Aksioni i fundit i Policisë së Kosovës në nëntë lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë, përfshirë edhe disa zyra të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për rastin “Brezovica“, po shihet si sinjal shprese se në Kosovë do të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Policia e Kosovës më 6 janar ka arrestuar shtatë persona, përfshirë edhe zyrtarë të kësaj ministrie, nën dyshime të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit. Në mesin e të arrestuarve, të cilëve u është caktuar nga Gjykata Themelore e Ferizajt nga një muaj paraburgim, gjendet edhe Bedri Halimi, kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Arben Çitaku, ish-sekretar i përgjithshëm i kësaj ministrie. Policia ka njoftuar se operacioni ishte vazhdimësi i atij të nisur më 21 dhjetor të vitit të kaluar për dyshime për ryshfet dhe keqpërdorim të detyrës së disa zyrtarëve, lidhur me veprat penale të korrupsionit me ndërtimet në Brezovicë.
Sipas ekspertit të çështjeve të sigurisë Hajrullah Tërnavës, luftimin e krimit dhe korrupsionit, qeveria aktuale e kiishte temë kryesore në tubimet me qytetarët dhe si rrjedhojë del se ajo “po e mban fjalën“ me të tilla aksione.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/January/12/auto_850x636_auto_Untitled162045944416216951121642012870.jpg)
“Kjo Qeveri që është tani në pushtet, në periudhën parazgjedhore temë kryesore në tubimet me elektoratin kishte se do ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, dhe krimin në përgjithësi, prandaj edhe i fituan votat mbi 50%. Tani që veç po i bën 10 muaj në pushtet, sikur po shihet është duke e mbajtë fjalën e dhënë elektoratit, gjë që këtë elektorati shumë e çmon. Nëse don kjo Qeveri të mbetet gjatë në pushtet gjithsesi duhet që t'iu përmbahet atyre premtimeve“, ka thënë Tërnava në një bisedë për gazetën “Bota sot“.
Ish-zëvendësministri i Brendshëm më tej ka kritikuar zyrtarët e arrestuar për korrupsion në rastin “Brezovica“ se kanë keqpërdorur postet e tyre të larta me paga të majme, për të kryer vepra kriminale. Sipas tij, dënimi ndaj tyre duhet të jetë i pamëshirshëm.
“Aksioni i drejtuar në Ministrinë e Bujqësisë për rastin Brezovica, po e dëshmon se krimi do të luftohet në përgjithësi e sidomos tani kur me aksionin e fundit u burgosën një numër i konsideruar i zyrtarëve të lartë, për ryshfet dhe korrupsion. Kur bëhet fjalë për burgosjet e njerëzve që kanë kryer vepra të tilla të përfitimeve, sidomos për ryshfet dhe korrupsion që ato poste ua kanë mundësuar t'i kryejnë ato vepra kriminale si të besuesshmit e asaj ministrie, dënimet ndaj tyre duhen të jenë të pamëshirshme, sepse vetëm në këtë mënyrë në realitet luftohet krimi i organizuar, e sidomos kur po ata të punësuar në ato administrata shtetërore që i kanë edhe rrogat e larta dhe të merren me këto veprime kriminale, nuk duan koment“, është shprehur Hajrullah Tërnava.
Ai më tej ka akuzuar ish-qeveritarët se kanë vepra penale nëpër institucione shtetëror, me qëllim pasurimin e tyre. Si rrjedhojë e krimit, Tërnava ka theksuar se Kosova tani është vendi më i izoluar në bota, pasi Bashkimi Evropian nuk po i liberalizon vizat për qytetarët e Kosovës.
“Tani Kosova në këtë gjendje në të cilën gjendet si vendi më i izoluar në botë, si shkak është që qeveritarët e deritashëm nuk i kanë luftuar të këqijat kriminale që ndodheshin nëpër institucionet e shtetit të Kosovës, përkundrazi tani me këto veprime po dëshmohet se ata paskan pasur qëllimin e pasurimit të tyre, prandaj Kosova u bë shembull për të keq dhe nga shtetet e BE-së iu mbyllen dyert, me pretekst deri ta luftojë krimin e organizuar në mënyrë të pamëshirshme, dhe kur të bindet BE-ja se në të vërtetë në Kosovë po luftohet krimi në përgjithësi, atëherë ka mundësi që Kosovës t'i hapen dyert e BE-së si shteteve të tjera deri më tani. Ne jemi tani i vetmi shtet që nuk kemi as liberalizim të vizave, kurse qëllimi i qytetarëve tonë është të anëtarësohemi në BE dhe të jemi anëtarë të barabartë me të gjitha shtetet e BE-së“, ka potencuar eksperti i sigurisë për “Bota sot“.
Tërnava ka kërkuar që të shmangen komentet për personat e arrestuar se “s'është dashur të burgosën”, pasi sipas tij, njerëzit me kontribut të pastër, nuk do të zhyteshin në krime. Ai ka thënë se nuk duhet të bëhen dallime pasi çdo qytetar është i barabartë para ligjit.
”Institucionet për luftimin e krimit në përgjithësi e kanë këtë detyrë të përditshme me kompetencat që ua mundëson ligji dhe nëse në realitet do t'i përdorin këto kompetenca për aty ku ka dyshime se është në pyetje krimi, Kosova në të ardhmen do të përmendet dhe lavdërohet si shtet ligjor. Tani po ka komente për persona që “s'është dashur të burgosën”, sepse ata kanë emra pozitivë në popullatë për kontributet e tyre në të kaluarën, këtyre fjalëve duhet t'iu shmangemi dhe mos të merremi me to, sepse po ata njerëz me kontribut të pastërt kurrsesi nuk duhet t'ia lejojnë vetes që të zhyten në krime, por tërë jetën duhen të jenë krenarë me pastërtinë e tyre njerëzore dhe për kontributin që e kanë dhanë, prandaj çdo qytetar para ligjit është i barabartë dhe nuk kanë dallime mes vetes përkundrazi, ata kontributdhënësit ishte dashur të jenë në çdo kohë të pastërt dhe shembull para popullit, vetëm në këtë mënyrë do ta arsyetonin veten dhe autoritetin e tyre”, ka thënë më tej Hajrullah Tërnava për gazetën.
Ai vlerëson se qeveria aktuale po jep sinjale shprese se do të vazhdojë me veprime të pastrimit të krimit në Kosovë.
”Mjaft më me tipat komandantë se “unë e kam çliruar Kosovën” dhe tash ata po u dashka çfarë të duan të bëjnë sikur kanë bërë që tani e kanë sjellë në këtë gjendje të mjerueshme këtë Kosovën tonë, që tani ka mbetur si shteti më i izoluar në botë. Prandaj, tani jemi këtu ku jemi dhe e vetmja shpresë që po i jep disa sinjale për luftimin e shumë të këqijave që janë bërë këtij shteti, është kjo Qeveri në pushtet dhe shpresoj se do të vazhdojë me këto veprime të pastrimit nga krimi i kësaj Kosove deri në fund, me mandatin katërvjeçar sikur që është i paraparë deri në fund, e që asnjë qeveri nga çlirimi deri më tani nuk e ka përballur këtë afat”, ka shtuar për ”Bota sot” Hajrullah Tërnava.
Autoritetet e gjyqësisë dhe rendit njoftuan se kanë ngrirë afër 6 milionë euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, nga të pandehurit e përfshirë në "Brezovica". Prokurori i çështjes, Rasim Maloku ka thënë se shuma e ngrirë, dyshohet se është përfituar përmes veprave penale./Botasot