Para disa ditëve Komanda Amerikane e Forcave Speciale në Europë ka njoftuar për vendosjen e një shtabi të Forcave të Operacioneve Speciale në Tiranë.
Lajmi është konfirmuar nga Gjeneral Major David Tabor, komandanti i Komandës së Operacioneve Speciale në Europë, me bazë në Stutgart të Gjermanisë.
Këtë lajm e bëri me dije edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e cila ka rishpërndarë në Tviter një njoftim të Komandës Evropiane të SHBA-ve, ku thuhet se një shtab pararojë i SOCEUR-it, do të ngrihet në Shqipëri me rotacion.
“Komanda e Operacioneve Speciale në Europë (SOCEUR) njoftoi se një shtab pararojë do të ngrihet në Shqipëri, me rotacion. Selia e re u bë e mundur falë mbështetjes së jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Mbrojtjes si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për rritjen e aftësive të Forcave të Operacioneve Speciale, si një gur themeli për stabilitetin rajonal”, thekson Yuri Kim.
Pas ambasadores këtë veprim e ka përshëndetur edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e falënderoi ambasadoren amerikane në Tiranë.
“Vetë komanda amerikane specifikoi se ngritja e këtij Shtabi u mundësua si rrjedhojë e bashkëpunimit të qeverisë shqiptare”, u shpreh Rama.
Por, ky akt padyshim që është një arritje shumë e madhe për Shqipërinë, mirëpo a paraqet ndonjë rrezik? Flasin për “Bota sot”, ekspertët e sigurisë.
Shala: SHBA dëshmoi edhe njëherë që është përkrah kombit Shqiptar
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që ky vendim është historik dhe do të rrisë kapacitetet operacionale, gjithashtu do të rrisë më tej fuqinë për t’ju kundërpërgjigjur të gjitha ndikimeve ruse.
Drizan Shala
“Ky vendim është një vendim historik, pasi jo vetëm që do të rrisë prestigjin e forcave tona speciale në aleancë, por do të rrisë ndjeshëm ndërveprueshmërinë midis forcave të operacioneve speciale në rajon, do të përmirësojë procedurat e vendimmarrjes, planizimit dhe ekzekutimit të misioneve speciale, do të rrisë kapacitetet operacionale të inteligjencës, do të rrisë më tej fuqinë për t’ju kundërpërgjigjur të gjitha ndikimeve ruse, aleatëve të tyre dhe ndikimeve të tjera antiperëndimore në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë”, u shpreh ai.
Shala më tej thotë se, SHBA-ja me këtë vendim po tregon se po vazhdon të mbështesë kombin Shqiptar në përgjithësi.
“Ky është një lajm shumë i mirë pasi konfirmon në vazhdimësi rëndësinë që SHBA-të i kushtojnë ushtrisë shqiptare, por në të njëjtën kohë edhe mbështetjes së kombit Shqiptar në përgjithësi, duke e kthyer Shqipërinë në një qendër ekspertize të sigurisë rajonale në drejtim të kapaciteteve SOF në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ky është pikërisht momenti më i mirë që në rolin e vëzhguesit në këtë komandë të ftohen edhe një grup oficerësh nga FSK-ja, se duhet të fillojnë përgatitjen për krijimin e njësisë së Forcave të Operacioneve Speciale”, thotë Shala.
Por si erdhëm deri këtu?
Në bisedë e sipër, eksperti i sigurisë Shala parashtron pyetjen se si ishte kronologjia e këtij procesi, duke vazhduar përmend edhe prezencën me kontingjente luftarake të forcave speciale në zona operacionesh në kuadër të komandave operacionale të NATO-s në Afganistan.
“Integrimi i plotë i Republikës së Shqipërisë në NATO, përmbushja e detyrimeve dhe angazhimeve që rrjedhin nga anëtarësimi, veçanërisht ato të Forcave të Armatosura, prezenca me kontingjente luftarake të forcave speciale në zona operacionesh në kuadër të komandave operacionale të NATO-s në Afganistan, Irak apo dislokime të mundshme të ardhshme të Task-Forcave Tokësore të Forcave të Operacioneve Speciale (SOLTG), reformimi i tyre drejt një force të armatosur tërësisht profesioniste, të gatshme dhe të përgatitur ushtarakisht për realizimin e misionit të tyre kushtetues, reduktimi i kontributeve sasiore dhe rritja e atyre cilësore në NATO, etj., i vendosin Forcat Speciale Shqiptare në një rol të ri organizimi dhe angazhimi”, potencon eksperti i sigurisë.
Shala kërkon sa më shpejt të kontribuohet një plan i mirëfilltë investimi për forcat speciale të Kosovës në përgjithësi.
