Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin vazhdimit e ka një person që e kritikon dhe akuzon herë pas herë për vendimet e saj.
E ky padyshim që është kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili mund të themi se po mundohet të bëjë opozitarizëm, madje i vetëm, pasi dy partitë e tjera LDK-ja dhe PDK-ja kanë zgjedhur të heshtin.
Në bërjen e opozitarizmit të PDK-së dhe LDK-së duket se kanë ndikuar reformat e tyre të brendshme dhe tentativat për rikthimin e elektoratit të tyre.
Derisa, këto dy subjekte në fokus i kanë politikat e brendshme të tyre, Haradinaj i AAK-së fokus të kritikave e ka kryeministrin Kurti.
Nuk janë të pakta rastet kur Haradinaj dhe Kurti janë përplasur në Kuvendin e Kosovës, ku thuajse për asnjë çështje nuk kanë pas qasje të njëjtë.
Së fundmi, kritikat dhe akuzat e kreut të AAK-së janë bërë të shpeshta, gjë që shtynë të mendohet se cilat mund të jenë motivet e këtyre akuzave, a ka diçka peng Haradinaj ndaj Kurtit!?
Për këtë temë për gazetën “Bota sot” kanë folur analistët politikë, të cilët dhanë këndvështrimet e tyre lidhur me këtë.
Kapiti: Vështirë të ripërtërihet trekëndëshi PDK-LDK-AAK
Opinionisti Skënder Kapiti në prononcimin e tij për gazetën “Bota sot” thotë se partia e Ramush Haradinajt, AAK-ja nuk ka forcë politike për rrëzimin e qeverisë Kurti.
Skënder Kapiti
Madje, ai thotë se ky subjekt politik tani nuk ka as respekt publik dhe as besueshmëri të madhe politike në popull, pasi kryetari i saj pushtetin e shfrytëzoi për interesa personale.
“Kryetari i AAK-se Ramush Haradinaj ka deklaruar se partia e tij do t`i bashkohej një mocioni për rrëzimin e qeverisë Kurti. Pikësëpari, AAK-ja nuk ka as peshë, as forcë politike dhe tani për tani as respekt publik e as besueshmëri të madhe politike në popull. Kjo sepse më shumë pushtetin e tij e ka shfrytëzuar për interesa personale se sa për interes publik, pavarësisht se ka disa merita, por ai patriotizmin real e ka pasur edhe si retorikë”, deklaroi opinionisti.
Në vazhdim, Kapiti përmendi disa nga kompromiset që Haradinaj i bëri për të marrë postin e Kryeministrit, përfshirë këtu nënshkrimin e Demarkacionit me Malin e Zi dhe koalicionin me Listën Serbe.
“Këtë e vërteton fakti se ai e nënshkroi Demarkacionin me Malin e Zi, ku nga ish-kundërshtar i zellshëm ndaj asaj marrëveshje, sapo u bë kryeministër e nënshkroi menjëherë dhe pa hezitim. Ai për kryeministër pranoi që të bashkëpunojë edhe me Listën Serbe, e cila politikën e bën në favor të agjendave të Beogradit. Dhe të mos harrojmë se për interes personal, për pushtet e për kryeministër ai do të mbahet mend për atë super qeverisje me numër rekord historik ministrash e zëvendësministrash me paga e me benefite shumë të larta për një shtet të varfër si Kosova, si dhe për qeverisje abuzive e korruptive”, theksoi ai.
Puçi parlamentar ndaj qeverisë Kurti I
Tutje, opinionisti thotë se mocioni ndaj qeverisë Kurti 2 është pothuajse i pamundur, pasi në krye të PDK-së dhe LDK-së nuk janë Thaçi, Veseli e Mustafa.
Po ashtu, ai vlerësoi se Kurti po punon shumë më mirë se PAN-i.
