Po bëhen 16 vjet që nga vdekja e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Pikërisht më 21 janar 2006, ndërroi jetë Presidenti Rugova, i cili u varros me homazhe dhe nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
16 vite pas vdekjes së Rugovës, bashkëpunëtorët të tij dhe njohës të filozofisë politike dhe të veprimit të tij, e vlerësojnë veprën dhe jetën e tij, duke e quajtur si Presidenti historik i Kosovës, arkitekti i Pavarësisë.
Kështu një nga njerëzit më të afërt të tij, që ishte në ҫdo hap me Presidentin Rugova deri në ditët e para të pas luftës, Adnan Merovci në një rrëfim ekskluziv për ‘Bota sot’ ka folur në këtë përvjetor të vdekjes së Presidentit, duke sjellë edhe projektet që i kishin mbetur në gjysmë.
Merovci: Kryeprojekti i Presidentit RUGOVA ishte pavarësia e Kosovës
Merovci thotë se ndër projektet e para që donte të realizonte President Rugova, ishte Pavarësia e Kosovës, të cilën e arriti edhepse nuk e priti fizikisht ‘njohjen formale’. Gjithashtu, Merovci ka numëruar edhe projektet tjera që kanë mbetur pa u kryer nga Presidenti.
Po bëhen 16 vjet që nga vdekja e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Pikërisht më 21 janar 2006, ndërroi jetë Presidenti Rugova, i cili u varros me homazhe dhe nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
16 vite pas vdekjes së Rugovës, bashkëpunëtorët të tij dhe njohës të filozofisë politike dhe të veprimit të tij, e vlerësojnë veprën dhe jetën e tij, duke e quajtur si Presidenti historik i Kosovës, arkitekti i Pavarësisë.
Kështu një nga njerëzit më të afërt të tij, që ishte në ҫdo hap me Presidentin Rugova deri në ditët e para të pas luftës, Adnan Merovci në një rrëfim ekskluziv për ‘Bota sot’ ka folur në këtë përvjetor të vdekjes së Presidentit, duke sjellë edhe projektet që i kishin mbetur në gjysmë.
Merovci: Kryeprojekti i Presidentit RUGOVA ishte pavarësia e Kosovës
Merovci thotë se ndër projektet e para që donte të realizonte President Rugova, ishte Pavarësia e Kosovës, të cilën e arriti edhepse nuk e priti fizikisht ‘njohjen formale’. Gjithashtu, Merovci ka numëruar edhe projektet tjera që kanë mbetur pa u kryer nga Presidenti.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/January/21/auto_adnan-780x4391642748611.jpg)
“Kryeprojekti i Presidentit RUGOVA ishte pavarësia e Kosovës. Ai punoi tërë jetën dhe realizoi këtë pavarësi të cilën ndërkombëtarisht të pranuar nuk e priti fizikisht, por kjo nuk d.m.th. që ne të harrojmë porositë dhe parashikimet e tij prej Dijetarit që neve na mbesin ti shtyjmë para deri në realizimin e plotë të tyre. Motot e Dijetarit RUGOVA ishin: Liria, Pavarësia, Demokracia! Nëse themi se Liria dhe Pavarësia deri diku janë realizuar, atëherë pyesim për Demokracinë? Dijetari thoshte: “Demokracia e do stupcin te dera”! “Stupci” i kësaj motoje për Demokracinë e sotme është “Sundimi i ligjit”. Mund të konkludojmë se pjesa e fundit e motos së Dijetarit – Demokracia është organizëm i gjallë, çdoherë është në lëvizje, që i bie se në vazhdimësi duhet ta kultivojmë dhe forcojmë përmes sundimit të ligjit. Përndryshe nga projektet që kanë mbetur dhe kërkojnë vëmendje në realizimin e tyre në plotni janë: pavarësia e plotë funksionale, demokracia brendashqiptare, integrimi i plotë në strukturat politike, ekonomike, kulturore, humanitare dhe ushtarake euro-atlantike, zhvillimi ekonomik, mirëqenia e qytetarëve etj”, rrëfen Merovci.
Duke qenë se ai ishte aq i afërt me Presidentin për veprat dhe të bëmat e tij, Merovci tregon edhe nëse është vlerësuar dhe harruar Presidenti Rugova nga institucionet e Kosovës. Merovci thotë se ‘ai që harron Babanë e pavarësisë do të mallkohet nga populli’.
