Tërnava: Vendosja e Shtabit të forcave speciale në Shqipëri, hapë pozitiv edhe për Kosovën

Politika

Tërnava: Vendosja e Shtabit të forcave speciale në Shqipëri, hapë pozitiv edhe për Kosovën

Nga: M.H. Më: 10 janar 2022 Në ora: 20:38
Hajrullah Tërnava

SHBA-të kanë vendosur ditë më parë që në Shqipëri të sjellin shtabin e Forcave të Operacioneve Speciale në Tiranë.

Lajmi është konfirmuar nga Gjeneral Major David Tabor, komandanti i Komandës së Operacioneve Speciale në Europë, me bazë në Stutgart të Gjermanisë.

Këtë lajm e bëri me dije edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e cila ka rishpërndarë në Tviter një njoftim të Komandës Evropiane të SHBA-ve, ku thuhet se një shtab pararojë i SOCEUR-it, do të ngrihet në Shqipëri me rotacion.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, i cili u shpreh se vendosja e NATO-s në Shqipëri duhet të vlerësohet si hapë pozitiv për Shqipërinë.

Sipas tij kjo vendosje është një hap i rëndësishëm edhe për Kosovën.

Situatat e sigurisë të kohërave të tanishme lidhen edhe me ata më të fuqishmit të botës dhe meqë tani aleanca e NATO-s, është e themeluar nga shtetet më të zhvilluara të botës, është e kuptueshme se një fuqi botërore sikur në këtë rast shtabi operacional i NATO-s në Shqipëri, gjithsesi duhet të vlerësohet si hap pozitiv për Shqipërinë dhe rolin e saj në aleancën e NATO-s, e pse jo edhe për vetë Kosovën. Kjo mënyrë e të vepruarit nga ana e Aleancës kështu, tani na shkon edhe neve në favor, e sidomos në këto situata sikur që është e kërcënuar nga shteti i Serbisë, e kur dihet se në shumë raste edhe ushtria e Kosovës (FSK), në shumë raste merr pjesë në stërvitje të përbashkëta me këtë aleancë, dhe aty ku e kërkon nevoja është në disponimin e NATO-s, dhe ka aspirata që në një kohë sa më të shkurtër të anëtarësohet në këtë aleancë”, u shpreh ai.

Më tej, eksperti i sigurisë thotë që kjo lëvizje e NATO-s vjen si shkas i armatimit të vazhdueshëm të Serbisë nga Rusia dhe synon ta destabilizojë Ballkanin.

Kjo lëvizje e aleancës së NATO-s, është në hapë me kohën dhe si rezultat i vështrimeve dhe aftësive të kësaj aleance që i bënë, kur e vlerëson situatën e sigurisë globale botërore, prandaj nëse zhvillohen politika nxitëse gjeostrategjike nga ato shtete, të cilat një kohë të gjatë i shkaktojnë këto konflikte regjionit sikur në këtë rast, Serbia, e cila pranë situatave armiqësore që është e rrethuar me shtetet fqinje, Serbia vazhdon të furnizohet me armatim ushtarak nga Rusia dhe Kina, si rezultat i kërcënimeve ndaj shteteve, që është në marrëdhënie konfliktuoze, destabilizuese me ato shtete dhe të cilave shtete në mënyra të ndryshme dhe permanente iu kërcënohet edhe me luftë”, thotë Tërnava.

Në bisedë e sipër ai shton që Serbinë që nga vitet e ’90-ta po e udhëheqin politikan të ngjashëm me Milosheviqin, prandaj edhe po mbajnë Ballkanin me kërcënime.

Problemi i situatës së tillë politike në Serbi, qysh nga lufta e deri më tani qëndron se shtetin e Serbisë edhe në këto kohëra të këtyre viteve të pasluftës, sikur në ato vite ‘90-‘99 po e udhëheqin të njëjtit politikan që në ato kohëra të Millosheviqit, po këta politikanë kanë qenë bashkëpunëtorë shumë të ngushtë të Millosheviqit, prandaj kjo situatë e pashpresë po zgjatë me dekada të tëra dhe nuk bëhet asnjë përparim. Prandaj, edhe po këta që e udhëheqin sot Serbinë, mendojnë ta mbajnë situatën e tillë me kërcënime dhe momente konfliktuoze, duke e bindur popullin serbe se vetëm Rusia është miku i tyre i përbetuar, kurse të tjerët shtete janë armiq të tyre”, thotë Tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat