fuksionon qeveria”, shprehet ai.
Tutje, ai tha se në këtë situatë të rëndë ekonomike, energjetike dhe sociale që gjendet sot Kosova, nuk do të jetë në gjendje kurrë një qeveri e udhëhequr nga një subjekt politik siç është VV apo një subjekt tjetër sepse asnjë subjekt i vetëm në Kosovë nuk posedon mjaftueshëm politikanë apo profesionistë të mjaftueshëm për ta nxjerrë Kosovën nga ky kollaps!
“Kjo qeveri dhe asnjë tjetër nuk do të jetë në gjendje e vetme ta nxjerrë Kosovën nga kjo krizë ekonomike, energjetike dhe sociale, atë mund ta bëjë vetëm një konsensus mbarë shoqëror. Për ta nxjerrë Kosovën nga ky kollaps duhet të arrihet një konsensus politik dhe shoqëror për ti bërë bashkë të gjitha kapacitetet njerëzore nga Kosova dhe diaspora si intelektualë, politikanë, diplomatë, ekspertë dhe profesionistë të lamive të ndryshme edhe jashtë partiake për të themeluar një "qeveri teknike" së paku për 4 vite derisa të zhvillohet Kosova. Të gjithë ata politikanë dhe individë të cilët kanë keq-qeverisur dhe janë korruptuar në postet e tyre të lihen jashtë këtij konsensusi”, përfundoi Faton Kurti.