Shqipëria ka marrë mandatin dy vjeçar si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ky padyshim se është i një rëndësie të madhe. Është hera e parë që Shqipërisë i jepet ky shansë, por nuk është i vetmi shtet që s’e ka gëzuar këtë mundësi.
OKB-ja ka 193 shtete anëtare, të cilat edhe e përbëjnë organin më të lartë të kësaj organizate, Asamblenë Parlamentare, e cila takohet së paku njëherë në vit. Kombet e Bashkuara u themeluan në vitin 1945, duke e pasuar Lidhjen e Kombeve.
Krenar çdo shqiptar kudo në botë
Këshilli i Sigurimit edhe pse radhitet si organi i dytë për nga rëndësia, realisht aty vendosen pragjet gjeostrategjike, dhe ndodhin pengesa të mëdha, në saje të drejtës së vetos, të pesë shteteve anëtare, SHBA, Britani, Francë, Rusi dhe Kinë.
Rusia dhe Kina, janë pengesat kryesore në vendimmarrjet e rëndësishme prodemokracisë botërore, si në rastin e Kosovës, që e pengonin vendosjen dhe ndërhyrjen e një misioni ushtarak të OKB-së. Kjo çoi në ndërhyrjen unilaterale të perëndimit, me NATO-n.
Shqipëria do të jetë njëra nga 10 anëtaret e përkohshme të Këshillit të Sigurimit, me mandat dy vjeçar. Por, ajo do të ketë rast ta udhëheq Këshillin së paku një herë, pasi ai drejtohet me rotacion nga njëri prej vendeve, çdo muaj.
Por, rëndësia duket se nuk do të jetë vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën.
Kështu të paktën ka deklaruar ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, e cila përmes një urimi ka thënë se Shqipëria do ta shfrytëzojë këtë moment për të avancuar çështjen e Kosovës.
Sipas saj, ky moment i shënuar është një mundësi për të lënë gjurmë në arenën ndërkombëtare.
“Kjo është një arritje për të cilën duhet të ndihet krenar çdo shqiptar kudo në botë. Duke filluar nga vëllezërit e motrat tona në Kosovë sepse padyshim që Shqipëria do ta përdorë këtë mundësi për të avancuar çështjen e Kosovës, procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare sepse Kosova ka qenë, është e do të jetë një kauzë e shenjtë për Shqipërinë. Do të punojmë për shqiptarët, por do të punojmë edhe për rajonin tonë për të konsoliduar arritjet e dekadave të fundit e për mos ta lënë atë të rrëshqasë drejt destabilizimit e tensioneve. Do të punojmë me aleatët e partnerët tanë për të avancuar së bashku agjendën e prioriteteve tona të përbashkëta, duke konsoliduar kështu akoma më shumë lidhjet e forta që na bashkojnë”, ka thënë ajo.
Por, sa do të ketë mundësi Shqipëria që ta ndihmojë Kosovën me njohjet dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, gjatë kësaj periudhe sa është në KS të OKB-së?
Blakaj: Shqipëria në KS do ta fuqizojë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare
Sami Blakaj
Lidhur me këtë, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Sami Blakaj, thotë për gazetën “Bota sot” se anëtarësimi i Shqipërisë është pozitiv edhe për Kosovën që ta fuqizojë pozitën e saj në arenën ndërkombëtare.
“Ky vit ka nisur vërtetë mbarë për shqiptarët, pasi Shqipëria në këtë fillim vit është bërë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), me mandat dyvjeçar. Anëtarësimi i Shqipërisë në KS të OKB-së padyshim se do të ketë ndikim pozitiv për Ballkanin në përgjithësi dhe për Kosovën në veçanti. Si pjesë e KS të OKB-së, Shqipëria tanimë do ta ketë më të lehtë ta fuqizojë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare, dhe këtë mund ta bëjë më së miri duke qenë proaktive në procesin e njohjeve dhe në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale”, ka thënë ai.
