Paralajmëron eksperti i sigurisë: Shteti serb ka interesa të drejtpërdrejta që ta destabilizojë Kosovën

Politika

Paralajmëron eksperti i sigurisë: Shteti serb ka interesa të drejtpërdrejta që ta destabilizojë Kosovën

Nga: A.SH Më: 18 janar 2022 Në ora: 14:25
Foto ilustrim

Në Evropë situata vazhdon të mbetet e tensionuar, sidomos mes Rusisë dhe Ukrainës.

As situata në Ballkan nuk është më e favorshme. Gjendje kjo në të cilën po ndikojnë shumë faktorë.

Destabilizuesja kryesore është Serbia, e cila po e gjen mbështetjen te Rusia si politikisht ashtu edhe ushtarakisht. Dhe kjo përbën rrezik edhe për Kosovën.

Eksperti i çështjeve për siguri, Drizan Shala për “Bota sot” shprehet se shteti serb është i interesuar drejtpërdrejtë që ta destabilizojë Kosovën nëpërmjet ndonjë intervenimi të llojit me struktura paralele që veçse i ka në Kosovë, nëpërmjet aktivizimit të grupeve paramilitare, ushtarake të cilat ishin përdorur edhe në Krime nga ana e Rusisë.

“Kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë e atakon edhe sigurinë e vendit sepse ne me Serbinë kemi shumë çështje për të biseduar, sepse shteti serb nuk na njeh si shtet i pavarur dhe demokratik, ka pretendime territoriale mbi Kosovën. Kjo mua më lë të nënkuptoj se shteti serb ka interesa të drejtpërdrejta që ta destabilizojë Kosovën përmes ndonjë intervenimi jo klasik, por përmes një intervenimi të strukturave paralele që veçse i ka në Kosovë, përmes aktivizimit të grupeve paramilitare, ushtarake të cilat ishin përdorur edhe në Krime nga ana e Rusisë. Sepse Serbia është duke e marr edhe si model Krimenë për të bërë ndonjë plan të invazionit klasik sa i përket intervenimeve në Kosovë”, thotë ai.

Sipas tij, Kosova duhet t’i ndalë investimet në infrastrukturën rrugore, sepse duhet të fokusohemi kah mbrojtja kolektive sepse Kosova është duke çaluar në këtë aspekt, e gjithashtu duhet një buxhet i madh.

"Në arenën ndërkombëtare në kanalet diplomatike të kërkojë nga NATO-ja, nga shtetet mike që të bëjë presion të vazhdueshëm që këto armatime të mos përdoren nëpërmjet sanksioneve të ndryshme ekonomike dhe të tjera, por në aspektin e brendshëm Kosova duhet t’i ndalë investimet në infrastrukturën rrugore. Pra, duhet të fokusohemi dhe të kthehemi kah investimi kah mbrojtja kolektive sepse Kosova është duke çaluar në këtë aspekt. E kemi një plan gjithëpërfshirës 10 vjeçar të FSK-së, forcave të armatosura, por ky plan duhet të modifikohet dhe t’u përshtatet zhvillimeve aktuale të rajonit. Duhet të shkurtohet në fushat, duhet një buxhet jashtëzakonisht më i madh për ushtri”, përfundon Shala.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat