Të shtunën Parlamenti i Kosovës miratoi Rezolutën që ndaloi mbajtjen e një referendumi antikushtetues të Serbisë në territorin tonë.
76 votuan pro Rezolutës nga 120 deputetë që i ka Kuvendi, por jo të gjithë morën pjesë.
PDK-ja dhe Lista serbe e bojkotuan seancën, ndërsa nga LDK-ja, vetëm deputeti Driton Selmanaj, abstenoi.
Profesori Enver Bytyçi në një reagim të tij kërkoi që personat, të cilët kundërshtuan rezolutën e referendumit serb, përfshirë deputetin Driton Selmanajt, dhe disa analistë që të eliminohen nga prania politike dhe opinioni publik.
Lidhur me këtë, analisti politik Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se debatet në Kuvend nuk përputhen me konceptet e politikave parimore, madje nuk kanë lidhje as me interesat e qytetarëve.
Mulliqi shtoi se kur bëhet fjalë për Serbinë, duhet lënë anash interesat personale.
Sipas tij, edhe Selmanaj është dashur të mos ndahet nga të tjerët, për të mos lejuar referendumin e Serbisë.
“Kur bëhet fjalë për mbrojtjen e interesit shtetëror dhe nacional disa po japin shembull jo të mirë para opinionit të gjerë publik. Shumë gabime u bënë deri më sot lidhur me temën e mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Nuk u mbrojt si dhe sa duhet kauza kombëtare. Duhet lënë anash kjetësisht interesat personale kur bëhet fjalë për Serbinë, e cila nuk i ka hequr pretendimet territoriale ndaj Kosovës. Ishim dëshmitarë se si deputeti Driton Selmanaj abstenoi nga votimi lidhur me mbajtjen e referendumit serb në Kosovë apo jo. Pa marrë parasysh se si erdhi deri te tubimi i kuvendarëve lidhur me këtë temë, më duket se është dashur edhe Selmanaj të mos ndahet nga të tjerët, të cilët kësaj radhe dërguan mesazh uniteti, për të mos lejuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë”, shtoi Mulliqi.
Më tej potencoi se disa analistë politikë janë në shërbim të propagandimeve, madje ai thekson se Kosova është shtet sovran gjë që duhet ta kenë parasysh.
“Edhe disa analistë politikë sikur janë vu në shërbim të propagandimeve të ndryshme, të cilat i dëmtojnë proceset demokratike. Kjo është sjellje e papërgjegjshme e tyre, kur dihet se nuk ka lojë me interesin e Kosovës dhe të ardhmen e saj. Kosova që nga viti 2008 është shtet sovran dhe i pavarur dhe këtë gjë duhet pasur parasysh edhe njerëzit e politikës edhe analistët, të cilët me deklarimet e tyre publike e kanë vu veten në peshore pa fajin e askujt. Një reflektim shumë më ndryshe duhet bërë secili nga njerëzit publik”, theksoi ai.
Tutje u shpreh se për t’i larguar nga politika, sipas Mulliqit, është punë e institucioneve.
Mirëpo, ai thekson se disa analistë nuk janë në shërbim të interesit të vendit.
“Ata që i ka apostrofuar profesori, Enver Bytyçi, se “duhet larguar nga prania politike dhe opinioni publik”, është punë e institucioneve relevante të vendit, për ta thënë fjalën e tyre, natyrisht pa e cenuar të drejtën e shprehjes dhe fjalës së lirë publike. Unë mendoj se për secilin dënimi më i rëndë është kur populli shpreh injorancën ndaj secilit që ju duket se nuk është duke i mbrojtur sa duhet interesat e shtetit dhe të qytetarëve. Është tashmë shumë e njohur se disa analistë, u vunë në shërbim të “Grenell diplomacisë” jo në interesin e vendit, duke kërkuar që të dëgjohet fjala e tij, edhe pse në pyetje ishte ndarja etnike e Kosovës, që është diçka shumë e papranueshme për shqiptarët”, përfundon Skënder Mulliqi.