Dialogu me Serbinë ka nisur shumë vite më parë, por tani nuk dihet se kur do të vazhdojë me takimet e radhës.
Aq më pak dihet se kur mund të arrihet një marrëveshje finale mes të dyja shteteve.
Serbia po insiston që të formohet asociacioni i komunave me shumicë serbe, ashtu siç është nënshkruar me 2013 dhe 2015, i cili është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, me vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Gjërat në favor të saj i ka thyer aq shumë Serbia, sa një pjesë e burokracisë europiane, fjalën e parë e ka, pranojeni asociacionin sipas marrëveshjes ose ndryshojeni Kushtetutën.
Gjërat tani mund t’i ketë koklavitur edhe më, vendimi i institucioneve të Kosovës që të mos e lejojë referendumin antikushtetues të Serbisë në Kosovë. Zëdhënësi i BE-së, megjithatë është shprehur se dialogu nuk është ndërprerë, dhe se rasti me referendumin nuk pritet të ketë ndikim.
“Përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrel ka qenë interaktiv dhe mund të përmend këtu takimet interaktive që ai ka zhvilluar me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq. Fakti, që nuk ka një takim në nivelin e liderëve nuk është një provë që dialogu është shtyrë. Kur kushtet të plotësohen, do të zhvillohet një raund midis kryenegociatorëve ose në rangun e liderëve”, ka deklaruar të hënën Stano.
Duke qenë një situatë e tillë, kur mund të pritet takimi i ardhshëm në mes të Kurtit dhe Vuçiq dhe sa afër apo larg është marrëveshja finale në mes të dyja vendeve?
Gazeta “Bota sot” ka tentuar të marrë një përgjigje nga Qeveria lidhur me atë se kur mund të pritet takimi Kurti-Vuçiq, por nuk janë përgjigjur.
Ndërsa, analistët kanë dhënë vlerësimet e tyre lidhur me dialogun.
Qarri: Marrëveshja me Serbinë larg, fajtor Vuçiq që kërcëno
Analisti Gani Qarri
Analisti Gani Qarri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se marrëveshje duket tejet larg e afër nuk mund të shihet asnjë takim në mes të Kurtit dhe Vuçiqit, derisa ky i fundit kërcënon edhe me intervenim ushtarak.
“Marrëveshja me Serbinë, duke parë agresivitetin e kriminelit Aleksandër Vuçiq, i cili nuk heziton që përveç përdorimit të bandave kriminale për tensionimin e situatës në Veri, të kërcënojë Kosovën edhe me intervenim ushtarak, duke vendosur ushtrinë në pozicione lufte, në kufijtë e Kosovës vetëm për shkak të moszbatimit të marrëveshjes për targa, nga vet ana e Serbisë, jo vetëm që nuk është askund afër, por vështirë të pritet, se së shpejti do të ketë edhe takim të drejtpërdrejtë në mes të Kurtit dhe Vuçiqit në kryeqendrën e BE-së në Brukel, sidomos tani kur po afrohen zgjedhjet presidenciale në Serbi, nëse Vuçiq nuk sheh se me këtë akt, mund të fitojë poenë politik, për rritjen e përqindjes së votave për vete, në zgjedhjet për të parin e shtetit serb”, është shprehur ai.
Sipas Qarrit, dialogu ka pësuar fiasko për shkak të agresivitetit të Vuçiqit, derisa dëshiron të gjitha për serbët në Kosovë, ndërsa që shqiptarët në Serbi s’kanë as të drejtat elementare.
“Madje edhe vet dialogu ndërmjet të dy vendeve ka pësuar fiasko totale, pikërisht për shkak të agresivitetit të Vuçiqit dhe ministrave të tij serb, për t’i imponuar Kosovës çdo gjë, pa u ofruar shqiptarëve nën Serbi asgjë, madje as të drejtat më elementaret siç është mësimi në gjuhën amtare shqipe, nëpër shkolla, duke ua ndaluar edhe abetaren për fillestarët, flamurin dhe simbolet kombëtare, deri te shlyerja e adresave të mijëra shqiptarëve, në trojet e veta etnike, gjithandej Kosovës Lindore, që nga Medvegja e Bujanoci deri në Preshevën e banuar me mbi 95% shqiptar autokton”, ka vlerësuar analisti.
