Sot (11 janar 2022) mbushen 23 vjet nga vrasja makabre e Enver Malokut, veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, udhëheqësit të Qendrës Informative të Kosovës (QIK) dhe kolumnistit të rregullt të gazetës “Bota sot”.
Ishin kohë të vështira, kryengritja për çlirim nga pushtuesi serb kishte marr hov si kurrë më parë. Fryma intelektuale lobonte në vazhdimësi për Kosovën e lirë demokratike dhe të pavarur.
Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim do të luante edhe Qendra Informative e Kosovës (QIK) që udhëhiqej nga Enver Maloku, një intelektual i shquar, krah i Presidentit Ibrahim Rugova.
Shkrimet e tij të fuqishme godisnin të keqen që kishte mbërthyer vendin.
Ishte pikërisht vepra e tij prej intelektuali që do t`ia zinte rrugën njerëzve të ligjë, të cilët për të arritur qëllimet e tyre keqdashëse nuk ia kursyen as jetën.
Më 11 janar të vitit 1999, pak orë pasi në redaksinë e gazetës “Bota sot”, kishte dorëzuar shkrimin e tij të radhës, Enver Maloku u vra para hyrjes së banesës së tij në lagjen “Bregu i diellit”.
Sot (11 janar 2022) mbushen 23 vjet nga vrasja makabre e Enver Malokut, veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, udhëheqësit të Qendrës Informative të Kosovës (QIK) dhe kolumnistit të rregullt të gazetës “Bota sot”.
Ishin kohë të vështira, kryengritja për çlirim nga pushtuesi serb kishte marr hov si kurrë më parë. Fryma intelektuale lobonte në vazhdimësi për Kosovën e lirë demokratike dhe të pavarur.
Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim do të luante edhe Qendra Informative e Kosovës (QIK) që udhëhiqej nga Enver Maloku, një intelektual i shquar, krah i Presidentit Ibrahim Rugova.
Shkrimet e tij të fuqishme godisnin të keqen që kishte mbërthyer vendin.
Ishte pikërisht vepra e tij prej intelektuali që do t`ia zinte rrugën njerëzve të ligjë, të cilët për të arritur qëllimet e tyre keqdashëse nuk ia kursyen as jetën.
Më 11 janar të vitit 1999, pak orë pasi në redaksinë e gazetës “Bota sot”, kishte dorëzuar shkrimin e tij të radhës, Enver Maloku u vra para hyrjes së banesës së tij në lagjen “Bregu i diellit”.
Në 23 vjetorin e vrasjes së Envër Malokut, për gazetën “Bota sot” kanë folur bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, si dhe ata që ia njohën vlerat dhe veprimtarinë e tij kombëtare.
Hamiti: Enver Maloku ishte gazetari kryesor politik në vitet e nëntëdhjeta
![Image](/media/botasot.info/images/2022/January/11/auto_auto_850x600_hamitiii163598060416359812911641885098.jpg)
Prof. dr. Muhamet Hamiti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka shpalosur kujtime nga puna me Enver Malokun në QIK.
Ai ka rikujtuar se Maloku u vra gjashtë muaj pasi kishte shpëtuar nga një atentat në të njëjtin vend, në hyrje të banesës së tij.
“Kam folur jo rrallë për profilin e jashtëzakonshëm njerëzor e profesional të Enver Malokut, i cili u vra më 11 janar 1999, para 23 vjetësh, gjashtë muaj para se të përfundonte lufta dhe Kosova të dilte e lirë, gjashtë muaj mbasi kishte shpëtuar nga një atentat në të njëjtin vend ku më në fund e vranë, në hyrje të banesës së tij në Prishtinë.
