Shqipëria ka nisur mandatin dyvjeçar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Përpos një ngjarje e rëndësishme për Shqipërinë, kjo pritet të ketë rëndësi edhe për Kosovën.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka ka thënë se do të angazhohen për Kosovën që t’i sjellin njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori Enver Bytyçi.
Duke theksuar rëndësinë për Shqipërinë, ai ka thënë se është një shans për ndihmë ndaj Kosovës, derisa thotë se kjo varet nga vullneti politik nga ana e qeverisë dhe diplomacisë shqiptare teksa përmend Ramën.
“Së pari, më lejoni të them se mandati dyvjeçar i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit është një ngjarje me shumë rëndësi për imazhin dhe emrin e vendit tonë. Të jesh anëtar i përkohshëm i Këshillit të Sigurimit është për një vend të vogël nder, krenari dhe mundësi e madhe për përfitime në interes të vendit e të kombit. Në tastin konkret është një shans që Shqipëria ta ndihmojë Kosovën. Megjithatë kjo varet nga vullneti politik dhe përkushtimi i qeverisë dhe diplomacisë shqiptare. Kështu si është katandis diplomacia shqiptare, e cila është e paralizuar e në kolaps për shkak të eklipsit me emrin Edi Rama, nuk mund të besohet se do të ndodh aq me sukses ajo që premton ministrja Xhaçka. Edhe ajo e di se nuk varet nga ministrja e as nga ambasadori ynë në OKB, i cili do të jetë pjesë e mbledhjeve të Këshillit të Sigurimit, angazhimi për Kosovën”, është shprehur ai.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/January/06/auto_enver_bytyci1641481450.jpg)
Sipas profesorit, nëse do të ishte siç thotë ministrja Xhaçka, deri tani do të ishte edhe së paku 20 njohje për Kosovën por kjo nuk ka ndodhur ndërsa që Serbia ka arritur të tërheq njohje, derisa shton se nuk beson që Rama të shndërrohet në luftëtar të përkushtuar për Kosovën dhe njohjet ndaj saj, sa kohë që është në aleancë të ngushtë me Serbinë.
“Nëse do të ishte kështu siç thotë zonja Olta, atëherë në këto gati nëntë vite nuk do të kishim një dështim total në njohjet për shtetin e Kosovës. Nëse Shqipëria do të kishte vullnet dhe përkushtim njohjet do të ishin shtuar së paku edhe nga 20 vende të tjera. Që do të thotë ta njihnin pavarësinë e saj së paku dy vende në vit. Por nuk ka ndodhur kjo. Përkundrazi, Serbia dhe miku i kryeministrit shqiptar, presidenti Vuçiq ia kanë arritur të investojnë për heqjen e njohjeve ndaj shtetësisë së Kosovës. Ne e dimë se çfarë ka ndodhur me njohjet këtë gati dekadën e fundit. A mund ta ndryshojë vullnetin politik të kryeministrit Rama qenia e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit?! Unë nuk e besoj këtë. Nuk ka asnjë shans që Edi Rama të shndërrohet në luftëtar të përkushtuar për Kosovën dhe njohjet ndaj saj, sa kohë që është në aleancë të ngushtë me Serbinë. Sa kohë që merr iniciativa të përbashkëta me Beogradin dhe jo me Prishtinën. Sa kohë që vijon ta ndihmojë Serbinë në investimin e saj anti-Kosovë! Duhet të ndryshojë Rama, jo statusi i Shqipërisë në OKB, që Kosova të marrë mbështetje substanciale e të sinqertë nga ana e qeverisë shqiptare”, ka vlerësuar Bytyçi për “Bota sot”.
Por ai tregon se çka mund të ndodhë në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit kur të diskutohet për raportet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën.
“Por një gjë mund të ndodhë. Të zhvillohet një farë spektakli në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit kur ato të diskutojnë raportet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën. Spektakli do të jetë me skenar dhe regji serbe, deri në pikën që nuk u dhemb Beogradit dhe Aleksandër Vuçiq. P.sh nuk pritet që ambasadori ynë në këto mbledhje të flasë për gjenocidin serb në Kosovë, për krimet serbe kundër shqiptarëve! Nuk do ta lejojë këtë kryeministri I vendit, edhe nëse Olta Xhaçka do të dëshironte ta bënte, për çka sigurisht që dyshoj. Do të ketë deklarata publike, me të cilat do të synohet të krijohet ideja se “Shqipëria në Këshillin e Sigurimit po bën gjithçka për Kosovën”! Por vetëm kaq! Ato deklarata do të shfrytëzohen për të marrë medalje e dekorata qeveria e Ramës, por ato nuk do ta cenojnë aspak autoritetin e Serbisë dhe bashkëpunimin e Ramës me Aleksandër Vuçiq. I kemi parë tashmë demonstrime të tilla, duke filluar që nga ajo e provokacias së nëntorit 2014 në Beograd! Thjeshte provokime emocionesh nacionaliste, por asgjë më shumë”, ka potencuar profesori.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për punë konkrete dhe se kjo do të duhej të bëhej në UNESCO apo INTERPOL ku Shqipëria bën pjesë por nuk ndodh për shkak të Edi Ramës.
“Kosova ka nevojë për punë konkrete. Kjo nuk kryhet në Këshillin e Sigurimit. Përkundrazi, më mirë mund të bëhet në organizatat ndërkombëtare ku Shqipëria bën pjesë. UNSECO p.sh, INTERPOL apo organizata të tjera. Por nuk ndodh. Nuk ndodh, sepse ambasadorët dhe diplomatët e Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare kanë urdhër nga Edi Rama të kyçin gojën, të mos flasin për çështje sensitive, të cilat e mërzisin Beogradin, Serbinë dhe Vuçiq. Kjo është e vërteta dhe këtë të vërtetë nuk e ndryshon fakti që Shqipëria zë një vend në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë Bytyçi.
Profesori shton se nuk pret asgjë nga qeveria në Tiranë pasi ajo dhe kryeministri kanë dhënë prova anti-Kosovë derisa thotë se duhet të jemi të kënaqur nëse nuk ndryshon diçka për keq sepse Vuçiq mund të fantazojë diçka kundër Kosovës dhe të përkrahet nga Rama sikur për shkëmbimin e territoreve dhe tani Open Balkan.
“Unë personalisht nuk pres asgjë substanciale nga qeveria e Rilindjes në Tiranë. Nuk e them këtë për shkak të sentimetit kundër saj. Jam kundër saj për shkak se kjo qeveri dhe kryeministri i vendit kanë dhënë prova të një qëndrimi anti-Kosovë. Këto prova i kam administruar në komentet e analizat e mia. Pikërisht për këto arsye mendoj se asgjë nuk do të ndryshojë. Nëse nuk ndryshon diçka për keq, duhet të jemi të kënaqur. Sepse nuk është çudi se Aleksandër Vuçiq të fantazojë diçka tjetër të tmerrshme kundër Kosovës dhe Edi Rama ta përkrahë atë. Siç përkrahu shkëmbimin e territoreve, ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës! Siç po përkrah nismën anti-shqiptare e anti-kosovare të Open Balkan! Prezenca e një ambasadori ose diplomati shqiptar në Këshillin e Sigurimit është një hiç në krahasim me mungesën e vullnetit politik të kryeministrit të vendit për të ndihmuar Kosovën, shtetësinë e pavarësinë e saj si dhe integritetin territorial e sovranitetin shtetëror”, ka deklaruar profesori Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.