Shtetet e Bashkuara të Amerikës javë më parë kanë vendosur ka vendosur sanksione ndaj grupit kriminal ndërkombëtar serb të Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radojiçiqit me seli në veri të Kosovës.
Derisa të mërkurën sanksione shtesë i kanë vënë edhe kreut të “Republika Srpskas”, Milorad Dodik, pasi ky i fundit, muajt e fundit ka intensifikuar përpjekjet për shkëputje dhe destabilizim të Bosnje e Hercegovinës.
Përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se nuk do të hezitojnë shfrytëzimin e mekanizmit të sanksioneve për të çuar mesazh të fortë për personat e korruptuar dhe për ata që destabilizojnë rajonin.
Po ashtu, Escobar ka thënë se liderët ne Ballkanin Perëndimor duhet të punojnë për interesin e qytetarëve dhe jo për përfitime personale apo të partive të tyre.
Se do të ketë emra të njohur nga Kosova, Serbia dhe rajoni që do të përfshihen në listën e zezë të SHBA-së, e ka thënë edhe Daniel Server, profesor në Universitetin John Hopkins në Uashington.
Këto vendime për sanksione po i konsideron si të mirëpritura, Ramazan Bekteshi, publicist dhe veprimtar në SHBA.
Bekteshi: Shenja serioze për një qasje të re ndaj problemeve në Ballkan
Në një prononcim për “Bota sot”, Bekteshi ka thënë se këto janë shenja serioze për një qasje të re të problemeve në Ballkan me theks të veçantë në Kosovë të administratës Biden.
“Vendimin e Departamentit të Thesarit të ShBA-së për të futur në listë e zezë grupin e paprekshëm të krimit të organizuar në veri të Kosovës që dyshohet se në rrjetin e vet ka pasur të përfshirë edhe politikanë nga Prishtina e Beogradi është një veprim shume i mirëpritur. Veprimi inkurajues që vjen nga Uashingtoni krahas edhe dy nominime vetë dy ambasadorëve premtues, Hill dhe Hovenier si dhe Gabriel Eskobarin, të dërguarin i ri amerikan për Ballkanin Perëndimor, janë shenja serioze për një qasje të re të problemeve në Ballkan me theks të veçantë në Kosovë të administratës Biden”, ka potencuar Bekteshi për “Bota sot”.
Ai ka thënë se, tashmë fjalën e ka drejtësia e Kosovës që këtij grupi kriminel t’ia pamundësojë veprimin e mëtutjeshëm, dhe t’ua konfiskoj pasurinë e paligjshme.
“Ky veprim amerikan është aq i nevojshëm për Ballkanin perëndimor për ti delegjitimuar bizneset dhe bosët që deri tani kanë qenë të patrazuar, të paprekshëm, bilës të mbrojtur edhe nga politika në këmbim të ndarjes së profitit dhe paqes së rrejshme”, ka nënvizuar Bekteshi.
Ai ka shtuar se vë vitin 2022 hymë me shpresë se lista e zezë e SHBA-ve do ta shkëpusë zinxhirin e krimit të organizuar në Ballkan, që Rama dhe Vuçiq duan ta zgjerojnë dhe të kenë kontroll ashtu si e kontrollojnë krimin në vendet e tyre respektive.