“Duke analizuar aktorët dhe faktorët që ndikojnë në procesin e përdorimit të forcave speciale në tërësi, gjykoj se duhet sa më shpejtë të konturohet një plan i mirëfilltë investimi. Një përqasje më e mirë konceptuale, strukturore dhe e vartësisë operacionale të Forcave të Operacioneve Speciale Shqiptare (ROS), e parë si pjesë e një mozaiku më të gjerë në mjedisin e ri strategjik të sigurisë dhe të mbrojtjes, të rreziqeve dhe kërcënimeve rajonale dhe globale, në mbështetje të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në realizimin e misionit të tyre kushtetues dhe përmbushjes së angazhimeve dhe detyrimeve si anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO)”, thotë ai.
Në fund, ai shpreson që ky angazhim i këtij lloji në rajon të kontribuoj në reformimin e strukturës së forcave speciale shqiptare.
“Shpresoj që ky angazhim/vlerësim i pari i këtij lloji në rajon dhe jo vetëm, të kontribuojë në reformimin e strukturës së forcave speciale shqiptare, me rekomandime për një strukturë më operacionale dhe të ndërveprueshme me forcat speciale të NATO-s, mbi një arkitekturë të re, përmirësime konceptuale, strukturore etj.”, përfundoi Shala për “Bota sot”.
Tërnava: Vendosja e Shtabit të forcave speciale në Shqipëri, hapë pozitiv edhe për Kosovën
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, i cili u shpreh se vendosja e NATO-s në Shqipëri duhet të vlerësohet si hapë pozitiv për Shqipërinë.
Hajrullah Tërnava
Sipas tij kjo vendosje është një hap i rëndësishëm edhe për Kosovën.
“Situatat e sigurisë të kohërave të tanishme lidhen edhe me ata më të fuqishmit të botës dhe meqë tani aleanca e NATO-s, është e themeluar nga shtetet më të zhvilluara të botës, është e kuptueshme se një fuqi botërore sikur në këtë rast shtabi operacional i NATO-s në Shqipëri, gjithsesi duhet të vlerësohet si hap pozitiv për Shqipërinë dhe rolin e saj në aleancën e NATO-s, e pse jo edhe për vetë Kosovën. Kjo mënyrë e të vepruarit nga ana e Aleancës kështu, tani na shkon edhe neve në favor, e sidomos në këto situata sikur që është e kërcënuar nga shteti i Serbisë, e kur dihet se në shumë raste edhe ushtria e Kosovës (FSK), në shumë raste merr pjesë në stërvitje të përbashkëta me këtë aleancë, dhe aty ku e kërkon nevoja është në disponimin e NATO-s, dhe ka aspirata që në një kohë sa më të shkurtër të anëtarësohet në këtë aleancë”, u shpreh ai.
Më tej, eksperti i sigurisë thotë që kjo lëvizje e NATO-s vjen si shkas i armatimit të vazhdueshëm të Serbisë nga Rusia dhe synon ta destabilizojë Ballkanin.
“Kjo lëvizje e aleancës së NATO-s, është në hapë me kohën dhe si rezultat i vështrimeve dhe aftësive të kësaj aleance që i bënë, kur e vlerëson situatën e sigurisë globale botërore, prandaj nëse zhvillohen politika nxitëse gjeostrategjike nga ato shtete, të cilat një kohë të gjatë i shkaktojnë këto konflikte regjionit sikur në këtë rast, Serbia, e cila pranë situatave armiqësore që është e rrethuar me shtetet fqinje, Serbia vazhdon të furnizohet me armatim ushtarak nga Rusia dhe Kina, si rezultat i kërcënimeve ndaj shteteve, që është në marrëdhënie konfliktuoze, destabilizuese me ato shtete dhe të cilave shtete në mënyra të ndryshme dhe permanente iu kërcënohet edhe me luftë”, thotë Tërnava.
Në bisedë e sipër ai shton që Serbinë që nga vitet e ’90-ta po e udhëheqin politikan të ngjashëm me Milosheviqin, prandaj edhe po mbajnë Ballkanin me kërcënime.
“Problemi i situatës së tillë politike në Serbi, qysh nga lufta e deri më tani qëndron se shtetin e Serbisë edhe në këto kohëra të këtyre viteve të pasluftës, sikur në ato vite ‘90-‘99 po e udhëheqin të njëjtit politikan që në ato kohëra të Millosheviqit, po këta politikanë kanë qenë bashkëpunëtorë shumë të ngushtë të Millosheviqit, prandaj kjo situatë e pashpresë po zgjatë me dekada të tëra dhe nuk bëhet asnjë përparim. Prandaj, edhe po këta që e udhëheqin sot Serbinë, mendojnë ta mbajnë situatën e tillë me kërcënime dhe momente konfliktuoze, duke e bindur popullin serbe se vetëm Rusia është miku i tyre i përbetuar, kurse të tjerët shtete janë armiq të tyre”, thotë Tërnava për “Bota sot”.