“Studiuesit dhe teoricienët sot shtetin e definojnë si gjendje faktike e jo juridike. Kjo d.m.th. se Kosova sot është shtet, por funksionimi i tij i plotë si i tillë është ende i dëshirueshëm. Kjo nuk duhet të na brengos iracionalisht sepse trendet e sotme bashkohore botërore nuk njohin funksionim absolut të shtetit në kuptim të sovranitetit të tij për shkak të ndërlidhshmërisë, varësisë, standardeve dhe parimeve ndërkombëtare që e brishtësojnë sovranitetin absolut. Lindjes apo formimit të shtetit në rastin e Kosovës i ka paraprirë pavarësia e saj. Kur flasim për pavarësinë e Kosovës me gjithë atë rrugëtim të popullit deri në realizimin e saj, takohemi te Baba i pavarësisë që padiskutueshëm është Dijetari Ibrahim RUGOVA. Tani i takon njerëzve të shtetit që quhen pushtetar që mos ta harrojnë Babanë e pavarësisë. Shteti është subjekt statik e pushtetarët lëvizin që d.m.th. se nëse një klasë e një kohe të pushtetarëve harrojnë Babanë e pavarësisë atëherë ata gabojnë papërmirësueshëm dhe populli këto gjëra i vëren. Pushtetarët nuk duhet të lejojnë të gjykohen nga populli për harresa të qëllimta për Babanë e pavarësisë. Mendoj se Presidenti RUGOVA mbetet përkujtues i obligimit tonë që mos ta harrojmë dhe të punojmë për forcimin e shtetit të Kosovës. Ai që harron Babanë e pavarësisë do të mallkohet nga populli”, thotë Merovci për ‘Bota sot’.
Zogaj: Mosprania fizike e të cilët, jo vetëm se po ndihet por po e kushtëzon zhvillimin e Kosovës që as 22 vjet pas çlirimit
Një ndër bashkëpunëtoret e tij, ishte edhe Skender Zogaj. Zogaj ka folur po ashtu për Presidentin Rugova, për të bëmat e tij, projektet që kanë mbetur papërfunduar dhe vlerësimin që i bënë institucionet e Kosovës. Ai thotë se, vitet e kalimit në amshim po e vërtetojnë rëndësinë jetike të mendjes gjeniale të Presidentit Ibrahim Rugova, mosprania fizike e të cilët, jo vetëm se po ndihet por po e kushtëzon zhvillimin e Kosovës që as 22 vjet pas çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë, nuk po mund të bëhet shtet funksional.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/January/21/auto_auto_skender-zogaj-645x42015404795451642748664.jpg)
“Kjo ngecje është rezultat i injorancës dhe i strukturave të organizuara të krimit e të korrupsionit dhe të shërbimeve mafioze, të cilat arritën që të instrumentalizojnë dhe ta fusin në veprim kolonën e pestë të marksistë-stalinistëve enveristë, të cilët i shkaktuan plagë të rënda luftës çlirimtare dhe pasluftës shtetformuese të Kosovës, duke iu kundërvënë dhe penguar fuqishëm realizimin e projektit të strategut dhe ideatorit vizionar, Ibrahim Rugova! Janë trishtuese vrasjet makabre të bashkëpunëtorëve të Presidentit Rugova, bijve e bijave heroike të atdhetarisë së pastër: Kolonel Ahmet Krasniqit, Xhemajl Mustafës, Enver Malokut, Smajl Hajdarajt, Ismet Racit, Shaban Manajt, Tahir Zemajt, Ukë Bytyçit, Sebahate Tolajt etj.,etj. që u vranë nga dora e tradhtisë vetëm e vetëm që të pengohet realizimi i shtetit të Kosovës sipas projektit të Presidentit historik Ibrahim Rugova”, vlerëson ai.
Zogaj thotë se Presidenti me detaje e kishte planifikuar shtetin demokratik, duke i dhënë rëndësi kryesimboleve të shtetit, himnit, flamurit e vulës së Presidentit. Mirëpo sipas tij, ishin ‘gjakpirësit dhe argatët e ndyrë, që pos vrasjeve politike, ishin me veprimtaritë kriminale të organizuara në kontinuitet kundër projektit për shtetformimin e Kosovës’.
“Se çatallakët batakçinj ishin gjakpirës dhe argatë të ndyrë, antikombëtarist, pos me vrasje politike, dëshmohet edhe nga veprimtaritë kriminale të organizuara në kontinuitet kundër projektit për shtetformimin e Kosovës, që Presidenti Rugova e kishte planifikuar me dizajnim të detajuar gjithëpërfshirës të strukturës së një shteti demokratik modern, me identitet të theksuar historik e kombëtar, ndërlidhës me traditën e lashtë autoktone nga antikiteti i Dardanisë iliriane! Presidenti Rugova ishte i vetëdijshëm për rëndësinë parësore të kryesimboleve shtetërore, prandaj krijoi himnin, "Kur ka ra kushtrimi në Kosovë" dhe Flamurin e Dardanisë, vulën e Presidentit, shenjat e tjera heraldike adekuate me natyrën dhe funksionin e institucioneve të tjera shtetërore, gjithnjë në përshtatje të plotë me tiparet dhe karakterin e veçantisë kombëtare, historike dhe gjeografike, të identitetit tradicional shqiptar të Kosovës”, thotë Zogaj.
Ai thotë më tutje se Presidenti Rugova, erdhi në shprehje edhe me mënyrën e promovimit të këtyre simboleve shtetërore, që i bëri me rastin e vizitave dhe takimeve me burrështetasit dhe misionarët e shumtë diplomatik botëror, të cilët i priste dhe i gostiste me këto shenja, që u mirëpritën dhe u bënë pjesë e kancelarive botërore deri edhe në Shtëpinë e Bardhë.
“Mirëpo, ndryshe vepruan çakejtë e kuq me kthetra të zeza, dilenxhinjtë e frustruar truhirrë, që zgjatën putrat dhe në një ditë feste gjithëpopullore, ua ndalën valëvitjen e Flamujve të Dardanisë, duke i hequr, hedhur përtokë dhe duke i djegur barbarisht në rrugët e Kryeqytetit të Kosovës! Kjo ngjarje makabre më e zezë se krimet e okupatorit serb, e plagosi shtetësinë e Kosovën sepse, bëri që Flamuri i Dardanisë - një kryevepër pamore dhe përmbajtjesore, të zëvendësohet me një flamur për gjynah! Gjithashtu, edhe himni "Kur ka ra kushtrimi në Kosovë", një krijim i shkëlqyer artistik dhe përmbajtjesor, gjithëpërfshirës dhe i plotëkuptimtë për lavdinë historike dhe krenarinë atdhetare të Kosovës, u zëvendësua me një himn kuisjesh të kuisjeve”, thekson Zogaj.
Sipas tij, ‘këto janë dëshmi konkrete të largpamësisë vizionare të strategut Dr. Ibrahim Rugova, i cili fill i vetëm e ka shqyer errësirën e robërisë shekullore dhe me urtësi e mendje të ndritur, ia ka hapur shtegun lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, duke e bërë pjesë të demokracisë evropiane’.
“Mungesa e Presidentit Rugova është e pazëvendësueshme dhe qytetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë se rugovizmi është magjistrala strategjike e realizimit të aspiratave të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Çdo tentim anashkalimi i projektit rugovian është humbje kohe e kot dhe sabotim i prosperitetit të popullit të Kosovës”, përfundon Zogaj.
Zeqiraj: Presidenti Rugova u kujtua nga ata që vazhdojnë t`i besojnë vizionit rugovian, por jo edhe nga drejtësitë pasardhës të LDK-së
Njëri ndër veprimtarët e vjetër të LDK-së, Idriz Zeqiraj po ashtu ka kujtuar veprën e Presidentit Rugova, duke e quajtur vdekjen e tij si një humbje të madhe për Kosovën. Ai thotë se Presidenti Rugova u kujtua nga ata që vazhdojnë t`i besojnë vizionit rugovian, por jo edhe nga drejtësitë pasardhëse të LDK-së.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/January/21/auto_auto_206364167_185513316854297_2038032501681919772_n1624724109_11642748715.jpg)
“Shuarja fizike e Presidentit Rugova, ishte një humbje e madhe për Kosovën si dhe dhimbje e skajshme, për shumësinë e shqiptarëve. Kjo përcjellje lotuese mortore, premtonte një përkujtesë të përjetshme, qoftë të figurës së Tij, qoftë të porosive, të vizionit, të parimeve të hekurta të Dr. Rugovës, të shprehur në thënien lapidare: "Kokën mund të ma ndërroni, por mendimin kurrë!" Vërtet, Presidenti Rugova u kujtua dhe vazhdon të kujtohet, me pietet e adhurim, nga idealistët, të cilët e besuan në gjallje Rugovën dhe vazhdojnë t`i besojnë vizionit rugovian, pas amshimit. Por, kjo nuk ndodhi me drejtuesit pasardhës të LDK-së. Përkundrazi, krijesën e Tij hyjnore, LDK-në e famshme, partinë fillestare pluraliste, në hapësirën ballkanike, për shkaqe karrieriste, e përdhosen, deri në përbaltje. Një rol të veçantë, për anashkalim, deri në harrim të Presidentit Rugova, ka lozur edhe SHIK-u, që, tashmë, ishte dhe vazhdon të jetë i pranishëm, jo vetëm në të gjitha institucionet shtetërore, por, edhe në vet partinë e Presidentit, LDK-së”, thotë Zeqiraj.
Ai përmend edhe deklarimet e Isa Mustafës kur ishte në krye të LDK-së, duke thënë se me të ishte fillimi i rrënimit të demokracisë brenda partisë dhe ishte hapi i parë i largimit nga trashëgimia partiake e kryetarit Rugova.
"Do ta krijojmë një - Lidhje të re -", ishte paralajmërimi i kryetarit Isa Mustafa, sapo u vu në krye të LDK-së. Dhe, vërtet, ashtu ndodhi! Gjithnjë e më pak lakohej emri i Presidentit Rugova, kur bëhej fjalë për ruajtjen e trashëgimisë dhe të vizionit rugovian. U fillua me rrënimin e demokracisë brenda-partiake në qendër, për t`u bartur në bazën partiake. Shuarja e aktivave, si celula të lidhjes dhe bashkëpunimit me bazën partiake, ishte hapi i parë, i largimit nga trashëgimia partiake e kryetarit Rugova.
Distancimi i LDK-së nga trashëgimia
"Ndryshimi i statutit të LDK-së, ishte sinjali i qartë, se po zyrtarizohej distancimi nga trashëgimia dhe fryma rugoviane. I gjithë statuti favorizonte kreun e LDK-së, duke i dhënë kompetenca tej mbretërore në drejtimin e partisë. Kjo i dha mundësi edhe të krijimit të një rrethi vicioz, më saktë, të klanit të tij, në marrjen e vendimeve anashkalonte, jo vetëm anëtarësinë, por edhe vetë strukturat vendim-marrëse brenda partisë, siç janë Këshilli i Përgjithshëm dhe Kryesia. Kjo i dha mundësi kryetarit dhe klanit të tij, të riciklohen në pozitat e tyre, me aklamacion, përkatësisht, me votim fiktiv, "alla komunist", hiç demokratik”, thekson ai.
Zeqiraj thotë më tutje se të bëmat e Presidentit Rugova, tashmë, janë lëndore, të dukshme. Rrugëtimi i tij i natyrshëm, me synime të qarta, për t`i shërbyer atdheut; intelektualiteti i veçantë, parimësia proverbiale, e solli atë në kohën e duhur, në drejtimin e Kosovës.
“Presidenti Rugova e bëri paqen dhe luftën. Ai realizoi shumë projekte. Maturia, aftësia unike e Tij, për të përfituar shumë miq, sepse siç thoshte Ai se "shtëpia pa miq nuk mbahet". Dhe, kjo është arritja më e madhe, për çka nuk duhet harruar kurrë. Presidenti Rugova kishte projekte numerike dhe fisnike, për Kosovën tonë. Shteti ligjor, pa krime e hajni, me resurse të bollshme vendore, për t`u zhvilluar e begatuar, duke siguruar mirëqenien e nevojshme, për qytetarët e Kosovës. Këto projekte ishin të arta, por, ndarja nga jeta nuk mundësoi realizimin e tyre. Përkundrazi, opozitarët e atëhershëm PAN-istë, mediokër, në vend që të mësonin nga trashëgimia e Dr. Rugovës, bënë të kundërtën. Me qëllim denigrimi, shpifën, madje, duke botuar edhe libra, me paratë e shtetit, duke mashtruar, kinse, për lobime për njohjet e Kosovës!?”, thekson Zeqiraj.
Ai thotë se kundërshtarët e Dr. Rugovës, në vend që të përfitonin nga trashëgimia e tij e shkëlqyer, ata, në gjallje provuan, të paktën, dy herë vrasjen e tij, sepse, gjithsesi, e donin të vdekur.
“Për çudi, njëri nga atentatorët, pranon vënien dhe shpërthimin e tritolit, buzë rrugës, kur kalonte vetura e blinduar e Presidentit Rugova, më ç`rast u dëmtua. Krimineli rrëfen porosinë e marrë nga anëtarë të SHP të UÇK-së, madje, me emër dhe mbiemër. Megjithatë, kriminelët janë të lirë dhe të veshur me pushtet! Disa "komandantë" të babëzitur e mujëshorë, për t`u pasuruar ngutshëm e hajnisht, nëpërkëmbën, deri në përtokjen e Kosovës, shtetin më të ri, por, edhe më të brishtë të Evropës. Ata nuk lanë "gurë pa lëvizur", për ta lënë në harresë, veprën madhore të Presidentit Rugova. Sikur nuk u mjaftuan, me kërcënime e shantazhe, për vrasje e kidnapim të fëmijëve të Presidentit, të cilët kaluan një fëmijëri të izoluar dhe të trishtë, unike për epokën dixhitale. Edhe tani, kur u maturuan, zyrtarët e lartë, shtetërorë e pushtetarë, rrugaçërisht e poshtërsisht, vazhduan me shantazhe, nga më të ndyrat, kundër Familjes institucion Rugova. Qëllimi mafioz, duke i diskredituar fëmijët e Tij, ta godasin, figurën e shenjtë të vet Rugovës, edhe pas amshimit! Megjithatë, dështuan turpshëm. Shqiptarët kurrë nuk u lëkundën, në besimin e madh, për themeluesin faktik të Shtetit të Kosovës. Për shqiptarët e anembanë botës, në mendjet dhe zemrat e tyre, figura e Presidentit Rugova, ishte dhe mbeti hyjnore. Ndërkohë, për kundërshtarët e Tij, koha, historia rezervoi fundin e palavdishëm, ashtu si pritej nga opinioni i gjerë. Udhëheqja e re e LDK-së, i ka premtuar elektoratit dhe popullit, se do t`i rikthehen frymës rugoviane, trashëgimisë udhë-rrëfyese, për t`i realizuar projektet e papërfunduara madhore të kryetarit Rugova. Në mes vlerësimeve numerike, shquhet ai i Prof. Dr. Sali Berishës se "Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova, nuk ka ndërmjetës në Shqiptari, pas Gjergjit tonë legjendar", përfundon Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.
Maraj: Lidhja Demokratike u formua nëpër shumë pengesa qoftë nga Serbia dhe Rusia
Po ashtu, Presidentin Rugova e ka kujtuar edhe profesori Milazim Maraj. Ai duke treguar historikun e vështirë se në cilat kushte u krijua partia e parë LDK-ja, nga Presidenti Rugova, thotë se Lidhja Demokratike u formua nëpër shumë pengesa qoftë nga Serbia dhe Rusia pas refuzimit të presidentit për ta takuar misionarin rus Vitali Çurkin.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/January/21/auto_akdkfkf1642748779.jpg)
“Por këto pengesa u rënduan kur filluan të dalin edhe nga shqiptarët në të dy anët e kufirit, propozimet e personaliteteve të larta të Shqipërisë që të marrim pjesë në zgjedhjet e Serbisë për të fituar 30% të votave. Pastaj marrëveshja e Kretës, Nano – Millosheviq. Amortizimin e tyre e arritëm vetëm me qëndrimin e patriotik, të pa lëkundur të Presidentit Rugova dhe kryesisë së LDK-së. Në këtë fazë të themelimit të LDK-së, filloi edhe organizimi i mbrojtjes së Kosovës. Fillimisht në Podujevë në muajin Korrik- Gusht 1990 dhe pastaj në tërë Kosovën. Këshilli i informimit të LDK-së kishte kapacitet të madh në tërë vendin. Kurthet për politikë për pluralizmin e rrejshëm Jugosllav u kaluan në takimin që e kishin përfaqësuesit e pluralizmit jugosllav në Hotel Grand në Prishtinë. Presidenti Rugova refuzoi UJDI-n si pluralizëm. Mbajtja e referendumit, dhe e zgjedhjeve të lira u kundërshtua nga disa intelektualë që nuk ishin të gatshëm të merrnin për sipër këtë barrë, por edhe nuk ishin të gatshëm të pranonin Dr. Ibrahim Rugovën për të parin e vendit”, thotë profesor Maraj.
Ai thotë tutje, se pas zgjedhjeve të para u formua Qeveria e Kosovës, në pjesë jashtë vendit dhe pjesa tjetër e pa publikuar në Kosovë.
“Tani filluan edhe disa parti ilegale shqiptare, të cilat shpeshherë me veprimet e tyre binin në vijë të drejtë më interesat serbe. Bardhyl Mahmuti që jetonte në Zvicër shkruante në gazetë: “Le të tregojë Rexhep Gjergji është apo nuk është Ministër i Brendshëm”. “Të deklarohet Anton Kolaj nëse është apo nuk është Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës”. Pengesat e rënda filluan në Qeverinë Bukoshi në vitin 1993/94. Ky ishte momenti më i dhimbshëm, por që nuk arriti Serbia ta materializoj me ndonjë konflikt në mes të shqiptarëve falë Ibrahim Rugovës dhe kryesisë së LDK-së në atë kohë. Kjo ishte pykë në Mbrojtjen e Republikës së Kosovës. Struktura e formuar që ishte e gatshme për të vepruar menjëherë pas armatosjes u shkatërrua nga Kryeministri i vendit. Ishte fillimi i përçarjes dhe zanafilla e krijimit të Shtabit të “Rognerit”, vlerëson ai.
Maraj thotë po ashtu se, në këtë kohë u formua edhe Fondi “Vendlindja thërret” fond krejtësisht i pa kontrollueshëm.
“Ky fond dhe lejimi i financave nga fondi i Qeverisë së Kosovës “Bukoshit” destabilizoi organet legjitime që kishin punuar dhe që nga viti 1990 dhe në të gjitha fazat e zhvillimit të luftës. Sjelljet brutale me këtë fond nga Bujar Bukoshi filluan të bëheshin të zakonshme, i ndali shpenzimet e telefonave në Prishtinë, shpenzimet e rrugës për udhëtimet e Presidentit jashtë vendit ishin ndërprerë, faktorizoi njerëz që nuk kishin orientim për çlirimin e Kosovës, u ndalën financat për Adem Jasharin dhe Grupin e Dukagjinit. U penguan Brigadat institucionale 131 dhe 134 etj, që ishin të vendosura profesionalisht në Jasiq, Gjocaj dhe Junik dhe në Prapaçan e deri në Loxhë. Përsëri konflikti në mes të shqiptarëve u evitua fal vizionit të Salih Çekajt dhe oficerëve dhe bashkëluftëtarëve të tij vizionar, profesionalist që kishin qëllimin e qartë pse janë aty”, rrëfen Maraj.
Shantazhet, kërcënimet
Ai tregon më tutje se armatimi dhe furnizimi i këtyre brigadave u ndal. Kjo gjendje tregonte se këta njerëz nuk kishin synim çlirimin e Kosovës, por pasurimin e grupit në Rogner.
“Luftëtaret u detyruan të kthehen për në Shqipëri. Pas lufta filloi me inate, urrejtje në mes veti sa që të dukeshin shumë të pakuptimtë njerëzit me të cilët kishim punuar bashkë. Ndjenja kishte dominuar mbi arsyen kudo në çdo gjë. Kosova tani më shumë i përngjante Shqipërisë së viteve 1996/97 se Kosovës kur bukën e ditës e ndanim bashkë. LDK-ja para tre katër muajsh ishte partia që përgjigjej për çdo gjë, e papritmas propagandohej si diçka shumë e keqe. Dukej sikur çdo gjë kishte humbur kuptimin. Këta njerëz që krijuan këtë gjendje pa sigurie në Kosovën e lirë hapnin defetizëm, frikë dhe pakënaqësi. Shantazhet, kërcënimet, ofendimet u bënë tituj nëpër gazeta që quheshin të guximshme, të pavarura etj. KFOR-i, UNMIK-u, shoqata humanitare dhe misionar që e kishin njohur mirë Kosovën së paku dhjetë vite më parë tani befasoheshin me këtë gjendje”, tregon profesor Maraj.
Ai tutje përmend edhe rastin e trazirave të vitit 2004. Ai tregon në detaje se njerëz të dyshimtë kishin vendosur barrikada në rrugë.
“Atë ditë po ktheheshim nga një protestë që kishte organizuar LDK-ja në Prishtinë para Teatrit Kombëtar në Prishtinë. Kur po kthehem diku afër Kievës më telefonoi kryetari i Komunës, tani i ndjerë Fadil Ferati. I tregova ku jam dhe më tha unë kerrin e lash te shtëpia e kulturës në Istog. E kanë bllokuar Komunën. Rrugës më telefonoi Gani Ahmetgjekaj nga DKA, në Istog, dhe më tha I.B. po kërkon t’i lëshojmë nxënësit nga gjimnazi. Mbërrimë në Istog dhe në dy vende nuk lejohej të kalohej. Dola te Sheshi i Gjakut edhe aty rruga ishte e zënë. Kishin qit disa shtylla elektrike në rrugë. Parkova kerrin para atyre shtyllave dhe shkova në Komunë ku ishin mbledh në zyrën e krye shefit të gjithë anëtaret e kryesisë dhe drejtoret e drejtorateve. Pas një bisede mësuam që KFOR-i kishte thënë a mund t’i hiqni ju vet barrikadat. Unë i thash ata po kërkojnë t’i heqim ne. Unë po shkoj me i heq. Disa nga kolegët më tha që të mos ngutem, por unë dola. Me mua erdhën bashkudhëtarët e mi me të cilët ishim në Prishtinë, Valdet Fetahaj, Haki Maraj, Danaj dhe nga komuna erdhi edhe Haki Zeqiraj. Hapa kerrin dhe ju thash hiqni shtyllat. Njëri nga grupi që i kishin qit shtyllat më tha: o Milazim na po kujtojmë që po bëjmë mirë. Jo kjo është shumë keq, kur ta kuptoni kush i ka organizuar do të pendoheni shumë. Ndërsa një polic i Kosovës, i cili F. D. që po qëndronte në turmë afër barrikadës më tha: “Milazim le të dihet që t’i i hape barrikadat”, po ti je në mbrojtje të këtyre barrikadave? Jo na jemi vetëm për të penguar ndonjë ekses. Hapëm barrikadën edhe në kodër të Mullinjve. Edhe në këtë barrikadë kishte mbërri polici F.D. ai përsëriti të njëjtën fjalë. Ndërsa K. M. më tha na po kujtojmë që po bëjmë mirë o burrë. Jo, jo, i thashë: kjo është shumë keq për ne dhe krejt Kosovën. Hapeni barrikadën, në anën tjetër ishin autobusët që kishin ardhur për t’i marrë nxënësit. I thash pronarit të autobusëve që të kalojë dhe t’i marrin nxënësit, ndërsa Ganiut i kisha thënë që të mos i lëshonte nxënësit derisa të mbërrijnë autobusët. Nga minareja e xhamisë dikush urdhëronte me altoparlant “Askush të mos i hap barrikadat pa vendimin e këshillit organizativ”, rrëfen ai.
Ai thotë tutje se, kjo gjendje vazhdoi për disa ditë në komunat tjera, dhe ishin shumë të vrazhda. Te gjithë propagandën rrejshëm serbe e vërtetuan këta njerëz për këtë dyndje të pakuptimtë dhe mjaft vetëvrasëse.
“Kjo ngjarje e kthej Kosovën për dhjetë vite pas. Tani viktimat e derisotme dolën kriminelë, që prishin kisha, varreza, nuk njohin institucionet e veta, as protektoratin që kishte ardhur si fazë tranzicioni siç e kishte kërkuar Presidenti Rugova. Të gjitha raportet tani ndërruan. Kosova humbi plotë 23 vite të zhvillimit dhe transformimit të saj. Nga një vend që njerëzit vinin nga katër anët e botës për të luftuar për lirinë e vendit të vet tani; pa luftë ikin nga vendi i vet, kudo nëpër botë”, thotë profesori Milazim Maraj për ‘Bota sot’.
Maxharraj: Ibrahim Rugova ishte dhe mbeti bir i madh i kombit
Presidentin Rugova në këtë përvjetor e ka kujtuar edhe profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Binak Maxharraj. Ai në një prononcim për ‘Bota sot’, thotë se Ibrahim Rugova është sinonim i njeriut të urtë, njeriut vizionar, i njeriut që e do vendin e vetë, i njeriut i cili e ndërton dhe nuk e shkatërron vendin e vetë, i njeriut i cili nuk e vjedhë dhe plaçkitë vendin e vetë, i njeriut i cili me plotë fuqinë e vetë e mbron sovranitetin e shtetit të vetë, i del zot vendit të vetë në çdo kohë, i njeriut, i cili ia rritë famën dhe namin shtetit të vetë në botë.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/January/21/auto_auto_Binak-Maxharraj15909175831642748825.jpg)
“Të gjitha këto ishin dhe mbeten vlera që fuqishëm mishërohen në personalitetin e Presidentit historik Ibrahim Rugova. Ibrahim Rugova ishte dhe mbeti bir i madh i kombit. Ai bëri historinë bashkëkohore të shqiptarëve. U lidh me popullin në kohët më të vështira kur shqiptarët ishin të shtypur nga regjimet e armiqve tanë, të cilët donin që ta zhbinin nga faqja e dheut, duke i keqtrajtuar, duke i shpërngulur, duke ua zapu territorin. E mori guximin prej intelektualit, e ndau popullin shpirtërisht nga shovinizmi i Millosheviqit duke e organizuar paralel jetën politike me shqiptarë në të gjitha sferat e jetës. Tërë jetën e vet e shkriu për pavarësinë e Kosovës. Ai i tregoi botës se ku gjendet Kosova. I tregoi botës se në Kosovë jeton një popull më i lashtë në Ballkan dhe se ai është i shtypur, i keqtrajtuar dhe bota i doli në ndihmë për ta çliruar Kosovën për të cilën ishte në gjendje edhe jetën ta jepte. Ai është biri më i devotshëm, i cili doli nga gjiri i popullit, e udhëhoqi atë me mençuri. Populli atë e respektonte, ia jepte votën sa herë që kishte zgjedhje. Dhe mu për këtë arsye ai mbetet ikona më e çmueshme e popullit shqiptar, mbetet figura që kurrë nuk shuhet në mendjen e popullit. Me fjalë të tjera Presidenti historik Ibrahim Rugova është vlerë kombëtare”, vlerëson profesor Maxharraj.
