Kosova hyri në vitin 2022 me shumë probleme politike dhe ekonomike.
Rritja e çmimeve, kriza energjetike, si dhe pandemia deri në një masë ishin problemet më të mëdha me të cilat u përball vendi vitin që sapo lamë pas.
Gazeta “Bota sot” ka biseduar me analistët lidhur me problemet që e përcollën Kosovën në vitin 2021, të trashëguara edhe në vitin e ri.
Lufta me pandeminë CoVID-19, dialgu me Serbinë, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, prezantimi politik i vendit në arenën ndërkombëtare etj, po vlerësohen si sfidat më të mëdha që do ta shoqërojnë vendin përgjatë vitit 2022.
Kadriaj: viti 2022 duhet të jetë vit i reflektimit
Ekonomisti Mustafë Kadriaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Kosova i ka edhe pasuritë natyrore, por edhe fuqinë punëtore që janë parakusht për zhvillimin e ekonomisë, por megjithatë, sipas tij, këto kanë mbetur në rend të dytë për shkak të faktorit politik.
“Vlerësoj që viti 2022 duhet të jetë vit i reflektimit, duke shpresuar që pandemia ngadal duhet të i mbetet të kaluarës, duke i dhënë hapësirë zhvillimit ekonomik dhe mirëqënies. Nëse marrim parsysh faktorët, vlërsoj që Kosova i ka faktorët potencial si pasurit natyrore dhe fuqinë punëtore, të cilat janë parakusht për zhvillim ekonomik, por jo domosdoshmërisht vendimtar. E them këtë për faktin që me këta faktor Kosova disponon në vazhdimësi, por faktori politik ka bërë që këto të mbesin në rend të dytë”, tha ai.
Tutje, ai ka shtuar se qeverisë i mbetet që t’i jape detyra vetës, me qëllim që të krijohen kushte të jetesës në Kosovë, por nëse nuk ka gatishmëri nga ana politike, të gjithë faktorët potencial do të shumëzohen me zero.
“Pra, i mbetet politikës njëherit qeverisë dhe legjislativit që t’i japin detyra vetës për t’i kthyer shpresen qytetarit me qëllim që të krijohen parakushte për jetesë duke bërë Kosovën vend për të jetuar, e cila do reflektonte në mos intersimin e fuqisë punëtore për të dalë jashtë vendit. Të gjithë faktorët potencial që i disponon Kosova do të shumëzohen me zero, nëse nuk ka gadishmëri nga ana e politikës për t’i kthyer shpresen qytetarit, përmes politikave zhvillimore në favorizimin e prodhuesit vendor dhe investitorëve të mundëshëm nga jashtë”, shtoi Kadriaj.
Kelmendi: Gjendja në Kosovë e rëndë
Jurisi Muhamet Kelmendi, ka potencuar se gjendja në Kosovë është shumë e rëndë, madje sipas tij, as nuk pritet ndonjë zhvillim i theksuar.
Ai shtoi se ajo që do mbetet më problematike do të jetë punësimi.
“Kosova do të vazhdon me trend të njëjtë politiko – ekonomik, është një kohë shumë e rëndë që po e kalon Kosova. Problemet janë të mëdha dhe natyrisht se është shumë e rëndë gjendja. Shikuar nga koha që po e lëmë nuk pritet ndonjë zhvillim i theksuar. Ajo që deklarohet nga kompetentët është vetëm rikthim në gjendjen parapandemike. Këtej kemi edhe përqindje zhvillimore të mirë. Punësimi do të vazhdon të jetë problemi më i theksuar në Republikë. Nuk priten punësime të veçanta si rezultat i një politike ekonomike zhvillimore. Gjendja e punëtorëve do të keqësohet më shumë”, tha ai.
Sipas tij, të ardhurat nuk do të kenë ndonjë ndryshim, arsimi do të jetë i njëjtë pa ndonjë ndryshim pozitiv, ndërsa në luftimin e krimit, ai thekson se deklarimet do të jenë më pozitive.
“Të ardhurat do të mbesin në nivel eksploatues edhe nëse të ardhurat minimale rriten në 250 euro, përsëri është një rritje jo adekuate me gjendjen dhe kjo nuk e përmirëson situatën sociale në vend. Mbrojtja sociale dhe shëndetësore nuk do të pësojnë ndryshime pozitive. Arsimi do të vazhdojë me të njëjtin ritëm, pa ndonjë ndryshim pozitivë në nxënje të mësimit. Në fushën e luftimit të krimit dhe të korrupcionit, si kundër edhe të kontrabandës, sigurisht se deklarimet do të jenë pozitive, mirëpo në terren nuk do të kemi ndyshime pozitive”, shtoi Kelmendi.
Kelmendi gjithashtu ka shtuar se nuk do të kemi as njohje të reja, por nga ana tjetër, Kosova ka stabilitetin politik dhe qeverisës në vend.
“Gjyqësori nuk do të përmirësohet. Kështu do jetë edhe gjendja në prokurori etj. Në raportet ndërkombëtare nuk do të kemi njohje të reja. Ndoshta 1 a 2 shtete do të njohin shtetin sovran të Kosovës. Dialogu do të ketë intezitet më të theksuar. Nga dialogu dhe sukseset në atë fushë do të varet edhe liberalizimi i vizave. Megjithatë, Republika ka anë pozitive. Si të tillë duhet theksuar stabilitetin politik dhe qeverisës në vend. Pozitive është edhe lufta kundër pandemisë me Koronavirusin. Nuk shoh gjë tjetër”, ka përfunduar Muhamet Kelmendi.