Ai ka theksuar se dialogun e bllokon tërësisht asociacioni të cilin e kërkojnë me ngulm, i cili thotë se është hedhur poshtë me plot të drejtë, por që për këtë do të duhej marrë dënimin për tradhti ndaj shtetit Hashim Thaçi e Isa Mustafa.
“Për aq më tepër marrëveshjen finale e shtyn dhe bllokon tërësisht, asociacioni i shpifur një etnik serb, për të cilin pa asnjë të drejtë këmbëngulë Serbia, duke e ditur se si akt i kundërligjshëm që është, në Kosovë me plot të drejtë është hedhur poshtë, dhe shpallur i papranueshëm e jo kushtetues, pasi që bie në kundërshtim me mbi 23 nene të Kushtetutës tonë, akt për të cilin nuk mund të fajësohet vetëm Serbia, por në bankën e të akuzuarve penal, do duhej të vendoseshin urgjentisht argatët e saj, të cilët me vetëdije shkelën ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, për të favorizuar për interesa të veta personale, bandat kriminale serbe në Veri dhe vet Serbinë hegjemoniste duke e miratuar edhe në Kuvend këtë marrëveshje kundërkushtetuese, Hashim Thaçi e Isa Mustafa, të cilët do duhej të merrnin dënimin e merituar për tradhti të lart ndaj shtetit dhe popullit të Kosovës”, ka deklaruar Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.
Mehmeti: Nuk ka marrëveshje me Serbinë pa përfshirjen e SHBA-ve
Faton Mehmeti
Në anën tjetër, Faton Mehmeti duke koemntuar këto zhvillime thotë se nuk do të ketë marrëveshje derisa Vuçiq është president, i cili sipas tij do të jap dorëheqje.
“Natyrisht se është shumë larg arritja e një marrëveshje të tillë, jo derisa Albini është kryeministër, por edhe Vuçiqi jo. Bile ky i fundit besoj se pikërisht shkaku i presionit me Kosovën do të jap dorëheqje”, thotë ai për “Bota sot”.
Analisti vlerëson se marrëveshja është larg derisa edhe SHBA-të nuk janë të përfshira direkt dhe do të presin ende nëse BE-ja do t’ia arrijë me dialogun e pastaj do të përfshihet.
“Në këtë kuptim, palët janë diametralisht në pole dhe qëndrime të kundërta, kjo edhe nuk jep shpresë për arritjen e një marrëveshje të shpejtë, shto këtu faktin se edhe SHBA-ja po heziton aktualisht të përfshihet direkt në këtë proces. SHBA-ja do të shoh edhe për një kohë se a mos do të mundet BE-ja të arrijë një marrëveshje përfundimtare, nëse nuk e arrin (gjë që edhe besoj se s’do t’ia arrijë), do të përfshihet direkt”, thotë Mehmeti.
Ai është i mendimit se vetëm me SHBA-të ka shpresë për marrëveshje finale pasi BE ka dështuar ta bëjë këtë prej vitesh, derisa shton se marrëveshje përfundimtare me Serbinë mund të mos ketë brenda disa viteve.
“Vetëm me përfshirjen e SHBA-ve mund të ketë shpresë për një marrëveshje përfundimtare, derisa BE-ja ta udhëheq këtë proces s’ka gjasa të ndodhë një gjë e tillë. Natyrisht se asociacioni është çështja që mban larg, shumë larg arritjen e një marrëveshje të tillë. Më mirë mos të ketë marrëveshje se të ketë por me asociacionin, e cila de facto krijon enklava brenda Kosovës, e sjell Serbinë në zemër të Kosovës. Kështu që, duke njohur qëndrimet e Kurtit, nuk besoj se brenda 3-5 viteve të ardhshme të këtë marrëveshje me Serbinë”, ka deklaruar Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.