Shteti serb në vazhdimësi kërcënon dhe bën deklarata, të cilat cenojnë sigurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Së fundi, kërcënimet më të shpeshta bëhen në Bosnje e Hercegovinë, ku politikani serb Dodik vazhdon të insistojë në shpërbërjen e Bosnjës.
Krahas kësaj, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, gjatë një konference për media deklaroi se BE-ja po shqyrton sanksionet e mundshme ndaj Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë.
E gjithë konferenca u karakterizua me tepri diplomatike krahas Dodikut, të cilin SHBA-ja tashmë e ka sanksionuar duke e targetuar hapur si faktor të destabilizimit të Bosnjës.
Për këtë gjë, analisti zviceran Toby Vogel, ka kritikuar vazhdimisht qasjen e butë të BE-së karshi situatës së tensionuar në Bosnjë dhe karshi Serbisë, e cila e mbështet hapur Dodikun në synimet e tij për shpërbërjen e Bosnjës.
Vogel shtroi pyetjen se pse BE-ja është kaq “e tmerruar” nga Vuçiqi, sa që as nuk e përmendin emrin e Serbisë.
E këtë temë për gazetën “Bota sot” e kanë komentuar analistët dhe njohësit e çështjeve ndërkombëtare.
Pula: Serbia përmes diplomacisë së saj aktive me avokim dhe lobim ka ndjekur dy rrugë
Shqiprim Pula
Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Shqiprim Pula në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se Bashkimi Evropian nuk e ka konsideruar si pjesë të politikave të saj Ballkanin Perëndimor.
Madje, ai tha se pa angazhimin e Amerikës, rajoni ynë nuk do të kishte korrur suksese.
“Nga situata që kemi në Ballkanin Perëndimor, kuptohet qartazi një gjë, që Unioni Evropian (UE-ja) asnjëherë nuk e ka konsideruar si një aset politik të saj për të korrur sukses në oborrin e saj, me vendet e Ballkanit. BE-ja, në vazhdimësi e proklamon vetën si fuqi civile në botë, por tek rasti ynë, si rajon, pa përfshirjen dhe angazhimin serioz të ShBA-ve, nuk kemi pas suksese të dukshme”, deklaroi ai.
Më tej, Pula vlerësoi se shteti serb nëpërmjet të diplomacisë së saj ka lobuar vazhdimisht dhe është përkëdhelur nga Brukseli.
“Ajo çfarë ka bërë Serbia përmes diplomacisë së saj aktive me avokim dhe lobim ka ndjekur dy rrugë, tek vendet anëtare të BE-së si dhe tek institucionet e saja në Bruksel e Strasburg, dhe padyshim ka absorbuar mbështetje për të mos thënë përkëdhelje nga BE-ja, sepse Brukseli nuk është në gjendje të garantoj zgjerimin e saj me vendet nga rajoni ynë”, theksoi njohësi i çështjeve ndërkombëtare.
Në fund, ai thotë se në mungesë të angazhimit të BE-së për vendet e Ballkanit, Serbia po kërcënon me rebelime vendet fqinje, si në rastin e kërcënimeve të hapura të Dodik-ut, në Bosnjë e Hercegovinë.
“Referuar deklarimeve publike ndër vite nga përfaqësuesit e lartë të BE-së, kupton një mungesë këmbëngulësie për një perspektivë reale të integrimit të vendeve të Ballkanit perëndimor, e për rezultat, sot, nga Serbia fshehurazi kemi edhe kërcënime të herëpashershme për një rebelim të mundshëm ndaj vendeve fqinje, siҁ e kemi rastin konkret me kërcënimet e hapura të Dodik-ut, në Bosnjë e Hercegovinë”, shpjegoi Shqiprim Pula për “Bota sot”.
Duhanaj: Serbët kanë përfituar nga përkrahja e Rusisë
Leon Duhanaj
Ndërsa, analisti politik, Leon Duhanaj përmendi agresionet dhe konfliktet që shteti serb ia ka shkaktuar botës, kryesisht vendeve të rajonit të Ballkanit.
Ai në një prononcim për “Bota sot” thotë se mbi traditën e dhunës, Serbia ndërtoi shtetin e tyre mbi trojet tona.
“Kur flasim për popullin serb dhe raportet e tij me botën, duhet pasur parasysh se kemi të bëjmë me një komb, i cili gjithë historinë e tij, e ka të ndërtuar mbi agresion dhe konflikte.
Që nga nisja e tyre nga Karpatet drejt trojeve tona kanë rrugëtuar e mbijetuar mbi bazën e plaçkitjeve ndaj popujve. Mbi këtë traditë ndërtuan edhe shtetin e tyre mbi trojet tona duke na shtyrë me dhunë e eksod, për ta zgjeruar territorin e tyre”, deklaroi analisti.
Në vazhdim, Duhanaj përmendi edhe afërsinë e shtetit serb me Rusinë, nga e cila po merrë përkrahje të vazhdueshme.
“Serbët, duke qenë se janë popull i afërt me gjak me rusët, kanë përfituar nga përkrahja e tyre, duke qenë se Rusia për një kohë të gjatë kishte ndikim mbi Perandorinë Osmane, e sidomos pas marrëveshjes se Shën Shtefanit, mes Perandorisë Osmane dhe Rusisë, u copëtuan trojet shqiptare duke ndërtuar shtetet sllave në truallin tonë. Tani po vazhdon e njëjta gjë”, theksoi ai.
Tutje, analisti përmendi edhe ndërhyrjen e Rusisë në vendimmarrjen e Bashkimit Evropian, të cilin e kundërshton në vazhdimësi për çështjet lidhur me Kosovën.
Sidomos në rastet kur interesat nuk janë paralele me shtetin rus, atëherë investon në synimin e destabilizimit dhe dezintegrimit të BE-së.
Për fat të mirë, Kosova ka aleat një superfuqi
“Duke qenë se Rusia akoma është superfuqi bërthamore, por edhe energjetike, ka ndikim të madh edhe ndaj shteteve të Bashkimit Evropian, të cilat në momente të caktuara ngrehin shpagat në mes interesit integrues dhe atij kombëtar respektiv, e që për fat të keq, jo rrallë gjërat shkojnë në dëm të Kosovës.
Problem tjetër është po ashtu mënyra organizative dhe vendimmarrëse në BE, ku edhe për çështje krejtësisht banale kërkohet konsensus, e i cili rrallë arrihet, posaçërisht kur kemi të bëjmë me interesa të ndara apo siç është çështja e Kosovës, ku disa shtete kanë interesa, të cilat nuk shkojnë në vijë paralele me interesat e Kosovës, pastaj shto kësaj edhe ndikimin rus, i cili pengon dhe investon në synimin e destabilizimit dhe dezintegrimit të BE-së”, theksoi Duhanaj.
Në fund, ai thotë se detyra e shtetit tonë është ruajtur raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të koordinohet për çdo proces që na pret.
“Për fat të mirë, Kosova ka një aleat të sinqertë në raport me ne, por dhe të fortë -superfuqi, e cila shtyu përpara procesin e çlirimit dhe pavarësimit të saj dhe që do ta shtyjë edhe atë të integrimit.
Në këtë kontekst, është detyrë e jona si shtet, të jemi 100% të kujdesshëm në raport me SHBA-në dhe të koordinuar me ta për çdo proces që na pret, në mënyrë që të jemi të sigurt në të ardhmen tonë”, e përmbyll diksutimin e tij Leon Duhanaj për “Bota sot”.