Ka qenë gazetari kryesor politik në vitet e nëntëdhjeta, shef i Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), agjencisë së parë të lajmeve të Kosovës, prej vitit 1993. Te QIK-u kam punuar gjatë asaj dekade me Enverin e shumë kolegë të tjerë në kushte të rënda, por me besimin e palëkundshëm se po bënim punë të madhe për të njoftuar për ngjarjet në Kosovë në vitet e luftës për liri e pavarësi gjatë okupimit serb, për ta njohur botën me kauzën e popullit të Kosovës”, deklaroi Hamiti për “Bota sot”.
Kështu profetizoi ai vitin e lirisë 1999
Hamiti theksoi se “mallkim” për jetën e shkurtër të Enver Malokut u bënë besimi, guximi dhe fuqia e tij e argumentit, e cila shqiptohet sidomos te shkrimet e vitit 1998, të kohës së polarizimeve të mëdha ideologjike e politike në vlugun e luftës së Kosovës.
“E kam thënë, dhe po e përsëris, se mallkim për jetën e tij të shkurtër u bënë besimi, guximi dhe fuqia e tij e argumentit, e cila shqiptohet sidomos te shkrimet e vitit 1998, të kohës së polarizimeve të mëdha ideologjike e politike në vlugun e luftës së Kosovës. Enveri ka lënë testamentin e vet, i cili gjendet i ruajtur te “Gjuha e stuhisë”, libër me shkrime të tij që e botuam në vitin 2002, me një parathënie timen. Kështu profetizoi ai vitin e lirisë 1999 në shkrimin e mbramë të vitit 1998 (“Viti i luftës 1998 dhe viti i lirisë 1999”): “Nga viti i luftës 1998, të shpresojmë se po kalojmë në vitin e lirisë 1999. Të gjallët le të jenë të lumtur se janë gjallë, pavarësisht prej dhembjes, pikëllimit e trishtimit... Le të gëzojnë dhe festojnë të gjallët që i pret një vit shumë i vështirë, viti i luftës dhe i lirisë. Gëzuar Vitin e Ri 1999, Vitin e lirisë.”, nënvizon Hamiti.
Hamiti: Kush do ta njohë Enver Malokun, le ta lexojë testamentin e tij!
E sipas Hamitit, të interesuar për t`ia marrë jetën Enver Malokut, ishin Serbia dhe kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës.
“Çka të thuhet sot, 23 vjet mbas shkuarjes në amshim të Enver Malokut, mikut tim, bashkëpunëtorit të afërt të Presidentit Ibrahim Rugova, njeriut të mirë e profesionistit të pacen që punoi me energji të pashtershme në shekullin e tij të shkurtër të punës? Nuk e di si qëndron puna me mundësitë për të gjetur vrasësit apo porositësit e vrasjes së Enver Malokut. Një gjë është e sigurt, me ia marrë jetën e me e nda prej punës së tij të madhe për Kosovën kanë qenë të interesuar Serbia dhe kundërshtarët e Pavarësisë së Kosovës. Kush do ta njohë Enver Malokun, le ta lexojë testamentin e tij!”, përfundon Hamiti.
Zogaj: Enveri është nga themeluesit dhe zëdhënësi më i fuqishëm i LDK-së
![Image](/media/botasot.info/images/2022/January/11/auto_auto_auto_skender-zogaj-645x420156573267616249489011641885099.jpg)
Publicisti Skender Zogaj thotë se Enver Maloku ishte njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe njëkohësisht zëri më i fuqishëm i saj.
“Enver Malokun e kujtoj si njërin nga gazetarët shumë aktivë e të përkushtuar të Radiotelevizionit të Prishtinës, ku u afirmua shumë shpejt, duke treguar zotësi profesionale dhe guxim intelektual, në trajtimin e "tabu" temave, që cenonin identitetin kombëtar, kulturor e historik të shqiptarëve! Si i këtillë u bë pjesë aktive e lëvizjeve të hershme demokratike duke dhënë kontribut shumë të madh intelektual në zgjimin dhe mobilizimin e vetëdijes kombëtare. Rezultat i kësaj fryme ishte formimi i LDK-së, ku Enveri është nga themeluesit dhe zëdhënësi më i fuqishëm i saj”, thotë Zogaj.
Ai ka rikujtuar se Enver Maloku ishte themeluesi dhe udhëheqësi kryesor i Qendrës për Informim të Kosovës, që boton informatorin ditor duke informuar publikun e vendit dhe atë ndërkombëtar për Kosovën e robëruar dhe regjimin gjenocidal serb që po ushtronte me forca policore e ushtarake për ta zhdukur popullin shqiptar.
“Informatori kishte rol të fuqishëm në ndërgjegjësimin e publikut dhe kancelarive diplomatike ndërkombëtare që, ta kuptojnë realitetin dhe të vendosin për intervenim ushtarak për çlirimin e Kosovës”, është shprehur ai.
Zogaj: Enver Maloku u vra për ta ndaluar fjalën e lirë të shprehjes të së vërtetës!
Sipas Zogajt, puna e bën Enver Malokun njërin nga bashkëpunëtorët kyç të Presidentit Ibrahim Rugova, të cilit i qëndron besnik i përbetuar.
Ai ka potencuar se Enver Maloku dhe shumë veprimtarë të tjerë të LDK-së, si Xhemail Mustafa, Smajl Hajdaraj, Ismet Rraci, Shaban Manaj, Sebahate Tolaj, komandant “Drini”, Ukë Bytyçi etj., u vranë nga kundërshtarët ideologjik të strukturuar në grupe kriminale.
“Dhe kjo është njëra nga arsyet kryesore që kundërshtarët ideologjik të strukturuar në grupe kriminale, t'ia shuajnë jetën. E vrasin për t'ia ndaluar fjalën e lirë të shprehjes së të vërtetës! Këto qarqe kriminale për fat të keq pas luftës arrijnë të kapin shtetin dhe, për realizimin e përfitimeve personale, vrasin bijtë dhe bijat më të devotshme atdhetare: Enver Malokun, Xhemail Mustafën, Smajl Hajdarajn, Ismet Racin, Shaban Manajn, Sebahate Tolajn, komandant “Drinin”, Ukë Bytyçin, etj.etj. vrasjet e të cilëve janë pengu i lirisë së Kosovës që nuk po guxon të zbulojë dhe të dënojë vrasësit e bijve të saj më të mirë! Drejtësia kosovare ka dështuar, prandaj, Gjykata Speciale mbetet shpresa e radhës për zbardhjen e vrasjeve dhe njohjen e rrënjëve të strukturave kriminale, të cilat ia vrugëtuan bukurinë lirisë së Kosovës”, përfundoi Zogaj.
Bajraj: Enver Maloku, martir i përcjelljes të së vërtetës absolute
![Image](/media/botasot.info/images/2022/January/11/auto_auto_auto_auto_auto_tygh1558383120_11567341824161268648416180005121641885100.jpg)
Ndërkaq, veprimtari Fatmir Bajraj, thotë për gazetën “Bota sot” se Enver Maloku ishte intelektuali që ëndërroi, foli, punoi dhe u vra për lirinë e Kosovës.
“Vrasja e Tij me atentat me 11 janar të vitit 1999, ngriu zemrat, por gjakoi lirinë e Kosovës në agun e saj, vetëm gjashtë muaj para çlirimit definitiv dhe ‘invadimit’ triumfal të trupave çlirimtare të Aleancës Veriatlantike të NATO-s, në krye me Amerikën.
Ai nuk e priti lirinë e Kosovës për të cilën u martirizua deri në flijim sublim, duke mos u ligështuar dhe as dorëzuar para stuhisë së furtunave të kohës, të cilave u bënte ballë me guximin e pashoq atdhetar dhe qëndrimin e palëkundur deri në përmbushjen e misionit fisnik, çlirimin e Kosovës dhe pavarësimin e saj”, potencoi Bajraj.
