Mosarritja e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, po penalizon shtetin e Kosovës të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare.
Një marrëveshje me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve, do t’i shtronte rrugën Kosovës drejt anëtarësimit apo përafrimit të saj me organizatat e mekanizmat kryesorë sot në botë.
Përveç kësaj, Kosova së fundmi po përballet edhe me një ndikim nga shteti i Rusisë.
Në lidhje për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, e cila njëkohësisht është kryetare e Komisonit për Integrime Evropiane.
Ajo thotë Kosova i plotëson të gjitha kushtet të jetë pjesë e NATO-s dhe se kjo duhet që sa më shpejt të ndodh për vendin tonë.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin që të bëhemi pjesë e infrastrukturës globale të sigurisë dhe të kontribuojmë për paqe. Konsideroj se Kosova i plotëson të gjitha kushtet që të bëhet pjesë e NATO-s dhe një gjë e tillë sa më parë që të ndodhë, është më mirë për vendin tonë”, u shpreh deputetja.
Sipas saj, institucionet duhet të bëjnë maksimumin për t’i bërë ballë ndikimit rus në Ballkan dhe të bashkëpunojnë me SHBA-të dhe BE-në.
“Çështja e ndikimit rus në Ballkan siç edhe jeni në dijeni është e shprehur në masë të madhe në vitet e fundit dhe se ka pasur tendeca për destabilizim, andaj institucionet duhet të bëjnë maksimumin e tyre për t’iu bërë ballë këtyre ndikimeve, gjithmonë në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, me SHBA-të, NATO-n dhe BE-në”, thotë Krasniqi.
Ndërsa, për ndihmën që presidentja Osmani ka kërkuar nga Turqia, ajo thotë se të gjitha institucionet e vendet duhet të angazhohen pasi Kosova ka kapacitet për t’u bërë anëtare e NATO-s.
“Të gjitha institucionet e vendit duhet të angazhohen në mënyrë që Kosova sa më shpejt të antarësohet në NATO, e thash edhe më lartë se si vend i kemi plotësuar të gjitha kapacitetet institucionale, prandaj krahas vendeve të rajonit ballkanik, edhe Kosova ka kapacitet për t’u bërë anëtare i NATO-s”, ka deklaruar deputetja Rrezarta Krasniqi për “Bota sot”.