“Për këto dhe shumë të tjera, AAK-ja u ndëshkua ashpër. Duket se ndryshimet që ndodhën në PDK dhe në LDK, ku pas zgjedhjeve të 14 shkurtit nuk janë më në krye të tyre as Thaçi e as Veseli, në PDK dhe as Mustafa në krye të LDK-së. Kjo e bënë pak si shumë të vështirë ripërtëritjen e trekëndëshit PDK-LDK-AAK, si ai i puçit parlamentar që e rrëzuan qeverinë Kurti I. Dhe nuk ka arsye që sot të parashtrohet ndonjë mocion për rrëzimin e qeverisë Kurti 2, pasi de fakto Kurti po punon krahasimisht ndryshe dhe shumë e shumë më mirë se sa fronti dështak ish-PAN e ish-PLAN”, thotë ndër të tjera Kapiti.
Krejt në fund, ai potencoi se zgjedhje të reja mund të mbahen vetëm nëse ka krizë qeveritare të partisë në pushtet, prishje të koalicionit apo afera të korrupsionit.
“Arsyeja kryesore që mund të kërkohet zgjedhje të parakohshme vijnë nga krisjet apo krizat qeveritare, të partisë në pushtet apo e koalicionit qeveritar dhe nga korrupsioni. Këto nuk duken në qeverisjen Kurti 2. Si dhe fakti tjetër se akoma është shumë i freskët puçi parlamentar PDK-LDK-AAK që rrëzuan qeverinë Kurti 1, por që si kundërpërgjigje treshes puçiste ia dha votuesi me 14 Shkurt 2021, që referendumi popullor i ndëshkoi ata ashpër”, përfundoi Skënder Kapiti për “Bota sot”.
Krasniqi: Në Kosovë ka filluar një formë tjetër e opozitarizmit
Islam Krasniqi vlerëson se në Kosovë ka filluar një formë tjetër e opozitarizmit, ku shumica e partive në opozitë kanë zgjedhur më shumë të heshtin se të kritikojnë.
Islam Krasniqi
Juristi në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se opozita ka zgjedhur këtë formë të të bërit politikë, pasi kritikat, sharjet e ofendimet nuk po iu sjellin dobi më.
“Po, tani ka filluar një formë tjetër e opozitarizmit, jo më duke kritikuar por duke heshtur, nganjëherë nga një kritikë, por më shumë të heshtur, sepse kritikat, sharjet e ofendimet nuk po sjellin dobi më, nuk po ofrojnë elektorat, vetëm se po nxisin individ të caktuar, të cilët vetëm sa po e dëmtojnë subjektin e vetë. Një fushatë e tillë, e cila ka dhënë rezultat ka qenë gara për kryetar të Prishtinës, i cili me një fjalor të pastër, kulturë të lartë e mori fitoren për kryeqytet, andaj edhe subjektet opozitare po mundohen ta ndryshojnë qasjen si opozitë”, deklaroi analisti.
Më tej, ai e veçoi kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn që sipas tij po vazhdon të bëjë opozitë si në të kaluarën, mirëpo që akuzat e tij ndaj qeverisë nuk kanë ndonjë peshë të madhe.
“Z. Haradinaj po vazhdon opozitarizmin në formën e njëjtë siç ka qenë gjithmonë, ndoshta shihet më aktiv në media, duke kritikuar apo edhe akuzuar qeverinë, por jo që ka shumë peshë për qeverinë. Kjo, pasi ajo e ka shumicën dhe se nuk lëkundet nga opozita lehtë”, theksoi Krasniqi.
Në fund, analisti përmendi edhe kërkesën e Haradinajt për president, që beson se është një nga motivet që ai është kaq i ashpër me kryeministrin dhe qeverinë.
“Z. Haradinaj ka shpreh dëshirën të bëhet president, mirëpo për Kryeministrin kërkesa e tij ishte shumë e lartë dhe nuk e mori në konsideratë si serioze sepse e kishte shumicën dhe nuk iu deshën numrat e AAK-së.
Po mos të harrojmë se z. Haradinaj dy herë ishte kryeministër dhe si individ ka edhe një bagazh të madh në parlament, por numri i vogël i deputetëve të këtij subjekti e kufizon edhe fuqinë e tij politike”, përmbylli Islam Krasniqi për “Bota sot”.