Plani serb për destabilizim të situatës në Ballkan tashmë ka filluar. Kohëve të fundit, në Bosnjë dhe Hercegovinë ka tentime për ta ndarë këtë shtet.
Lidhur me këtë situatë, njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka dhënë një paralajmërim se ç’po mundohet të bëjë Serbia në Kosovë.
“Sanksionet e SHBA-ve ndaj liderit serb në Republikën e Bosnjes nuk janë të mjaftueshme, sepse pavarësisht sanksioneve, paralajmërimeve shteti i Bosnjës është jo funksional, saktësisht buzë ndarjes, e që politika në Serbi po mundohet që përmes asociacionit të ndajë Republikën e Kosovës, më një mini-autonomi, që edhe Ballkani jo të jetë vatër e destabilizimit”, ka thënë ai.
Më tej, Krasniqi ka thënë se sanksionet do ta gjunjëzonin politikën serbe dhe se Kosova do të ishte më e qetë.
“Çdo sanksion nga SHBA-ja, BE-ja apo edhe siç priten sanksione nga Britania e Madhe, politikën serbe do ta gjunjëzojnë dhe që edhe republika e Kosovës do të jetë më e qetë duke mos pasur në tryezën e ndërkombëtarëve ide të cilat e dëmtojnë sovranitetin e shtetit tonë”, ka theksuar ai.
Po ashtu, ai e ka drejtuar gishtin nga bashkësia ndërkombëtare për veprimet e Dodikut.
“Gabimet e Bashkësisë Ndërkombëtare i kanë dhënë këtë rehati Dodikut, i cili nga pozita e tij në Bosnje po e kërcënon tërë Ballkanin”, ka deklaruar Krasniqi për “Bota sot”