Publicisti Idriz Zeqiraj kritik ndaj sistemit të drejtësisë
Edhe pse Kosova i ka të gjitha organet e duhura për të zbuluar vrasjet dhe krimet e ndryshme, ka shumë raste që nuk janë zbardhur asnjëherë.
Po ashtu, ka vrasje të pasluftës që kanë ndodhur në Kosovë, por për këto krime nuk është dënuar askush.
Sistemi i drejtësisë është kritikuar vazhdimisht edhe nga familjarët e viktimave, shoqëria civile, po ashtu edhe nga ndërkombëtarët.
Këta të fundit u menduan që të sjellin drejtësi së Kosovë duke sjellë edhe gjyqtarë.
Publicisti dhe analisti i çështjeve politike, Idriz Zeqiraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka kritikuar sistemin e drejtësisë, duke thënë se gjykatat e huaja kanë dështuar të bëjnë drejtësi në Kosovë.
“Në këto dy dekadat e fundit, është dëshmuar se gjykatat e huaja dhe gjyqtarët e tyre, kanë dështuar të bëjnë drejtësi në Kosovë. Arrestimet i kanë pasur të sakta, të bazuara, si kryerës të veprave kriminale, por, hetimi ka qenë i dobët dhe hiç serioz. Për rrjedhojë, gjykimi dhe masa e ndëshkimit, ka qenë qesharake e kriminale. Sepse, në vendet e këtyre gjyqtarëve, kurrë nuk ka ndodhur, që për disa vrasje, janë dënuar me 4 (katër) e 5 (pesë) vjet burg, madje, duke u liruar në gjysmë të vuajtjes së dënimit!!!”, ka theksuar ai.
Gjithashtu, Zeqiraj ka treguar se pse është krijuar Gjykata Speciale e Kosovës.
“Përafërsisht, njëjtë ka ndodhur edhe në Gjykatën e Hagës, për kriminelët e Kosovës. Andaj, shqiptarët, të cilët, në masën 85 % e tyre, duan drejtësi dhe ndëshkim për kriminelët, pavarësisht përkatësisë shtetërore, kombëtare, fetare, pozitës e tjera. Ndërkohë, krijimi i Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, ka qenë i domosdoshëm, sepse sistemi i drejtësisë është kapur, pikërisht, nga pushtetarët të inkriminuar, aktualisht, në opozitë”, ka deklaruar Zeqiraj për “Bota sot”.