“Veriu i Kosovës i mbushur me vrasës!”/Vjen thirrja për Qeverinë Kurti

Politika

“Veriu i Kosovës i mbushur me vrasës!”/Vjen thirrja për Qeverinë Kurti

Nga: A.M Më: 9 janar 2022 Në ora: 20:20
Polici i Kosovës

Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës organizoi aksionin e zbulimit dhe konfiskimit të pajisjeve për minim të kriptovalutave.   

Në këtë aksion në afërsi të fshatit Trebice të komunës së Leposaviqit u konfiskuan 272 nga këto lloj pajisjesh dhe është arrestuar një person. Gjithë aksioni u zhvillua dhe përfundoi pa incidente.   

Aksione të këtilla në veri të vendit kanë filluar të jenë më të shpeshta nga ana e qeverisë Kurti.  

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi i ka mbështetur aksionet e policisë në veri të Kosovës.   

Ai u shpreh se në këtë pjesë të vendit po organizohen krime të ndryshme kundër Kosovës, të cilat po udhëhiqen nga Qeveria e Beogradit.  

Image
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi

“Janë shumë normale veprimet e Policisë së Kosovës në Veri të Republikës. Atje, që nga pas lufta, e kemi një organizim të sofistikuar, të përkrahur dhe të mbrojtur nga Qeveria në Beograd.  

Nëpërmjet kontrabandës dhe krimit është financuar dhe financohet "Lista Serbe". Po kështu po organizohen krimet e ndryshme kundër shtetit. Me mjete të tilla financiare ishte organizuar veprimtaria me emrin "Rojet e Urës". Me paratë e kontrabandës dhe kriptovalutave u organizua bllokada e rrugës në Jarinje dhe Bërnjak, në shtator të vitit 2021”, deklaroi juristi.  

Gjithashtu, Kelmendi potencoi se nga krimi dhe kontrabanda po i shkaktohen Kosovës dëme milionëshe, kryesisht nga kriptovalutat.  

“Dëmet që i bëhen Kosovës nëpërmjet krimit dhe kontrabandës janë të mëdha, ato shkojnë me qindra milionë.  

Të dhënat flasin se nga kriptovalutat e konfiskuara mbi 120 mijë euro në muaj shpenzime i bëhen Kosovës me rrymë. E këto mjete i ka paguar çdo herë Republika e Kosovës nga buxheti i vetë”, theksoi ai.  

Në vazhdim, ai paralajmëroi se veriu është i mbushur me njerëz të krimit; është i mbushur me vrasës dhe asnjë nga kriminelët nuk është arrestuar.  

“Mësohet se nëpërmjet veriut financohen shumë firma tregtare private në Kosovë me mallëra të ndryshme nga Serbia. Këtu është edhe baza e kontrabandës dhe e krimit me qeniet njerëzore dhe me drogën që qarkullon nga Serbia nëpër Ballkan.  

Veriu është i mbushur me njerëz të krimit; është i mbushur me vrasës etj., janë vrarë shumë veta në veri dhe askush nuk është arrestuar.   Edhe sot janë mbi 12 mijë banesa dhe prona të shqiptarëve të uzurpuara dhe familjet e shqiptarëve nuk lejohen të kthehen te shtëpitë e tyre”, nënvizoi Kelmendi.  

Më tej, juristi kërkoi që institucionet e vendit të jenë prezente 24 orë, në mënyrë që mos të lejohen veprime për interesa politike të shtetit serb.  

“Krimi, korrupsioni dhe kontrabanda nuk luftohen me aksione sporadike. Shteti duhet të jetë prezent në veri 24 orë. Nuk lejohen veprime dhe intervenimet sporadike për konsum politik.  

Kush është përgjigjur për veprën penale të bllokimit të rrugëve në Jarinje dhe në Bërnjak?  

Kush është përgjigjur për kontrabandë me mallrat e ndaluara serbe?  

Kush është përgjigjur për krimet me kriptovalutat?  

Kush është përgjigjur për vrasjet?  

Kush është përgjigjur për ndjekjet nga shtëpitë e shqiptarëve dhe uzurpimin e tyre?  

Asnjë njeri!”, tha ndër të tjera ai.  

Krejt në fund, Kelmendi vlerësoi se  krimi në veri është i intensitetit të lartë, derisa “Lista Serbe është organizatore e krimit në Veri të Kosovës. Këtë e udhëheqë qeveria nga Beogradi.  Këto janë tashmë të qarta”.  

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat