Qeveria e Kosovës e ka kundërshtuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës duke e cilësuar atë si shkelje të rendit kushtetues të Kosovës.
Ajo i përballoi edhe kundërshtimet nga shtetet e QUINT-it, që në një takim me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, kërkuan që të lejohet mbajtja e referendumit.
Kjo trysni i nxiti krerët e institucioneve, përkatësisht Qeverinë që të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje, ku deputetët e Kuvendit të Kosovës e miratuan një rezolutë që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votime për referendumin e Serbisë.
Sipas rezolutës, mbajtja e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare.
Mirëpo, kjo gjë nuk i pëlqeu presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, kundërshtoi ashpër këtë rezolutë në miratuar në Kuvendin e Kosovës.
Vuçiq tha se serbët nga Kosova “treguan se vota e tyre paraqet votë për Serbinë” dhe jo për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Po ashtu, presidenti serb ‘kërcënoi’ duke deklaruar se vendimi i Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e këtij referendumi “do të ketë pasoja të mëdha”.
Ekspertët e sigurisë për gazetën “Bota sot” treguan zhvillimet që mund të pasojnë pas kësaj deklarate të presidentit serb.
Tërnava: Çdo tentim i de stabilizimit të Kosovës do t’i kushtonte Serbisë
Ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se shteti serb po vazhdon me politikat e tij nacionaliste ndaj Kosovës.
Hajrullah Tërnava
Madje, ai thotë se njerëzit që e udhëheqin sot Serbinë kanë politika të ngjashme me të Millosheviqit, pasi edhe ishin bashkëpunëtorë të tij.
“Shteti i Serbisë karshi shtetit të Kosovës qysh nga vitet e ’90-ta e deri më tani e ka të njëjtën politikë nacionaliste e nëse jo në origjinal të njëjtë, shumë të ngjashme. Po të shikohet tani dhe nëse bëjmë krahasime, edhe njerëzit që e udhëheqin shtetin serb janë po ata të njëjtit që ishin bashkëpunëtor në poste të larta në regjimin e Millosheviqit e sidomos në kohërat e luftës me ato të gjitha shtete për rreth që kishte luftuar Serbia me Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën”, deklaroi ai.
Në vazhdim, Tërnava përmendi edhe kapitullimin e shtetit serb me Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe ankesat e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Krahas kësaj, ai përmendi edhe faktin se si Serbia tash e sa vite vazhdon të insistojë në marrjen e komunave të veriut.
“Edhe tani e edhe kur e kanë humbur luftën në vitin 1999 dhe është nënshkruar kapitullimi i Serbisë në Kumanovë, me atë nënshkrim e ka pranuar edhe vetë Serbia humbjen e Kosovës, por janë ankuar edhe në GJND për pavarësinë e Kosovës, e që po i njëjti gjyq e ka aprovuar si çështje legale, pavarësinë e Kosovës.
Megjithatë, Serbia udhëheq politika të njëjta nacionaliste e sidomos, tani kur po ndërmjetësohet dialogu nga faktorët ndërkombëtar mes Kosovës dhe Serbisë, tash e sa vite, megjithatë Serbia insiston që Kosova t’ia falë komunat në veri si kusht për pajtimin e mundshëm”, theksoi eksperti i sigurisë.
Ndryshimet e kufijve do të acaronin situatën deri në luftëra të tëra në Ballkan
Më tej, ai potencoi se ëndrra e Vuçiqit për ndryshim të kufijve ka përfunduar, pasi iniciatori i kësaj ideje, Hashim Thaçi tani gjendet në Hagë dhe kësisoj askush nga udhëheqësit e Kosovës nuk e mbështet një plan të tillë.
Po ashtu, Tërnava theksoi se një ndryshim i kufijve do ta acaronte situatën në rajon, prandaj edhe SHBA-ja po e bën të pamundurën që vendeve të Ballkanit t’ju ndihmojë në hapjen e ‘dyerve’ të BE-së.
‘Vendimi i GJND-së, pastaj shumë vendime të ndryshme ndërkombëtare e kanë bërë të qartë qëndrimin se nuk ka ndryshime të kufijve, edhe pse në një kohë me bisedime në mes të Vuçiqit, Edi Ramës dhe Hashim Thaçit i ishin shtuar shpresat presidentit serb se ishin pajtuar që veriu t’i jepej Serbisë, por ja që tani ky kombinim ka rënë, sepse ata premtuesit e këtij varianti tani gjenden ne burgun e Hagës, dhe tani koha po ndikon që edhe kombinime të ndryshme po e ndërrojnë kahjen e tyre. Prandaj SHBA po bënë çmos që me politikat e forta t’i ndihmoj edhe këto shtete të mbetura në këtë situatë që sa më parë t’iu hapen dyert e BE-së”, shpjegoi ish-zëvendësministri i MPB-së.
Në fund, ai thotë se përmes referendumit serb, Vuçiqi tentoi ta copëtojë Kosovën dhe të shpallet hero te populli i tij, mirëpo që një gjë e tillë nuk u arrit.
Ai tha se çdo tentim për destabilizimin e situatës në Kosovë do t’i kushtojë shumë shtetit serb, pasi vendi ynë është nën vështrimin e NATO-s dhe KFOR-it.
“Tani edhe këto kërcënime të Vuçiqit që janë për moslejimin e referendumit të serbëve në Kosovë (“do të ketë pasoja të mëdha”), janë në po ato frekuenca që në mënyra të ndryshme dëshirojnë ta copëtojnë Kosovën, dhe me këtë politika serbe për ta, do ta kishte një satisfaksion, me arsyetimin se megjithatë u nda Kosova edhe në favorin e Serbisë, ashtu si ka kërkuar Vuçiqi. Por, çdo tentim i destabilizimit të Kosovës nga ana e Serbisë, më së shumti do t’i kushtonte vetë Serbisë, sepse dihet qartë që shteti serb është nën vështrim që moti dhe ende është në fuqi rezoluta e OKB-së nr. 1244, dhe NATO-ja me KFOR-in janë garantuesit e kufijve të Kosovës deri në marrëveshjen përfundimtare në mes të këtyre dy shteteve dhe të anëtarësimit në OKB të Kosovës”, përfundoi Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.
Shala: Këto janë dy mesazhet e deklaratës kërcënuese të Vuçiqit
Eksperti tjetër i sigurisë, Drizan Shala në prononcimin e tij për “Bota sot” thotë se këto kërcënime të Vuçiqit vijnë si pasojë e pamundësisë së praktikimit të politikave serbe.
Drizan Shala
Ai thotë se deklarata e presidentit serb “do të ketë pasoja” është fillimisht mesazh për BE-në dhe për popullin serb, kinse ai po lufton për të ashtuquajturën ‘Tokën e Shenjtë’.
“Serbia si çdo herë ku nuk ka mundur të praktikojë në terren interesat e saj ka shfrytëzuar dhe përdorur kërcënime të tilla drejtuar institucioneve të Kosovës. Por, që mesazhi është për presion drejtuar BE-së si faktor që mund ta destabilizojë sigurinë në Kosove nëse ata nuk e mbështetin politikën dhe interesat serbe në Kosove dhe në anën tjetër një mesazh për faktorin e brendshëm të Serbisë që presidenti i juaj lufton për të ashtu quajturën "Tokën e Shenjt " siç ata e konsiderojnë Kosovën”, deklaroi eksperti i sigurisë.
Madje, Shala paralajmëroi se deklarata të tilla kërcënuese të Vuçiqit do të dëgjojmë deri në prill, kur edhe priten të mbahen zgjedhjet nacionale serbe.
“Pra mesazhe të tilla deri në mbajtjen e zgjedhjeve nacionale në prill do i shohim në javët dhe muajt në vazhdim, me theks të veçantë do të jenë më të dukshme në mes datës 16 dhe 17 shkurt, kur Kosova e ka ditën e Shpalljes së Pavarësisë së vendit”, theksoi ai.
Në fund, eksperti i sigurisë kërkoi nga qeveria e vendit që veprimet e saj t’i marrë në bashkëpunim me ambasadën amerikanë, në mënyrë që të mos cenohen interesat e Kosovës.
“Qeveria duhet që të konsolidojë veprimet e saj me ambasadën amerikane duke mos cenuar në asnjë formë interesat dhe partneritetin tonë me ta në vitin 2022, që pritet të jetë vit me presione nga dyja palët në Bruksel dhe në terren”, përmbylli deklarimin Drizan Shala për “Bota sot”.