Edhe pse Serbia kreu gjenocid në Kosovë, në luftën e fundit dhe Kosova ishte viktimë, ajo vazhdon të mos i ndalë kërcënimet.
Kërcënimet po bëhen në vazhdimësi dhe në trajta të ndryshme. Njëherë nga zyrtarët e lartë të politikës shtetërore, dhe tani kanë filluar edhe kërcënimet ushtarake.
Serbia duket sikur po e pret edhe gjënë më të vogël për të bërë një kërcënim apo dhe ndërhyrje ushtarake në Kosovë e të shkaktojë konflikt.
Së fundi kërcënimi erdhi nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviq.
Ai ka thënë se nuk e përjashton mundësinë e veprimeve të reja të njëanshme të Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës, derisa sipas tij, Forcat e Armatosura do të reagojnë ndaj veprimeve të tilla.
“Nuk e përjashtoj mundësinë që forcat e sigurisë që ekzistojnë në Kosovë të angazhohen në mënyrë të njëanshme dhe në mënyrë disproporcionale për të arritur disa pika politike në terren, por kërkesa jonë, insistimi dhe disa gjëra të tjera do të jenë në funksion të sigurimit të paqes dhe që garanton që populli ynë në Kosovë të mund të jetojë dhe të ushtrojë të drejtat e veta si të gjithë qytetarët e këtij vendi”, ka deklaruar ai.
Pse Serbia bën vazhdimisht kërcënime të tilla ndaj Kosovës, sa duhet marrë sesriozisht ato, sa janë shanset që të bëjnë ndërhyrje të tilla dhe si duhet të veprojë Kosova?
Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” kanë dhënë mendimet e tyre ekspertë të sigurisë.
Halimi: Shanset për ndërhyrje ushtarake janë minimale
Armend Halimi
Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë (ISS), thotë se nuk duhet befasuar nga asnjë kërcënim nga Serbia derisa bashkësia ndërkombëtare nuk ndërmerr masa ndaj saj.
“Nuk duhet befasuar nga asnjë kërcënim nga ana e Serbisë. Kjo vazhdimisht tregon se është e padisiplinuar dhe jo vetëm për Kosovën, por ndaj çdo vendi në rajon ka treguar apetite ekspansive dhe agresive, e do të vazhdojë të jetë kështu gjersa bashkësia ndërkombëtare nuk ndërmerr sanksione disiplinuese ndaj saj”, është shprehur ai.
Sipas tij, mundësitë për sulme nga ana e Serbisë janë minimale derisa e di se do të ballafaqohet me NATO-n dhe Amerikën.
“Ndryshe, sikurse më herët, sikurse tani Serbia, e di fare mirë se ndaj çfarëdo përpjekje të saj agresive ndaj Kosovës, do të ballafaqohet me aleancën më të fuqishme në botë NATO-n, me në krye Amerikën, andaj edhe gjasat për një sulm vetanak nga Serbia janë minimale. Mirëpo, aktualisht zhvillimet ndërkombëtare bën të shihen në analogji me zhvillimet në kohën e luftës së ftohtë, pra ndeshje mes Rusisë dhe SHBA-ve, e që vendet e vogla janë vetëm reflektim i qëndrimit të këtyre dy blloqeve apo ndeshje interesash, në këtë drejtim, cenimi i cilitdo vend aleat nga njëra anë, do të marrë kundërpërgjigje nga aleanca që i takon”, vlerëson Armend Halimi për “Bota sot”.
Ndërsa, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, duke folur për këtë temë për gazetën “Bota sot”, tregon se pse Serbia trazohet dhe kërcënon.
“Edhe një kërcënim nga Serbia, edhe atë nga shefi i Shtabit të Ushtrisë serbe. Është e dukshme dhe e qartë që sa herë ka ndonjë zhvillim në Kosovë, pra edhe takime të rutinës, siç ishe takimi i para disa ditëve i dy Ministrave tanë, të Mbrojtjes dhe Punëve të Brendshme, aparati shtetëror në Serbi trazohet. Ata duket që janë shumë paranojak, por jo veç kaq”, thotë ai.