Ai tha se Enver Maloku u vra mizorisht në prani të fëmijëve dhe gruas, në pabesi në atentatin e dytë të organizuar, pak muaj pas të parit, por nga e njëjta dorë armike-gjakatare.
“Martir i përcjelljes së vërtetës absolute përmes gazetës së mbrëmjes, "Informatori", për Kosovën dhe shqiptarët në etnikumin gjenetik dhe përtej tij, në qendrat e vendosjes ndërkombëtare edhe në tri gjuhë botërore: angleze, gjermane dhe frënge.
Hero i parë i fjalës së lirë dhe gazetarisë bashkëkohore, për guximin intelektual të spikatur në kohë të rënda okupimi dhe para syve të regjimit kriminal dhe gjenocidal të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Milosheviq”, shtoi Bajraj.
Ai potencoi se Qendra për Informim e Kosovës (QIK-u), shefi së cilës ishte Enver Maloku që nga themelimi i tij në fillim të viteve të '90-ta dhe deri te vrasja e tij, bëri një punë kolosale në pasqyrimin dhe përhapjen e së vërtetës për Kosovën të shkaktuar nga regjimi i egër kriminal dhe i aparteidit serb në Kosovën martire dhe në kërkim të lirisë.
Sipas tij, Maloku u vra sepse ishte bashkëpunëtor besnik i Presidentit historik Ibrahim Rugova, anëtar i LDK-së dhe i Këshilli i Përgjithshëm i saj që nga Kuvendi i III i saj i Përgjithshëm i vitit 1998.
“Enver Maloku, nuk u vra pse ishte shqiptar, as pse ishte thjesht gazetar e publicist, nuk u vra as pse ishte letrar dhe kritik i spikatur dhe i shquar i letërsisë, bilës nuk u vra as pse ishte roker e kitarist i mirë, por u vra sepse ishte bashkëpunëtor besnik i Presidentit historik Rugova, anëtar i LDK-së dhe i KP të saj që nga Kuvendi i III i saj i Përgjithshëm i vitit 1998.
Enveri i u vra, për fjalën e shkruar dhe mesazhin e saktë, për bindjet politike dhe mendimin e guximshëm, për idetë dhe qytetarinë unikale, plotë dije, guxim e vizion”, shton Bajraj.
Kush ishin vrasësit e Enver Malokut dhe pse Gjykata Speciale mbetet shpresa e vetme për zbardhjen e kësaj vrasjeje?
Më tej Fatmir Bajraj ka folur edhe rreth urdhërdhënësve të vrasjes së Enver Malokut.
“Urdhërdhënësit e vrasjes së Enverit dhe vrasjeve tjera politike në Kosovën e çliruar, ishin në Rambuje, më pas në të vetëquajturën QPK, SHIK dhe në kapje të shtetit të Kosovës në mbi dy dekada si "krah i luftës”.
Një pjesë vogël (në miniaturë), nga kjo Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale (NPK) gjendet prapa grilave në Gjykatën Speciale të Kosovës me seli në Hagë, por shumica prej syresh janë të lirë dhe të sofistikuar në piramidën e shtetit të kapur dhe me sistem të asfiksuar të Drejtësisë. Gjykata Speciale, shpresë e vetme dhe e fundit!”, thekson ai.
Bajraj thekson se familja e Enver Malokut dhe qytetarët e Kosovës, ende presin zbardhjen e vrasjes së tij, të qindra të tjerëve të vrarë nga e njëjta, “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.
Shpresat janë se Dhomat e Specializuara të Kosovës në Gjykatën Speciale, të zbardhin, kapin dhe ndëshkojnë kriminelët, satisfaksion për familjet e të vrarëve, qytetaret dhe të ardhmen e vendit, peng i të cilave ka mbet sot e gjithë ditën. Nderim të përjetshëm, veprës jetësore të Enver Malokut”, përfundon ai.