Thirrja për drejtësi, vazhdon të jetë një nga thirrjet më dëshpëruese në Kosovë. Kjo, pasi sistemi i drejtësisë si vendor ashtu edhe ndërkombëtarë, asnjëherë nuk e sollën drejtësinë e merituar për kriminelët që kryen krime nga më të ndryshmet.
Vrasjet politike bëjnë pjesë në mesin e plagëve më të rënda të pasluftës në Kosovë.
E tillë ishte vrasja e ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rugovë, Smajl Hajdaraj.
Smajl Hajdaraj, u vra në një atentat më 17 janar të vitit 2002, në hyrje të banesës së tij në qytetin e Pejës.
Plot 20 vite u bënë dhe vrasja e Smajl Hajdarajt nuk është zbardhur ende.
Kishte akuza të vazhdueshme lidhur me vrasjen përgjatë këtyre viteve, por për fat të keq drejtësia në Kosovë kurrë nuk i hetoi apo gjykoi persnat që u përmendën.
Një shpresë e re për zbardhjen e vrasjes së Smajl Hajdarajt është gjykata speciale. Të paktën, kjo është shpresë e familjes, ndonëse mandati i speciales përfshinë hetimet vetëm deri në fund të vitit 2000.
Hajdaraj: 20 vite shkuan dhe uroj t’mos vazhdojë pandëshkueshmëria si normë shoqërore
Shpëtim Hajdaraj
Në 20 vjetorin e vrasjes së babait të tij, Shpëtim Hajdaraj, thotë për gazetën “Bota sot”, se hetimet nga UNMIK-u, EULEX-i dhe Prokuroria e Kosovës nuk ishin serioze.
“Është goxha histori e gjatë sa i përket peripecive rreth hetimeve. E përbashkëta e tri autoriteteve në periudha të ndryshme (UNMIK-ut, EULEX-it dhe Prokurorisë së R. Kosovës) janë fare pak hetime dhe aspak serioze. Ka munguar vullneti. Dy të parave mund të konstatoj (përshtypje personale ndër vite) se ju ka munguar vullneti, ndërsa forcë kanë pasur, kurse kjo e fundit ka vullnet (jo sistemi, por pjesëzat) por nuk ka forcë. 20 vite shkuan dhe uroj t’mos vazhdojë pandëshkueshmëria si normë shoqërore, jo vetëm për rastin e babait tim, por për të gjithë”, thotë Hajdaraj për “Bota sot”.
Hajdaraj thotë se kanë shpresë që gjykata speciale të mund ta zbardhë vrasjen e babait të tij.
“Për ne është mundësi shtesë, prandaj shpresojmë. Gjykata Speciale është pjesë e Republikës së Kosovës dhe nuk kemi arsye që mos t’mbajmë shpresë”, përfundon ai.
Haziri: Përkrahja që gëzonte deputeti Hajdaraj në rajonin e Dukagjinit, ishte alarm për forcat e errëta
Nexhat Haziri komentues i zhvillimeve thotë për gazetën “Bota sot” se vrasja e Smajl Hajdarajt, sikur edhe vrasjet e tjera politike të pasluftës, kishin për qëllim frikësimin e qytetarëve të Kosovës dhe dobësimin e përkrahjes që e kishin në popull LDK-ja dhe presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova.
Nexhat Haziri
Haziri shprehet se, përkrahja që e gëzonte deputeti Hajdaraj në rajonin e Dukagjinit, u pa si një alarm nga forcat e errëta politike, se plani i tyre për vendosjen e pushtetit me kallash, frikësimi dhe dhuna ndaj qytetarëve të vendit, po merrte fund.
“Pra, ky ishte qëlimi apo motivi i vrasjes së ish-komandantit të UÇK-së së Zonës së Rugovës, Smajl Hajdarajt, pak kohë pasi e kishte marrë mandatin si deputet nga zgjedhjet e para parlamentare të mbajtura në Kosovë pasluftës, dhe kjo përkrahje që gëzonte deputeti Hajdaraj në rajonin e Dukagjinit, u pa si një alarm nga forcat e errëta politike se plani i tyre për vendosjen e pushtetit me kallash, frikësimi dhe dhuna ndaj qytetarëve të vendit, po merrte fund, zgjodhën vrasjet e personaliteteve si Smajl Hajdaraj, për ta frenuar dështimin e tyre”, thotë Haziri.
Sipas tij, kjo përpjekje e tyre, dëshmohet edhe me zinxhirin e vrasjeve të tjera politike në Kosovë, që target kishin zyrtarë të LDK-së dhe bashkpunëtorët e Ibrahim Rugovës.
“Dhe tani kur po përkujtojmë 20 vjetorin e vrasjes së Smajl Hajdarajt, por edhe të përsonaliteteve të tjera që janë viktima të vrasjeve politike në Kosovë, gjatë dhe pas mbarimit të luftës dhe moszbardhja e asnjë prej këtyre rasteve, paraqet një rrezik të pashmangshëm në shoqërinë tonë, pasi drejtësia e munguar shtyen që vrasësit t’i përsërisin krimet e tyre”, shprehet Haziri.
Kështu e hapte UNMIK-u terrenin për vrasjet politike
Sipas tij, kjo drejtësi e munguar sigurisht se u stimulua fillimisht nga administrata ndërkombëtare në Kosovë, e cila quhej UNMIK.
“Kjo pasi që prioritet i saj ishte një lloj stabiliteti i brendshëm politik me çfarëdo çmimi, pra duke i mbyllur sytë e veshët për vrasjet e bujshme politike siç ishte vrasja e Smajl Hajdarit dhe të tjerëve, përkundër faktit se ekzistonin adresa të qarta se nga kush vinin apo urdhëroheshin këto vrasje, por kjo administratë që e qeveriste Kosovën në atë kohë mjaftohej me fillimin dhe mbylljen e hetimeve në një kohë shumë të shkurtër e që më pas krijonte terrenin edhe të vrasjeve të dëshmitarëve të këtyre akteve kriminale”, thotë Haziri.
Urdhërdhënësit në majat më të larta të shtetit
Ai shton se drejtësia vendore nuk i zbardhi vrasjet politike për shkak se urdhërdhënësit ishin në majat më të larta të shtetit.
“Ndërsa, sa i përket institucioneve të drejtësisë vendore që nga Shpallja e Pavarësisë, ishte pritje joreale që këto të bënin ndonjë hap në zbardhjen e vrasjes së deputetit Hajdaraj dhe të tjerëve, për arsyen e thjeshtë dhe të njohur nga të gjithë, e që ishte se tani urdhërdhënësit ishin në majat më të larta të shtetit, kur organizata kriminale SHIK-u, kishte kapur të gjitha institucionet e sigurisë dhe gjyqësisë dhe natyrisht po i mbronte krimet e veta dhe kriminelët që kishin vrarë Smajl Hajdarajn”, nënvizon ai.
Andaj, Haziri thotë se e vetmja shpresë, që vrasjet politike të mos mbesin më si një plagë e hapur për shoqërinë në Kosovë, është gjykata speciale.
“Shërbimet e tyre kanë informata dhe dëshmi për vrasjen e Smajl Hajdarajt dhe të rasteve të tjera me motive politike. Ato duhet ta ndihmojnë Kosovën në këtë proces, për ta vendosur drejtësinë në vend e që do të ndihmonin edhe në dekriminalizimin, jo vetëm të klasës politike, por edhe të shoqërisë në përgjithësi”, përfundoi Haziri.