Drizan Shala
Dy qëllimet e Serbisë përmes kërcënimeve
Sipas Shalës, me këto kërcënime Serbia ka dy qëllime.
“Konsideroj që kërcënimet e vazhdueshme periodike në situata të caktuara nga Serbia mund të kenë dy qëllime. E para: Përmes kërcënimeve për ndërhyrje ushtarako policore në Kosovë, e në veçanti në veri të arrijë dy të goditura: t’i bëjë presion Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar në Kosovë, që në fushën politike në negociata të arrijë më shumë dhe e dyta: Që në një të ardhme, realisht të realizojë një agresion real në veri të Kosovës dhe që më pastaj politikisht të krijojë mbrojtje duke thënë, se ne ju kemi paralajmëruar që moti dhe për këtë ne duhet të jemi të përgatitur”, vlerëson eksperti.
Por, ai mendon se këto kërcënime duhet trajtuar seriozisht nga NATO-ja dhe SHBA-të dhe shton se Serbia mund t’i realizojë këto kërcënime.
“Këto kërcënime, e sidomos ky i fundit nga shefi i Shtabit të Ushtrisë serbe, mendoj se faktori NATO në Bruksel e sidomos US Army, duhet seriozisht t’i trajtojë dhe të japin një sinjal të fuqishëm, të ngjashëm me dislokimin e batalionit rezervë të KFOR-it që u realizua kohë më parë. Ata po kërcënojnë, por edhe mund ta realizojnë me skenarët që veç ata dinë t’i bëjnë, në emër të mbrojtjes së popullatës civile serbe në veri dhe gjithë Kosovën, duke përdorur në aspektin ligjor edhe rezolutën 1244 si dhe gjendjen politike në të cilën gjendet Kosova në arritjen e njohjes me Serbinë, si dy shtete të pavarura”, është shprehur Shala.
Më tej, ai potencon se institucionet e Kosovës duhet të kenë kujdes e po ashtu populli i Kosovës.
“Nga kjo del detyrë imediate e institucioneve të Kosovës, që të kenë kujdes dhe popullata shumicë të jetë shumë vigjilente për të mos rënë pre e ndonjë provokimit të montuar të shtetit serb. Popullata duhet të jetë shumë bashkëpunuese me Policinë e Kosovës dhe me KFOR-in për të informuar me kohë çdo skenar ogurzi që shohin në terren, aty ku jetojnë. Duket qartë se Serbia është trimëruar, e edhe më qartë duket faktori rus në Ballkan pas Serbisë dhe bandave tjera paramilitare siç janë WAGNER”, thekson ai.
Ai e ndërlidh këtë edhe me zhvillimet në Ukrainë, teksa përmend Malin e Zi, Bosnjën, Maqedoninë e Veriut dhe situatën që është në këto vende.
“Pra, zhvillimet në Ukrainë de facto e japin një determinim edhe mbi gjendjen e sigurisë në rajon duke parë që në:
1. Mal të Zi kemi acarim të situatës politike ku Beogradi është i interesuar që të ndërhyjë sa më parë aty duke i lejuar vetes një dalje në Detin Adriatik.
2. Bosnje dhe Hercegovina duke defunksionalizuar sistemin politik dhe juridik në atë pjesë ku Republika Serbe do të kërkojë shkëputjen e saj nga kjo konturë shtetërore.
3. Maqedoni e Veriut, ku dihet se nuk kemi stabilitet politik të jashtëm me Bullgarinë, e cila është duke përdorur këtë si shantazh për interesat e saj në fushën ndërkombëtare ndërsa në anën tjetër po bën që t’ju mundësohet një terren për të ndikuar Serbia përmes fraksioneve të saja brenda sistemit politik atje”, ka deklaruar Drizan Shala për gazetën “Bota sot”.