Nën drejtimin e Shtabit të Rognerit u eliminuan kuadrot më të devotshme
Mirëpo se si ishin njerëzit e tjerë përreth Presidentit Rugova? Maxharraj thotë se ata nuk ishin të tillë si Presidenti, madje nuk i lanë vend atij as në luftë, as në paqe.
“Mirëpo, a ishin të tillë edhe njerëzit tjerë rreth tij. Jo nuk ishin. Njerëzit rreth tij (jo në institucion, por në politikën e Kosovës) ishin si bisha, ishin kriminelë, hajna dhe plaçkitës dhe rrënues të shtetit. Ata nuk ia lanë vendin Rugovës as në luftë dhe as në paqe. Gjatë luftës kriminelët, rrugaçët e dikurshëm më shumë e kishin në shënjestër Rugovën dhe njerëzit e tij që luftonin në vijën e parë te frontit, se që përballeshin me ushtrinë dhe kriminelët serbë. Ata gjatë luftës ua zunë pritat njerëzve më të devotshëm të Rugovës dhe i eliminuan në pabesi, sepse ishin të pabesë. Gjatë luftës nën drejtimin e Shtabit të Rognerit u eliminuan kuadrot më të devotshme të çështjes kombëtare. U ekzekutua gazetari, cimeri i Hashim Thaçit, Ali Uka, pastaj Ilir Konushevci, Behajdin Hallaqi, Sadri Ramçaj (i kishte 300 mijë marka me vete për ndihmë luftës), Shaban Shala, por e likuiduan falangat e LPK-së, edhe kryeministrin e Rugovës kolonelin Ahmet Krasniqin e shumë te tjerë”, rrëfen Maxharraj.
Ai thotë tutje se, në shënjestër ishin njerëzit e Rugovës.
“Vrasjet nisën me ekzekutimin e Enver Malokut njeriut të ngushtë me Rugovën, pastaj me vrasjen e mësuesit të Hashim Thaçit, Haki Imerin, vazhduan me vrasjet e figurave tjera të njohura të Rugovës, por edhe figurave ushtarake, të cilët u likuiduan për hakmarrje politike, ndër ta po veçojmë likuidimin te dera e shtëpisë Ekrem Rexhën, Shaban Manaj të cilin pas vrasjes e karbonizuan, Rashit Mustafa ”Karadaku”, Ismet Rraci, Smail Hajdaraj, Ukë Bytyqi, kolonel Tahir Zemaj me të birin Enisin dhe Hasan Zemaj, policët Sebahate Tolaj, Isuf Haklaj e shumë të tjerë. Pos vrasjeve të bashkëpunëtorëve shigjetat helmuese vrastare të skuadrave vrastare ishin drejtuar edhe ndaj vetë Presidentit Ibrahim Rugova, sepse nuk e donin të gjallë, sepse vrastarët, hajnat dhe kriminelët nuk e donin një Kosovë paqësore dhe të lirë për çdo kënd, por ata donin një Kosovë ku “as dreqi se njeh të birin” një Kosovë përsëri të mbushur me gjak, një Kosovë ku mund të sundonin ligjet e tyre vrastare të hajnisë dhe korrupsionit e jo ligjet e demokracisë”, vlerëson ai.
Megjithatë, Maxharraj thotë se, edhepse Presidenti Rugova kaloi nëpër purgatorët e zgjarrtë dhe nëpër stuhitë dhe furtunat për likuidimin e tij, por edhe të vrasjeve të bashkëpunëtoreve ai qëndroi stoikisht, i palëkundur por me dhembje të madhe në shpirt, ai asnjëherë nuk kërkoi hakmarrje kurrë ndaj atyre që ia vranë bashkëpunëtorët dhe bënë atentate në të.
“Thjeshtë ai nuk donte hakmarrje dhe gjakderdhje vëllazërore. Gjithmonë thoshte, boll na kanë vra armiqtë tanë dhe tani nuk duhet të vritemi mes nesh. Kjo është vlera e tij, kjo është madhështia e tij prej njeriu, intelektualit dhe udhëheqësit të Kosovës të cilën atë e deshi më shumë se vetën dhe ishte në gjendje edhe jetën ta jepte për të”, thotë profesor Maxharraj.