Sulmet ndaj Albin Kurtit, Ramush Haradinajt i vjen ‘goditja’ e fortë – kjo është frika e tij

Politika

Sulmet ndaj Albin Kurtit, Ramush Haradinajt i vjen ‘goditja’ e fortë – kjo është frika e tij

Nga: P.R Më: 12 janar 2022 Në ora: 18:23
Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherit ish kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, pothuajse për çdo gjë që ndodhë në Kosovë, merr si shkas që ta sulmojë dhe akuzojë kryeministrin aktual, Albin Kurtin.

Së fundi, Haradinaj e ka fajësuar Kurtin për numrin e madh të qytetarëve që kanë aplikuar për viza pune për të dalë jashtë vendit, konkretisht në Gjermani.

Sipas Haradinajt, qytetarët duan të ikin sepse Qeveria nuk po tregon aftësi për ringjalljen ekonomike.

“Ata duan të ikin sepse qeveria nuk po tregon aftësi për ringjalljen ekonomike, përkundrazi, po e fundosë dita ditës edhe më shumë ekonominë edhe ashtu në krizë. Qeveria e këtij Kryeministri, me politika të majta ekstreme, frikësoi kapitalin vendor duke e nxjerrë jashtë dhe duke u ulur shuma e investimeve. Ajo përpos se nuk e përkrahu, krijoi armiqësi me sektorin privat. Qytetarët po ikin nga vendi sepse kjo qeveri e ky kryeministër po tentojnë që Kosovën ta shndërrojnë në Venezuelë. Me politikat majtiste ekstreme, ngjalljen e sentimentit anti-amerikan, ata po shkojnë rrugës së Chavez-it. Kryeministër, qytetarëve u është vjedhur shpresa përmes tenderomanisë, tenderëve njëburimor, klientelizmit, politizimit të bordeve dhe punësimeve të familjarëve të funksionarëve të partisë suaj. Mbi 50 mijë qytetarë po tentojnë ta braktisin vendin. Ky është një fakt pikëllues, është një alarm për Kosovën. Është tregues se kjo qeveri, nuk ka as vizion, as dije e as veprime qeverisëse”, ka shkruar ndër tjerash Ramush Hardinaj në reagimin e tij të fundit drejtuar ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Por kritika ndaj Hardinajt për qasjen e tij ndaj Kurtit, ka analisti politik, Faton Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

“Ramushit i është “tha kaqepi” siç thotë populli. Nuk po arrin më të ketë tenderë, dreka e darka të shtrenjta; me pak fjalë i është ndal luksi. Pa luks s’ mundet me jetu, kjo gjë e acaron për se tepërmi liderin e AAK, njeriun që e di se e ka të vështirë të vjen në pushtet. Me punën e mirë të Kurtit, jeta në opozitë për AAK vetëm sa do zgjatet më shumë. Bashkë me zgjatjen e qëndrimit të Ramushit në opozitë, bashkë me të po shtohet edhe frustrimi i tij ndaj Albinit. Pres që në të ardhmen vetëm sa do të rritet ky frustrim, me mundësinë që edhe të hidhet gaz lotsjellës në kuvend”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.

Sipas tij, Ramush Haradinaj duhet të japë përgjegjësi për keqpërdorimet gjatë kohës sa kishte qenë në pushtet.

“Aktualisht Haradinaj po e ndjen mungesën e tenderëve, gjë e cila e ka acaruar shumë. Mirëpo, Hardinaj dhe të gjithë ata që kanë arsye për të pasur frikë nuk ndjehen komod nga ç’kapja e drejtësisë. Ky proces ka kohë për të dhënë efektet e saja, megjithatë nën qeverinë Kurti edhe kjo gjë pritet të ndodhë. Realiteti i ri në Kosovë, pa komandantët që ishin në pushtet, ka bërë që këta të fundit të vuajnë këtë gjë. Do të vjen dita, të cilën gjë s’po arrijnë ta besojnë disa, që kushdo që ka keqpërdorur buxhetin e vendit të jap përgjegjësi”, shprehet Mehmeti.

Ai thotë se urgjentisht duhet të ndodhë ç’kapja e drejtësisë në Kosovë, nga e cila nuk do të shpëtonin as të fortit të politikes.

“Urgjentisht të shkundet drejtësia e kapur, një drejtësi e mirëfilltë do të vë para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë bërë veprime në kundërshtim me ligjin. Nga kjo s’do të mund të shpëtonin as " të fortit" të cilët në shfrytëzuan autoritetin e tyre për të vënë shtetin me shpinë pas murit. Pazaret me tokat janë nder veprimet më të rënda që kanë dëmtuar ekstremisht shumë shtetin, të cilat duhet të hetohen. Afera "toka" do të vinte para drejtësisë Lushtakët, Haradinajt, Thaçët, Sylajt etj, të gjithë nën sloganin e UÇK-së, kanë zhvatur pasuritë e vendit për përfitime personale”, deklaron Mehmeti.

“Mirëpo, kjo s’do të ndodh derisa në drejtësi kemi akoma njerëz të kupolës së "Pronto" e të cilët duhet të shkarkohen, një drejtësi e pavarur do qoj prapa grilave të gjithë ata që kanë zhvatur pasuritë e vendit”, përfundon për gazetën “Bota sot” analisti politik, Faton Mehmeti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat