“Marrëveshja e fshehtë me Vuçiqin”/ Analisti flet për tradhtinë që iu bë Kosovës nga Hashim Thaçi

Politika

“Marrëveshja e fshehtë me Vuçiqin”/ Analisti flet për tradhtinë që iu bë Kosovës nga Hashim Thaçi

Nga: N. Sh. Më: 7 janar 2022 Në ora: 20:53
Aleksander Vuçiq dhe Hashim Thaçi

Repubika e Kosovës dhe Serbia akoma janë larg një marrëveshjeje përfundimtare.

Kryeminsitri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka muaj të tërë që nuk kanë zhvilluar asnjë takim në Bruksel.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë se për të vazhduar dialogu dhe për t’u arritur marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet që kjo e fundit ta njoh Kosovën.

E më këtë nuk pajtohen liderët politik në Serbi.

Është thënë se Kosova në mandatin e kryeminsitrin Kurtit dhe presidentit Amerikan, Joe Biden që mund të arrijë marrëveshjen me Serbinë, por deri më tani, gjasat për të ndodhur diçka e tillë janë të pakta.

Megjithatë, presionet ndërkombëtare mund të ndryshojnë qëndrimet në të dyja anët.

Për analistin politik, Gani Qarri një marrëveshje përfundimtare brenda këtij viti janë të pakta.

“Sado që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shpreson për një marrëveshje me Serbinë brenda mandatit të vet qeverisës dhe atij të presidentit amerikan, duke pasur parasysh qëndrimet agresive dhe pretendimet e hapura territoriale të Serbisë okupatore, ndaj tokave të Republikës së Kosovës, nuk shoh mendësi reale për një arritjen brenda një viti, të marrëveshjes obligative gjithëpërfshirëse Kosovë Serbi”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Analisti shprehet se, para se të vazhdojë çfarëdo lloj bisedimi me Serbinë, Kosova duhet ta shfuqizojë urgjentisht marrëveshjen tradhtare të asociacionit një etnik serb dhe ti dënojë në mënyrën më të rëndë, autorët e nënshkrimit të saj.

“Ky dënim të jetë si akt më i rëndë i tradhtisë kombëtare kundër shtetit të pavarur të Kosovës, kur dihet se edhe stagnimi i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, daton që nga momentet kur u shfaq kjo ngrehinë e shpifur serbe dhe kërkesa për ndarjen e Kosovës nga kuislingu Hashim Thaçi, si dhe aventurat e tij për lëvizjen e kufijve dhe këmbimet territoriale me Serbinë, sipas marrëveshjeve të fshehta me Vuçiqin”, thekson ai.

Ai potencon se, Qeveria aktuale, po bënë përpjekje maksimale për nxjerrjen e Kosovës nga inferioriteti.

Sipas tij, vendosja e bisedimeve në binar të dy shteteve të barabarta dhe trajtimi i Kosovës si shtet i pavarur në dialog, në mënyrë që vendi ynë, të mos vazhdojë të trajtohet edhe më tutje, si "krahinë" e Serbisë, “nivel në të cilin e pati lëshuar renegati Hashim Thaçi duke i vënë pavarësisë tonë, fusnotën dhe kthyer Kosovën në vend me status të pa përfunduar e neutral”.

“Krejt kjo bëhet, me qëllimin e vetëm, që dialogu me Serbinë përfundimisht të kthehet në dialog ndërmjet të dy shteteve të pavarura dhe të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme, e cila në përfundim të saj, të mos sjellë ndarjen dhe copëtimin e Kosovës, por një marrëveshje gjithëpërfshirëse sipas vlerave demokratike evro-perëndimore, me njohje reciproke ndërmjet të dy vendeve. Duke pasur parasysh qëndrimet ekstreme të Vuçiqit dhe mos heqjen e Kosovës, as nga preambula e Kushtetutës së Serbisë, pritjet për arritjen e marrëveshjes, për këtë vit, jo vetëm që nuk janë aspak reale, por as tensionet ndërmjet Vuçiqit dhe z. Kurti është e vështirë të kthehen, për kohë të shpejt në normalitet”, pohon ai.

Sipas tij, në mënyrë që të paktën, brenda tri viteve të ardhshme të arrihet përfundim i bisedimeve me një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të duhej, që nga vet SHBA, të kushtëzohej afati kohor, brenda mandatit të mikut më të madh të shqiptarëve, presidentit të SHBA-ve z. Joe Biden, si dhe atë të udhëheqëses gjermane të Komisionit Evropian zonja Ursula von der Leyen, e cila edhe ajo, njëjtë si kancelarja Merkel, njihet si dashamirëse dhe mbështetëse e Kosovës.

“Përndryshe, të përballur me kërkesat ekstremiste të Aleksandër Vuçiqit për bosnjëzimin me çdo kusht të Kosovës dhe krijimin edhe të një "republika srpska" në truallin e Republikës tonë, përderisa mijëra shqiptarëve në Kosovën Lindore, që nga Medvegja deri në Bujanoc e Preshevë, Serbia vazhdon t`ua pasivizojë masovikisht edhe adresat në shtëpitë dhe trojet e veta autoktone, dialogu nuk mund të vazhdojë kështu, nëse me ndihmën e SHBA-ve dhe të BE-së, nuk vendosen në binar të barabartë dhe zhvillohen mbi bazën e parimeve të reciprocitetit edhe të drejtat e pakicave kombëtare, në të dy shtetet”, shton tutje Qarri.

Analisti shprehet e, mosndërhyrja e Serbisë në punët e brendshme të Kosovës, si dhe vendosja e rendit dhe e ligjit edhe në veri të Kosovës, janë shumë me rëndësi për Kosovën.

Sipas tij, pas vendosjes në listën e sanksioneve nga SHBA, të bandave kriminale serbe dhe udhëheqësve të krimit të organizuar në veri, Kosova duhet të ngulë këmbë për arrestimin e personave dhe bandave të kriminalizuara, për shtrirjen e shtetit të së drejtës dhe çlirimin e veriut të vendit, nga kriminelët.

“Po ashtu, ballafaqimi me të kaluarën, kërkim falja për krimet e gjenocidin,si dhe dëmshpërblimi për shkatërrimet masive gjatë luftës, nga Serbia në Kosovë, janë të domosdoshme, në mënyrë që të kemi stabilitet të vërtetë dhe paqe të qëndrueshme e afatgjate në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor, të cilat janë shumë jetike, jo vetëm për dy popujt, por për gjithë rajonin. Ndaj Kosova as që guxon ta lejojë krijimin edhe të një Serbie të vogël, brenda territorit të Republikës së Kosovës, e cila do ta bënte defunksionalizimin e tërësishëm të shtetit tonë të brishtë, përderisa edhe vet Gjykata Kushtetuese deklaron se asnjëri prej shtatë kapitujve të të ashtuquajturit asociacion i komunave serbe, nuk është në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe bie në kundërshtim të hapur me plot 23 nene të saj”, thotë Qarri.

Kështu që, sipas tij, Republika e Kosovës duhet të shprehet e gatshme të bisedojë vetëm si dy shtete të barabarta.

“Në këtë mënyrë Kosova si e barabartë me Serbinë duhet të bisedoj për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe jo të diskutoj me Serbinë për çështjet e brendshme dhe rregullimin e saj shtetërorë, kur dihet se që nga korriku i vitit 2010, statusi shtetëror dhe Pavarësia e Kosovës edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si organi më i lartë juridik i OKB-së, janë vulosur pakthyeshëm, përjetësisht dhe njëherë e përgjithmonë”, përfundon Gani Qarri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat