Lumir Abdixhiku, që nga 14 marsi i vitit të kaluar drejton partinë, Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Me zgjedhjen e tij, nisën edhe ndryshimet brenda LDK-së, në pozita partiake.
Madje, ai riktheu dukshëm partinë e tij në zgjedhjet lokale.
Por, që mund të themi se brenda saj ka përçarje të thella.
Ish-deputeti i LDK-së, Imet Rrahmani gjatë nëj interviste për “Bota sot”, ka folur për menaxhimin e LDK-së nën drejtimin e kryetarit, Lumir Abdixhiku.
Sipas tij, ndryshimi i kreut të partisë, nuk ka mundur të ishte më keq se sa ishte.
“Mendoj se situata në të cilën ka ndodhur ndryshimi në kreun e partisë, nuk ka mund të ishte më e keqe se sa ishte, dhe atë më shumë nga propaganda brutale e të tjerëve sesa nga gabimet e vet LDK-së”, deklaron Rrahmani.
Ai i qëndron asaj se LDK është përtej emrave të përveçëm, dhe në zgjedhjet lokale dëshmoi se mund të kthehet fuqishëm.
“Zgjedhjet lokale treguan se LDK-ja mund të kthehet fuqishëm dhe shpejt, sepse LDK-ja është përtej emrave të përveçëm. Sot, LDK-ja është në një situatë krejt ndryshe nga Shkurti 2021 dhe si rrjedhojë edhe roli i saj si parti opozitare mund të jetë edhe më i fuqishëm. Partitë që e luftuan LDK-në brutalisht duke shfrytëzuar edhe elemente nga brenda saj, shpejt po demaskohen nga vet ato, prandaj LDK-ja shpejt do të mbetet alternativa e vetme e besueshme për votuesin”, nënvizoi ai.