Sipas Blakajt, për të pasur sukses duhet një strategji në mes të dyja vendeve dhe përmes saj të vendosen prioritetet diplomatike, e në kuadër të saj mund të jetë anëtarësimi i Kosovës në Interpol, NATO dhe OKB.
“Por, për të pasur sukses në këtë drejtim fillimisht është e nevojshme që të ndërtohet një strategji e përbashkët diplomatike në mes të Kosovës dhe Shqipërisë dhe përmes kësaj strategjie të vendosen prioritetet e qarta diplomatike, të cilat do ta avanconin agjendën e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar. Në preambulën e kësaj strategjie duhet të jetë anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, NATO dhe OKB. Është e domosdoshme, mbase edhe jetike për Kosovën që të jetë pjesë e diskutimeve dhe vendimeve që i shërbejnë paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar”, ka theksuar Blakaj për gazetën “Bota sot”.
Shahu: Kosova të mos shpresojë te Shqipëria
Rexhep Shahu
Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, thotë se anëtarësimi e pasuron CV-në e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, por kjo nuk e përmirëson jetën e shqiptarëve.
“Shqipëria u bë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së me mandat dy vjeçar. Kjo veç e pasuron CV-në e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, por kjo nuk e përmirëson jetën e shqiptarëve, nuk e përmirëson demokracinë, as nuk i konsolidon liritë e të drejtat e njerëzve në Shqipëri, varfëria përsëri do të jetë ulëritëse, mungesa e ujit të pijshëm do të jetë alarmante, qeverisja do të jetë skandaloze, mafia do të pastrojë para dhe malet me plehra do të jenë sërish miniera floriri”, ka thënë ai.
Sa i përket çështjes së Kosovës, ai vlerëson se Shqipëria është lokomotivë e vogël për ta tërheqë trenin me Kosovën dhe nuk ka fuqi e as ndikim.
“Sa i përket pyetjes se a do të ndikojë Shqipëria ta avancojë çështjen e Kosovës duhet thënë se Shqipëria është lokomotivë e vogël për ta tërheqë trenin me Kosovën, pasi Kosova është peshë më e rëndë se Shqipëria në arenën ndërkombëtare. Shqipëria këtu ka qenë qe 100 e sa vjet shtet, këtu ka qenë këto dy dekada që është shtet Kosova dhe nuk ka pasur as ka fuqi që të çelë dyer ndokund për Kosovën, sepse nuk është shtet vetë që i ka të çelura dyert e politikës e diplomacisë nëpër kancelari, nuk është shtet i fortë, demokratik, i zhvilluar, me ekonomi a ushtri të zhvilluar, por është shtet që gjendet më së shumti në kronikën e zezë të gazetave të botës dhe liderët e tij rendin të dalin në fotografi me liderët e botës duke paguar shumë dollarë. Nuk ka fuqi, ndikim as besueshmërinë e duhur Shqipëria që të relatojë apo rekomandojë Kosovën në organizma ndërkombëtare apo organizata të Kombeve të Bashkuara se po ta kishte atë fuqi do ta bënte, nuk e ka ndalë askush Shqipërinë që ta bënte atë deri sot”, vlerësoi analisti.
Sipas tij, Kosova nuk duhet të mbajë shpresa te Shqipëria, por te zhvillimi i saj dhe Amerika.
“Kosova nuk duhet të mbajë shpresat tek Shqipëria, por tek zhvillimi i saj i brendshëm dhe tek Amerika që është sponsori politik e ushtarak i Kosovës. Shqipëria vetëm duhet lutur që të mos ndikojë që në Kosovë të zgjasin duart organizatat ekstremiste fetare dhe të mos importojë modelin qeverisës të saj në Kosovë. Prania e Shqipërisë dy vjet në Këshillin e Sigurimit, do të jetë gjë e mirë se shumë shtete që nuk dinë asgjë për Shqipërinë, do të kujtojnë se Shqipëria është shtet i fortë, dhe kjo do të jetë një reklamë e mirë për Shqipërinë”, deklaroi Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.