Hymë në vitin 2022 me shpresa të mëdha e me ëndrra ende të parealizuara. Ndër vite kemi qenë në mesin e vendeve të para në statistikat për popullësitë më optimiste në botë.
Pa mëdyshje mund ta themi se shpresa gjithmonë na ka mbajtur gjallë. Ndonëse jemi zhgënjyer mjaft shpesh, nuk kemi hequr kurrë dorë shpresa se do të bëhet më mirë. Me vullnetin tonë të lirë kemi zgjedhur njerëz për të cilët kemi shpresuar se do të na e përmirësojnë jetën, jemi zhgënjyer dhe kemi zgjedhur të tjerë e kështu me radhë. Që nga paslufta e kemi pasur kështu.
Si shtet jemi përballur me një Serbi e cila ende ëndërron të na pushtojë, duke mos i mjaftuar ajo që na e shkaktoi në luftë e para saj.
Si popull kemi ende mijëra plagë të pashëruara. Plagë lufte që i morëm nga Serbia, e cila nuk u ndëshkua asnjëherë. Në krye të saj qëndrojnë njerëz të regjimit kriminal të Millosheviçit
Janë ende mbi 1 mijë e 600 persona që i mungojnë Kosovës. Ky fakt rëndon mbi emocionin e çdo qytetari e duhet të prek ndërgjegjen e secilit politikan.
Serbia e nisi këtë vit të ri duke treguar fytyrën e saj të vërtetë.
"O Pazar - Vukovari i ri, oj Sjenicë - Srebrenicë e re".
Me këto janë vargje festuan vitin e ri disa pjesëtarë të policisë serbe që veprojnë në zonën e Sanxhakut.
“Sigurisht. Çfarë të pritet nga polici kur Ministri i tij mohon çdo ditë gjenocidin e Srebrenicës, me heshtjen miratuese të Presidentit Vuçiq.
Këngët e policëve në Sanxhak janë fytyra e vërtetë e Serbisë së Vulinit dhe Vuçiqit”, shkroi deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi në profilin e tij në Facebook.
Njëjtë sikur që ëndërron një “Srebrenicë të re” mund të ëndërrojë edhe një “Reçak të ri”, të cilin marrin guximi dhe e mohojnë pa fije turpi, siç bëri Vulini pak kohë më parë.
Kosovën e pret një vit me plot sfida, sidomos sa i përket marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
Një Asociacion me kompetenca ekzekutive në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese do të ishte një “thikë” në zemrën e Kosovës. Këtë nuk duhet ta pranojë ekipi i Kosovës në dialog.
Por, as nuk duhet të bëjë marrëveshje, nëse Serbia nuk kërkon falje për krimet makabre në Kosovë, kthimin e të pagjeturve dhe dëmshpërblimin moral e material.
Ne nuk shpresojmë se Serbia do të ndërrojë mendje kur ajo ende ëndërron një Srebenicë të re dhe mohon Reçakun. Por, si optimistë që jemi kemi shpresën tek miqtë tanë ndërkombëtarë, që në momentet tona më të rënda na janë gjendur afër dhe ia kanë treguar vendin Serbisë.
Shtetin tonë po e pret një periudhë e vështirë, derisa nevoja për udhëheqës të guximshëm e sypatrembur do të jetë jetike.