Ballkani i tensionuar sërish. Serbët siç duket do të jenë promotorët e një lufte të re. Jehona e vullnetit për luftë të përgjakshme është shprehur sërish. Jo më vetëm nga qytetarë të thjeshtë, por edhe nga njerëz trupa të uniformuara serbe në Republikën e Bosnje Hercegovinës, përkatësisht në entitetin e Republikës Serbe.
Njësitë ushtarake formacione të rregullta që po konsiderohen paramilitare, pasi po paraqiten si ushtri e Republikës Serbe, dhe jo të Bosnjës, kanë marshuar të dielën nëpër rrugët e Banja Llukës, kryeqytetit të Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë, ku këndonin këngë ultranacionaliste serbe.
Një frymë lufte e paparë, që synon ta ndezë jo vetëm Bosnjën, por edhe Kosovën.
“Serbë ka aq shumë sa ka edhe gjethe, nuk ka më komunistë. Për kryq, për kryq, Nemanjiq, për lavdi, për lavdi, Obiliq”, këndonin ata.
Po ashtu kjo ngjarje zhvillohej në prani liderit të kësaj Republike Milorad Dodikut dhe ambasadorit rus, ndërsa pas tyre qëndronin edhe kriminel të luftës, si Viko Pandureviç.
Ata kënduan edhe këngë të tjera të popullarizuara tek serbët, për pushtimin e Prizrenit- pra Kosovës, të Dubrovnikut- Kroacisë, Cetinjen- Malin e Zi.
Në një mënyrë të ngjashme i filloi luftërat në ish-Jugosllavi Millosheviçi. Ai këngët dhe ankesat e rrejshme për padrejtësi ndaj serbëve i filloi në Kosovë.
“Nacionalistët etnikë serbë këndojnë së bashku me një këngë popullore serbe (ende e kënduar / duartrokitur në shfaqjet kryesore të talenteve serbe). Kënga u bën thirrje serbëve të pushtojnë Prizrenin (🇽🇰), Dubrovnikun (🇭🇷), Cetinjen (🇲🇪), Nevesinjen (🇧🇦). Një thirrje rrëqethëse që, deri në vitet 1990, i parapriu gjenocidit”, ka shkruar shkrimtari dhe studiuesi Georgio Konstandi, duke iu referuar këngëve serbe të kënduara në shumë qytete në Bosnje, por edhe në Serbi, si në Novi Pazar, një qendër e Sanxhakut, që dominohet nga gjaku shqiptarë.
Por, Republika Serbe nuk mund të fillonte provokimet dhe përpjekjet për ndarje nga Bosnja, pa përkrahjen e Serbisë, dhe projektin e saj për krijimin e ‘botës serbe’, që është sinonim i Serbisë madhe.
Kelmendi: Lufta për botën serbe (kryqin serb) është rrezik për shqiptarët
Muhamet Kelmendi
Profesori Muhamet Kelmendi në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se lufta për kryqin është duke u zhvilluar qe 20 vjet edhe nga kisha serbe me liturgjinë se “Kosova është nëna e Serbisë”.
“Teoria ideopolitike e shtetit serb është krijuar shumë herët, por ka marrë dimensionin e vet, kryesisht në kohën e Millosheviçit. Ai pati deklaruar: "Aty ku jeton një serb në Jugosllavi është Serbi". Me këtë ide u zhvillua lufta në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë, në Kosovë. Po me këtë ideologji u veprua edhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi. Tash, kjo "botë serbe" nëpërmjet "luftës për kryq", ka të njëjtin qëllim, atë të realizimit të shtetit të madh serb në Ballkan. "Lufta për kryq" është duke u zhvilluar tash e 20 vjet, pas luftës së fundit në Kosovë nga kisha serbe. Në çdo liturgji nga priftërinjtë serbe dëgjohen: “Kosova është nëna e shtetit serb" apo "Nuk mund të lëshohet në duar të shqiptarëve kisha e Car Dushanit" ose "Kosova është djepi serb" apo "Në Kosovë është trashëgimia kishtare serbe", ka thënë ai etj.
Sipas tij, e gjitha kjo udhëhiqet nga një qendër që gjendet në Beograd dhe ka përkrahje nga Rusia dhe Kina.
"Ideologjia e tillë udhëhiqet nga një qendër serbe. Ajo gjendet në Beograd dhe përkrahet fortë dhe ashpër nga Rusia dhe Kina. Po me këtë ideologji, krimineli Dodik po vepron në Bosnje e Hercegovinë. Mbi bazën e tillë u organizuan demonstrata në Mal të Zi. Në Kosovë veprohet me armë, me krim të organizuar, me kishë dhe me bllokime të rrugëve e të qyteteve. Kudo po del lufta për "kryq" në luftë për shtetin e madh serb. Ideologjia e tillë me qëllim ka kaluar tërësisht te feja. Kjo, në njërën anë dhe, në anën tjetër, veprimet politike të shtetit serb, kuptohet ndaj shteteve të tjera, si dhe armatimi i madh dhe i gjithanshëm i Serbisë, përbënë rrezik permanent për luftë të re në Ballkan”. Serbia e di se me "luftën për kryq" nuk realizohet ideja e vjetër serbe për shtetin e madh serb. Mirëpo, kjo po iu shërben për të ngritur racizmin nacional fashist serb ndaj popujve të tjerë të Ballkanit. Kështu është ngritur urrejtja serbe ndaj shqiptarëve, kroatëve boshnjakëve e të tjerëve. Deri edhe urrejtja ndaj malazezëve. Jashtë kanë mbetur sllavomaqedonët, të cilët nga Serbia konsiderohen të shtetit të tyre”, deklaron profesori.
