Të dielën në Serbi do të mbahet referendum kushtetues. Qeveria e Kosovës ka deklaruar se nuk mund të mbahet votimi me qendra votimi, por vetëm me postë ose në përfaqësinë e Serbisë në Kosovë, edhe kjo vetëm nga serbët që e kanë dyshtetësinë.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se qytetarët serbë në Kosovë kanë të drejtë ta ushtrojnë votën e tyre gjatë referendumit për ndryshimet kushtetuese në Serbi dhe se për mund të ndihmojë OSBE-ja në grumbullimin e votave, sikurse ka ndodhur në të kaluarën.
“Dje kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq lidhur me grumbullimin e votave në Kosovë për referendumin kushtetues që mbahet të dielën në Serbi. Grumbullimi i votave në të kaluarën është bërë me lehtësimin e OSBE-së. Qytetarët duhet të jenë në gjendje që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit”, ka thënë Borelli përmes një postimi në Twitter.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti thotë se gjatë bisedës me Borellin ka kundërshtuar një gjë të tillë dhe se referendumi i një shteti tjetër sovran është praktikë e papranueshme në një shtet demokratik.
"Gjatë një bisede me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borellin unë shpreha qëndrimin tonë: Serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë. Referendumi i një shteti tjetër në një territor sovran nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë shtet demokratik”, ka thënë Kurti pas bisedës me Borellin.
Edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka bërë thirrje që Kosova t’ua lejojë serbëve në Kosovë që të votojnë më 16 janar në referendumin për ndryshime kushtetuese, duke theksuar se të gjithë qytetarët e kanë të drejtën demokratike për të votuar në zgjedhje dhe procese të tjera zgjedhore.
“Me keqardhje konstatojmë se autoritetet e Kosovës nuk lejuan organizimin e votimit për referendumin”, tha Stano, duke u kërkuar autoriteteve të Prishtinës që të zbatojnë “praktikën mëhershme të votimit të OSBE-së”.
Pas deklaratës së Borellit ka reaguar edhe KMDLNJ-ja, e cila e ka quajtur atë zëdhënës të Vuçiqit.
E përkrahja ndaj Serbisë nga ana e Borrell nuk është asgjë e re. Kjo ndodhë çdoherë kur bëhet fjalë për të dyja shtetet.
Ai mban anë ndaj Serbisë edhe në dialog dhe ka pasur skandale lidhur me Kosovën nga ana e tij.
Por, pse po vazhdon kjo dhe si duhet të veprojë Kosova? A duhet ta ndalojë atë që Borelli e mbështetë për votimin e referendumit serb në Kosovë?
Cakolli: Lejimi i referendumit të Serbisë cenon rendin tonë juridik e kushtetues
Eugen Cakolli nga KDI-ja ka thënë se Kosova nuk duhet ta lejojë votimin e referendumit serb në Kosovë dhe se kjo do ta cenonte rendin tonë juridik dhe kushtetues.
“Kosova assesi nuk duhet të lëshojë pe lidhur me organizimin e referendumit të Serbisë në një pjesë të territorit të Kosovës. Opsionet e përmendura nga Qeveria e Kosovës për votim me postë apo në Zyrën Ndërlidhëse, ndonëse kanë mundur edhe të mos ofrohen fare, janë formë përmes së cilës Serbia detyrohet ta pranojë që nuk ka kurrfarë juridiksioni në Kosovë. Lejimi i procesit të votimit apo qëndrimi indiferent ndaj zhvillimit të tij në çfarëdo forme këtë të diel, do ta cenonte drejtpërdrejtë rendin tonë juridik e kushtetues. Edhe vet praktika e lejimit të organizimit të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, sikur deri në vitin 2020, ka qenë totalisht gabim, e lëre më të tolerohet organizimi i referendumit për çështje të brendshme të një shteti tjetër”, ka shkruar Cakolli në Facebook.
Krasniqi: Borrell po ecën me hapa të gabuar
Islam Krasniqi
Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve juridike Islam Krasniqi, thotë për gazetën “Bota sot” se Borelli mund ta ketë fatin të shkojë si Mogherini, e cila ishte vazhdimisht në anën e Serbisë dhe kundër Kosovës.
“Përfaqësuesit të BE-së z. Borell nuk i intereson e vërteta, mundohet ta trasojë rrugën e ish përfaqësueses së BE-së në dialog znj. Federica Mogherini e cila e kreu misionin e vetë, e dështuar dhe duke anuar gjithmonë nga shteti serb, e cila ju dha mundësinë për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, liberalizimin e vizave, hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, e që qytetarët e Republikës së Kosovës i la të vetëm, të bllokuar”, është shprehur ai.
Sipas Krasniqit, Borelli po ecën me hapa të gabuar dhe deklarata e tij është për të ardhur keq pasi Kosova është Republikë dhe ka një Kushtetutë që e ndalon referendumin e një shteti tjetër.
“Z. Borell ka filluar me hapa të gabuar dhe ashtu po vazhdon e që kjo tregon se me këta përfaqësues nuk ka rezultat apo realizim të arritjes së një marrëveshje - pajtim në mes të dy shteteve. Animi në dialog nga njëra palë e përfaqësuesve të BE-së tregon mos seriozitetin e tyre, sepse deklarata e Borellit është për të ardhur keq, kur ne jemi shtet, kemi një Kushtetutë, e cila e ndalon referendumin, ku ky amandament është përgatitur nga vetë BE-ja dhe Borelli me deklaratën e tij po bie në kundërshtim edhe me ata që e kanë vënë në këtë pozitë”, vlerëson analisti.
Ai shton se Borrell po tregon se nuk e njeh Kushtetutën e Kosovës dhe atij nuk mund t’i besohet si ndërmjetësues.
“Borelli me deklaratat e tij po tregon se nuk e njeh Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si atëherë t’i besojmë që të jetë ndërmjetësues, ato deklarata të tij lidhur me themelimin e Asociacionit në kundërshtim me Kushtetutën, ndryshimet kushtetuese, përkrahja për referendum etj, etj, janë për të ardhur keq”, potencon Krasniqi.
Ai vlerëson se institucionet e Kosovës duhet të kërkojnë llogari për deklaratat e tij dhe se ato janë kërcënim për rajonin.
“Institucionet tona duhet të kërkojnë llogari nga BE-ja rreth deklaratave të tij dhe duhet të kenë parime në këtë pjesë, sepse këto deklarata të Borellit janë edhe një kërcënim për rajonin, sepse kërkesa për referendum mund të zgjerohet në Ballkan dhe askush nuk e di epilogun e gjithë kësaj”, deklaron Krasniqi për “Bota sot”.
Shahu: Kosova të konsultohet me SHBA-të
Rexhep Shahu
Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, thotë se Kosova duhet të konsultohet me SHBA-të.
“Kosova nuk duhet të bëjë asgjë pa u konsultuar me amerikanët, asgjë pa miratimin e amerikanëve”, thotë ai.
Sipas tij, në Evropë mund të gjejnë hapësirë interesat serbe kundër Kosovës pasi ka vende që i besojnë Serbisë që luan rolin e viktimës.
“Në Evropë edhe mund të gjejnë hapësirë interesat serbe që të dominojnë në raport me Kosovën, pasi ka vende evropiane që kanë filluar të mashtrohen prej rolit të sjelljes prej viktime, që e ka ushtruar Serbia, e cila bën çdo gjë të fshehë krimet serbe e të sillet si viktimë, e jo xhelate. Siç ka vende evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën. Ndaj Kosova nuk duhet të bëjë asnjë veprim politik e diplomatik pa u këshilluar me amerikanët që janë sponsorët e kësaj Kosove siç është, e lirë dhe e pavarur”, deklaron Shahu për gazetën “Bota sot”.