Kriza energjetike në Kosovë si duket e përshpejtoi procesin e luftimit të prodhimit të kriptovalutave.
E, gjithë kjo ka ardhur pas rekomandimeve të Komitetit Teknik për Masat e Emergjencës në Furnizimin e Energjisë, i cili u formua së fundmi nga vet Ministria e Ekonomisë.
“Duke u bazuar në rekomandimet e Komitetit Teknik, i cili u themelua javën e fundit të dhjetorit 2021 për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”, kam marrë vendimin për Masa të Emergjencës përmes të cilit ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar ministrja Artanë Rizvanolli.
Policia e Kosovës ka zhvilluar aksione kundër prodhimit të kriptovalutave, madje duke i konfiskuar pajisjet.
Konfiskimi i këtyre aparateve është bërë në Prishtinë, Podujevë, Vushtrri dhe Mitrovicën e Jugut.
Sipas disa të dhënave besohet se 0.21 për qind e elektricitetit të mbarë botës harxhohet vetëm për të fuqizuar ‘minierat’ e Bitcoin-it apo për prodhimin e Bitcoinit shpenzohet energji po aq sa Zvicra e përdorë atë brenda një viti.
Ahmeti: Tregtimi me kriptovaluta nuk është veprimtari ilegale
Lidhur me këtë ka folur eksperti i ekonomisë, Bardh Ahmeti, i cili thotë se për të shmangur shtrenjtimin e energjisë apo reduktimet, duhet patjetër të kursehet energjia elektrike.
Bardh Ahmeti
“Në rrethana të krizës energjetike globale që po kalojmë, me theks të veçantë në vendin tonë, ku kapacitetet prodhuese i kemi shumë të limituara, me infrastrukturë të vjetërsuar të Kosova A dhe Kosova B, duket se institucionet po arrijnë të kursejnë energjinë elektrike. Duke qenë shumë të varur nga importi i energjisë, kur kemi shtrenjtim të çmimit të energjisë deri në 5 herë në disa vende të rajonit, për të shmangur shtrenjtimin e energjisë apo reduktimet, duhet patjetër të kursehet energjia elektrike. Personalisht në fillim kam qenë skeptik që do të mund të lokalizoheshin dhe ndalohej prodhimi, sidomos aty ku punohet në ilegalitet dhe keq shfrytëzohet energjia elektrike, nuk janë doganuar pajisjet e prodhimit, nuk paguhet tatimi në fitim, me theks në veri të vendit, mirëpo nga njoftimet e policisë dhe doganave, po vërehet që ka rezultat”, ka thënë ai.
Sipas tij, prodhimi i kriptovalutave nuk është veprimtari ilegale, madje muajt e fundit kemi pasur fushata intensive të Administratës Tatimore të Kosovës për deklarimin e fitimit që vie nga aktiviteti me kriptovaluatat.
“Vendimet në situata të jashtëzakonshme, sidomos me pandeminë COVID-19, shpeshherë nuk kanë qenë shumë të arsyeshme në logjikën ekonomike, mirëpo janë bërë kufizime, është gjykuar cili është dëmi më i vogël në mes të dy dëmeve të domosdoshme. Prodhimi dhe tregtimi me kriptovaluta nuk është veprimtari ilegale, kemi një nismë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për hartimin e ligjit për kriptovaluta, si dhe muajt e fundit kemi pasur fushata intensive të Administratës Tatimore të Kosovës për deklarimin e fitimit që vie nga aktiviteti me kriptovalutat, sikur çdo aktivitet tjetër ekonomik me synimin e ligjshëm për maksimizimin e fitimit”, shprehet eksperti.
Në fund, ai deklaron se nga Kosova nuk duhet të dërgohen sinjale që jemi kundër trendëve edhe pse kriptovalutat kanë shumë të panjohura dhe janë në zhvillim e sipër.
“Revolucioni industrial që ka në qendër digjitalizimin e ekonomisë, globalizimi në vetvete, është trend global që me patjetër duhet t’i bashkëngjitemi për të qenë konkurrues, prandaj assesi nuk duhet të dërgohen sinjale nga Kosova që jemi kundër trendëve, sado që kriptovalutat ende kanë shumë të panjohura dhe janë në zhvillim e sipër. I vetmi zë pozitiv në bilancin negativ tregtar të Kosovës është ai i shërbimeve, kryesisht shërbimet në teknologji të informacionit. Pra, viteve të fundit më shumë eksportojmë se sa që importojmë shërbime të teknologjisë informative, kryesisht për shkak të të rinjve të shkathët me teknologjinë. Institucionet duhet të fokusohen në stimulimin e ekonomisë digjitale, që krijon vende pune, jo detyrimisht ajo me kriptovaluta, por shërbime të tjera, që krijon qasje në tregjet e huaja dhe shërben si ambasador i mirë i vendit tonë”, përfundon ekonomisti Bardh Ahmeti për “Bota sot”.
