Liberalizimi i vizave i varur nga ecuria e dialogut me Serbinë? Analisti tregon rolin e Francës në këtë mes

Politika

Liberalizimi i vizave i varur nga ecuria e dialogut me Serbinë? Analisti tregon rolin e Francës në këtë mes

Nga: A.SH Më: 6 janar 2022 Në ora: 14:54
Foto ilustrim

Qytetarët e Kosovës ende nuk mund të lëvizin lirshëm në Evropë.

Nga Bashkimi Evropian ka pasur shumë premtime për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, por pavarësisht punëve të bëra liberalizimi i vizave nuk ka ndodhur.

Shteti më kritikues ndaj Kosovës për këtë gjë është Franca, e cila këtë vit ka marrë kryesimin e BE-së deri në muajin qershor.

Analisti politik, Skënder Mulliqi në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se mosliberalizimi i vizave është një padrejtësi e madhe ndaj Kosovës.

“Është e padrejtë megjithatë shtyrja e liberalizimit të vizave për Kosovën që shumë vite. Dihet si kusht për plotësimin nga ana e Kosovës, është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që nuk u bë në masë të duhur nga pushtetet që i patëm. Të gjitha shtetet e rajonit kanë liberalizim të vizave edhe pse nuk janë demokratizuar sa duhet, edhe pse mbizotëron ende korrupsioni i niveleve të larta. E dimë se edhe pesë shtetet e BE-së, nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, por që kjo nuk ishte dashur të jetë pengesë që edhe qytetarët e Kosovës mos të kenë lëvizje të lirë në shtetet shengen”, ka thënë ai.

Sipas tij, pengesa kryesore për mos-liberalizim janë pushtetet e pasluftës, të cilat nuk e luftuan korrupsionin kurrë sa duhet.

“Pengesa kryesore që mos të kemi liberalizim të vizave ishin pushtetet tona të pasluftës, të cilat nuk e luftuan korrupsionin kurrë sa duhet dhe kjo ka bërë që vendi të mbetet e izoluar nga bota demokratike. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është intensifikuar kohën e fundit nga qeveria e re, dhe ka paralajmërime se më në fund kjo do të rezulton edhe liberalizim të vizave në vitin 2022. Shumë herë kemi dëgjuar drejtuesit tanë të shtetit duke luajtur me data se do të kemi liberalizim të vizave e nuk patëm deri më sot. Këto sigurisht u bënë për qëllime të caktuara politike duke i mbajtur qytetarët me shpresa të rreme për lëvizje të lire”, thotë analisti.

Në fund, Mulliqi deklaron se me kryesimin e Francës, në bazë të qëndrimit të saj kemi shpresa për liberalizim, ku është paralajmëruar edhe konferenca kushtuar Ballkanit Perëndimor.

“Sivjet kur kryesimin e BE-së e ka marr Franca nga ky janar, dhe qëndrimi më i ri i saj, jo sikurse deri më tash për liberalizim të vizave, shtojnë shpresat se do të kemi liberalizim të vizave edhe për Kosovën. Gjatë presidencës franceze të BE-së është paralajmëruar edhe konferenca kushtuar Ballkanit Perëndimor, ku do të bëhet fjalë edhe për reformat në zonën shengen. Liberalizmi i vizave do të varet mendoj unë edhe nga qetësimi i krizave aktuale politike në disa shtete të rajonit, si Bosnje dhe nga raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku është duke u zhvilluar edhe dialogu i ndërsjellë. Franca si kryesues e BE-së, do të jetë e interesuar më i avancuar proceset së bashku me Gjermaninë të stopuara që disa kohë për zgjerim. Ky shtet më së shumti e kishte kundërshtuar vendimin në Këshillin e Evropës për liberalizim të vizave, i cili kishte konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet. Një prej arsyeve kryesore pse ka hezitim te disa shtete të BE-së për liberalizimin e vizave është ajo që nga disa shtete konsiderohet si “përvojë e keqe në rastin e Shqipërisë dhe Gjeorgjisë”. Qytetarët e Kosovës me të drejtë presin se do të hiqen të gjitha barrierat edhe ato burokratike nga ana e BE-së, që më në fund edhe Kosovës t’i hapen dyert e Evropës, me lëvizje të lirë, dhe me inkuadrim në shumë struktura relevante të saj”, përfundon analisti Skënder Mulliqi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat