Janë bërë 23 vite që kur mbeti i vrarë Enver Maloku, ish kreu i Qendrës Informative të Kosovës dhe bashkëpunëtor i ish presidentit, Ibrahim Rugova.
Maloku u vra më 11 janar 1999, pak metra prej banesës së tij në Breg të Diellit, ku u qëllua për vdekje në sytë e gruas dhe të fëmijëve, gjersa ndërroi jetë pas pak minutash në spitalin e Prishtinës.
E kur kanë kaluar 23 vite nga ky akt makabër, vrasja e Enver Malokut ka mbetur një enigmë e pa zbuluar.
Në 23 vjetorin e vrasjes së Malokut, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Nexhat Haziri, sipas të cilit, kjo vrasje ishte një goditje për lëvizjen e shqiptarëve për çlirimin nga okupatori serb.
“Vrasja e gazetarit dhe publicistit Enver Maloku para 23 viteve, vlerësohet të jetë si një nga vrasjet më të rënda që ka goditur lëvizjen e shqiptarëve të Kosovës për çlirim nga okupimi serb dhe pavarësinë e Kosovës, në kohën kur veç çështja e Kosovës kishte marrë preokupimin e fuqive më të mëdha botërore, dhe kjo falë edhe aktivitetit të pashoq të gazetarit Maloku dhe punës së tij në QIK, që sensibilizoi opinionin kombëtar e ndërkombëtar mbi zhvillimet e ngjarjeve të asaj kohë në Kosovë dhe rreth saj”, thotë Haziri.
Sipas tij, vrasja e Enver Malokut ka qenë vrasje e paramenduar, dhe për këtë përgjegjës është “Shtabi i Rognerit”.
“Dhe padyshim se puna dhe angazhimi i Enver Malokut në këtë mision, ka qenë arsyeja e vetëm që i ka penguar disa qarqe brenda shqiptare nga i ashtuquajturi “krahu i luftës”, të cilët tentonin të vrisnin çdo zë, çdo informatë mbi aktivitetet e institucioneve paralele të shtetit të Kosovës në atë kohë të udhëhequra nga presidenti historik i Kosovës dhe LDK-ja. Pra edhe vrasja e lajmëtarit të lirisë së Kosovës, gazetarit dhe publicistit Enver Maloku, ka qenë vrasje e paramenduar, vrasje politike për ta dobësuar ndikimin e presidentit historik dr. Ibrahim Rugova dhe të njerëzve rreth tij gjatë dhe pas luftës, pasi linja marksiste-leniniste që ishin tubuar rreth të ashtuquajturit ''Shtabi i Rognerit'' e më vonë e ashtuquajtura Qeveria e Përkohshëm e Hashim Thaçit, tentuan që ta kenë dhe ta mbajnë një lloj monopoli mbi çlirimin dhe lirinë e Kosovës”, shprehet Nexhat Haziri për gazetën “Bota sot”.
Më tej, ai tregon dy dëshmitarët kyç që dinin për vrasjen e Enver Malokut, të cilët sipas Hazirit, të dy u vranë që të humben gjurmët.
“Ka dyshime të bazuara pasi përmendën edhe disa emra, se vrasja e Enver Malokut është bërë në bashkëpunim edhe me ish-punëtor apo inspektor shqiptar të shërbimit të sigurimit serb. Vrasja e ish- punëtorit të sigurimit serb I.K në vitin 1999, ishte bërë për të humbur gjurmë për vrasjen e Enver Malokut, pasi “ish-sigurimsi” dinte për vrasjen e gazetarit Maloku se nga kush ishte urdhëruar dhe kush e kishte kryer ekzekutimin. Poashtu edhe një nga dëshmitarët në Gjykatën e Hagës, ish-punëtor i sigurimit serb F.S, i cili u gjet i vdekur në mal në rrethana të pasqaruara një vit më parë, ka qenë dëshmitar kyç i Gjykatës Speciale, edhe për vrasjen e gazetarit Enver Maloku, pra për vrasjen e këtij të fundit janë të implikuar edhe njerëz (shqiptar) që punonin për sigurimin serb”, deklaron Haziri.
Haziri shton se vrasja e Malokut nuk është zbuluar, pasi pushtetin e morën në dorë ata që ishin të implikuar në këtë vrasje.
“Se pse deri më tani nuk është zbardhur ky rast, mendoj se ka qenë mungesë e vullnetit politik qoftë nga koha e administrimit nga UNMIK-u, por edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kur institucionet e shtetit kaluan tërësisht në duart e atyre që dyshohen si të implikuar në vrasjet politike në Kosovë, pra edhe të Enver Malokut”, shprehet Haziri.
Për fund, Haziri thekson se Gjykata Speciale do ta zbardh vrasjen e ish kreut të QIK-ut, Enver Maloku.
“Unë besoj shumë se vrasja e gazetarit dhe publicistit Enver Maloku do të zbardhet nga Gjykata Speciale, pasi për një gjë të tilla ka fakte e dëshmi të dhëna apo të deponuara në këtë gjykatë që do të jenë vendimtare që urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e vrasjes së Enver Malokut të marrin dënimin e merituar”, përfundon për “Bota sot”, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Nexhat Haziri.