Mulaj: Kompanitë të cilat merren me kriptovaluta duhej ta respektonin vendimin e Qeverisë dhe këtë vendim ta atakonin në mënyrë ligjore
Njohësi i çështjeve ekonomike, Ismet Mulaj në një prononcim për “Bota sot” thotë se, qeveria po sekuestron vetëm ato aparatura që vazhdojnë ende të punojnë, e që sipas tij, çdo vendim me të cilin Qeveria krijon barriera në të bërit biznes duhet të atakohet me mjete ligjore.
Ismet Mulaj
“Kompanitë të cilat merren me prodhimin e kriptovalutave do të duhej ta respektonin vendimin e Qeverisë dhe këtë vendim ta atakonin në mënyrë ligjore. Unë po besoj që Qeveria po i sekuestron vetëm ato aparatura që vazhdojnë ende të punojnë. Vendimet e Qeverisë që kanë efekt të menjëhershëm dhe pa një debat publik krijon ambient jo të sigurt në të bërit biznes. Prandaj, çdo vendim i Qeverisë me të cilin ajo krijon barriera në të bërit biznes duhet të atakohet me mjete ligjore”, ka deklaruar Mulaj.
Por, çfarë janë kriptovalutat?
Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain” (shqip: blloqe zinxhirësh).
“Blockchain” është një libër i hapur, i shpërndarë, i cili regjistron transaksionet me shifra.
Në praktikë, është disi si një libër shitblerjeje, që është i shpërndarë nëpër kompjuterë të pafundmë nëpër botë.
Ndryshe nga euroja apo dollari amerikan, nuk ekziston një autoritet qendror që menaxhon dhe ruan vlerën e një kriptovaluteje.
Dëshmia e punës dhe dëshmia e pronësisë janë dy teknika të ndryshme të sanksionimit, që përdoren për të verifikuar transaksionet, para se ato të shtohen në “blockchain”, dhe që i shpërblejnë verifikuesit me më shumë kriptovaluta.
Secili nga kompjuterët pjesëmarrës, të cilëve shpesh i referohen si “minatorë”, zgjidh një detyrë matematikore, e cila ndihmon për verifikimin e një grupi transaksionesh – të cilit i referohen si bllok – dhe më pas e shton atë në regjistrin “blockchain”. I pari kompjuter që e zgjidh detyrën shpërblehet për përpjekjen me një shumë të vogël kriptovalute.
Kjo garë për të zgjidhur detyrat për “blockchain” mund të bëjë që të harxhohet shumë fuqi kompjuterike dhe energji elektrike. Në praktikë, kjo do të thotë se minatorët mezi dalin në fitim me kripton që marrin për verifikimin e transaksioneve, pas llogaritjes së kostos së energjisë dhe të resurseve kompjuterike.
Rreziqet
Shumica e ekspertëve ende mendojnë se investimi në valuta digjitale-kriptovaluta është me rrezik të lartë, pasi tregu është shumë spekulues dhe çmimet kanë lëkundje të jashtëzakonshme.
Peter Palion, i cili është planifikues i certifikuar financiar në Nju-Jork, pohon se është më mirë që të vazhdohet me valuta që mbështeten apo garantohen nga qeveritë, si dollari amerikan etj.
“Nëse keni dollarë amerikanë në rezervat e parave të gatshme, e dini se mund ta paguani kredinë, mund ta paguani faturën e rrymës. Kur i shikon 12 muajt e fundit, Bitcoin duket praktikisht si EKG-ja ime e fundit, ndërsa indeksi i dollarit amerikan është pak a shumë një vijë e njëtrajtshme. Një gjë së cilës i bie vlera për 50 për qind nuk është e përshtatshme për asgjë tjetër, përveç për spekulime”, u ka deklaruar ai mediave amerikane.
Mediat si Radio Evropa e Lirë raportojnë se shitblerja e pajisjeve për prodhim të kriptovalutave po bëhet edhe në aplikacionin ‘Telegram’.
“Kam filluar qe më shumë se 6 muaj të prodhoj kriptovaluta. Për momentin kam një pajisje (Rig 5700xt 6-GPU). E kam blerë 7 mijë euro. Pesë mijë euro i kam marrë kredi për ta blerë. Çdo muaj prej kësaj pajisje i kam fituar 500 deri 600 euro”, thotë njëri prej tyre në kushte anonimiteti.
Të tjerët kanë dëshmuar se ka rënë çmimi i pajisjeve për prodhimin e kriptovalutave, nga 5 mijë euro deri në 2 mijë euro.