Shqipëria ka nisur mandatin dyvjeçar si anëtare e Këshillit të Sigurimit në OKB.
Por, pavarësisht se deklaratat janë që do ta ndihmojnë dhe Kosovën në anëtarëisme në organizata ndërkombëtare dhe sigurim të njohjeve të reja, nuk dihet sa mund të ketë shpresa për këtë.
Të paktën kështu mendon analisti Rexhep Shahu, i cili thotë se nuk duhet shpresuar te Shqipëria.
Ai mendon se anëtarësimi e pasuron CV-në e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, por kjo nuk e përmirëson jetën e shqiptarëve.
“Shqipëria u bë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së me mandat dy vjeçar. Kjo veç e pasuron CV-në e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, por kjo nuk e përmirëson jetën e shqiptarëve, nuk e përmirëson demokracinë, as nuk i konsolidon liritë e të drejtat e njerëzve në Shqipëri, varfëria përsëri do të jetë ulëritëse, mungesa e ujit të pijshëm do të jetë alarmante, qeverisja do të jetë skandaloze, mafia do të pastrojë para dhe malet me plehra do të jenë sërish miniera floriri”, ka thënë ai.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/January/09/auto_850x636_850x636_Rexhep-Shahu161472078716229729271641713268.jpg)
Sa i përket çështjes së Kosovës, ai vlerëson se Shqipëria është lokomotivë e vogël për ta tërheqë trenin me Kosovën dhe nuk ka fuqi e as ndikim.
“Sa i përket pyetjes se a do të ndikojë Shqipëria ta avancojë çështjen e Kosovës duhet thënë se Shqipëria është lokomotivë e vogël për ta tërheqë trenin me Kosovën, pasi Kosova është peshë më e rëndë se Shqipëria në arenën ndërkombëtare. Shqipëria këtu ka qenë qe 100 e sa vjet shtet, këtu ka qenë këto dy dekada që është shtet Kosova dhe nuk ka pasur as ka fuqi që të çelë dyer ndokund për Kosovën, sepse nuk është shtet vetë që i ka të çelura dyert e politikës e diplomacisë nëpër kancelari, nuk është shtet i fortë, demokratik, i zhvilluar, me ekonomi a ushtri të zhvilluar, por është shtet që gjendet më së shumti në kronikën e zezë të gazetave të botës dhe liderët e tij rendin të dalin në fotografi me liderët e botës duke paguar shumë dollarë. Nuk ka fuqi, ndikim as besueshmërinë e duhur Shqipëria që të relatojë apo rekomandojë Kosovën në organizma ndërkombëtare apo organizata të Kombeve të Bashkuara se po ta kishte atë fuqi do ta bënte, nuk e ka ndalë askush Shqipërinë që ta bënte atë deri sot”, vlerësoi analisti.
Sipas tij, Kosova nuk duhet të mbajë shpresa te Shqipëria, por te zhvillimi i saj dhe Amerika.
“Kosova nuk duhet të mbajë shpresat tek Shqipëria, por tek zhvillimi i saj i brendshëm dhe tek Amerika që është sponsori politik e ushtarak i Kosovës. Shqipëria vetëm duhet lutur që të mos ndikojë që në Kosovë të zgjasin duart organizatat ekstremiste fetare dhe të mos importojë modelin qeverisës të saj në Kosovë. Prania e Shqipërisë dy vjet në Këshillin e Sigurimit, do të jetë gjë e mirë se shumë shtete që nuk dinë asgjë për Shqipërinë, do të kujtojnë se Shqipëria është shtet i fortë, dhe kjo do të jetë një reklamë e mirë për Shqipërinë”, deklaroi Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.