Ai më tej thekson se realizimi i kësaj ideje nuk bëhet lehtë, andaj serbët po blejnë armë nga Rusia e Kina, por që potencon se tehu i parë i konfrontimit është Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, e po ashtu priten çrregullime edhe në Malin e Zi.
“Ideja "ku është një serb - është Serbi" e Millosheviçit ka zënë vend te pasardhësit e tij, te kriminelët Vuçiq e Daçiq, sikundër edhe te kisha serbe, në Kosovë, në Mal të Zi dhe në Bosnje e Hercegovinë. Për atë është lansuar ideja e "botës serbe". Kjo nuk është asgjë tjetër, përveç ideja e kamotshme: "Ku është një serb - është Serbi". Realizimi i kësaj ideologjie serbe nuk bëhet lehtë. Nuk realizohet me "luftën për kryq". Ajo bëhet me bashkëveprim të "luftës për kryq" me luftën e armatosur. Për këtë po armatoset shteti serb me armë nga Rusia dhe Kina. Ato nuk blihen a dhurohen për shtetin serb për zogj, por për luftë kundër shqiptarëve dhe boshnjakëve, mundet edhe kundër malazezëve e kroatëve. Këtu është qëllimi i klikës raciste serbe. Tehu i parë i konfrontimit është Kosova dhe Bosnja e Hercegovina. Priten çrregullime edhe në Malin e Zi”, përfundon profesori Kelmendi për “Bota sot”.
Qarri: Kosova po shkon drejt lindjes me veprimet e saj dhe këtë Serbia e ka nuhatur
Gani Qarri
Analisti Gani Qarri në një bashkëbisedim për “Bota sot” thotë se Kosova po e humb simpatinë e perëndimit.
“Në Kosovën e sotme, me këto gjëra të çuditshme konfrontohet përditë, mbarë bota, e cila edhe sot vijon ta mbrojë Kosovën nga invadimi serb, me ushtarë, staf administrativ dhe përfaqësuesit e vet shtetëror, frustrimi i të cilëve ka nis të reflektohet hapur në një numër të konsideruar shtetesh të huaja, dhe nuk është larg mendsh, që kjo të jetë njëra prej arsyeve kryesore, pse vetëm Kosova, edhe sot të mos gëzojë liberalizimin e vizave, pasi që vendet si Holanda, Belgjika, Franca etj, të cilat kanë edhe vet shumë probleme me ekstremizmin islamik, shohin publikisht orientimin e Kosovës drejt lindjes. Kështu që duke përcjellë me vëmendje zhvillimet, kundër vlerave evropiane, të cilat kanë marrë shumë hov në Kosovë, shteti okupator serb, e ka nuhatur mirë dëshpërimin e madh të atyre vendeve që bombarduan Serbinë, për të na çliruar neve si shqiptar nga okupimi serb, kështu që frikën e tyre, për ri-osmanizimin e përditshëm të Kosovës, në mes të Evropës, dëshiron ta përdorë edhe këtë mundësi që ia ka krijuar vet Kosova, për rikthimin e saj nën okupimin e Serbisë”, thotë ai.
Në fund, analisti specifikon se Kosova e ka në dorë të zgjedhë a do t`ia ofrojë mundësinë Serbisë, që në emër të rrezikut fetar, të riokupohet sërish apo do ta mbrojë lirinë dhe sovranitetin e vet, duke e ndarë shtetin nga feja dhe rivendosjen e sistemit laik.
“Pra sot, Kosova e ka vet në dorë, të zgjedhë se a do t`ia ofrojë mundësinë Serbisë, që në emër të rrezikut fetar, ta ri okupojë sërish vendin tonë, me miratimin e vet fuqive të mëdha të dëshpëruara me shqiptarët mosmirënjohës, apo do ta mbrojë lirinë dhe sovranitetin e vet, që e ka fituar me kaq shumë gjak e mundi, duke ndarë shtetin nga feja dhe rivendosjen e sistemit laik, në këtë pjesë të vogël, por të rëndësishme të Evropës, e cila pas gjithë ndihmës që na ka dhënë, vërtet nuk mund ti tolerojë përgjithmonë teket tona anakronike dhe anti-kohë, që nuk përkojnë me përkatësinë tonë kombëtare as gjeografinë ku jetojmë, si vend dhe popull autokton”, përfundon Gani Qarri.