Tema e korrigjimit të kufijve për vende e Ballkanit ka marrë sërish pak vëmendje, por vetëm në qarqe analishtësh. Asgjë zyrtare nga asnjë fuqi, që ndihmoi në krijimin e Kosovës shtet. Rritja e agresivitetit ushtarak rus ndaj Ukrainës fillimisht dhe tani ndaj Evropës Lindore, i ka shtyrë të besojnë edhe analistë amerikan me ndikim, se Ballkani do të ndahet pikërisht për shkak të ndikimit rus. Ndikimin rus e formëson Serbia, e cila po zbaton politika konform interesave aktuale ruse.
Kështu analisti amerikan për Ballkanin, profesori Daniel Server, vjen në përfundimin se Ballkani do të ndahet, vetëm për shkak të vendosmërisë ruse.
Paralajmërimi nga ai është bërë përmes një shkrimi autorial, ku ka thënë se mbetet vetëm se kur dhe do të bëhen vijat e kësaj ndarje.
“Më pëlqen ideja për të punuar shumë për njohjen nga jo-njohësit e BE-së, veçanërisht të katër vendeve që janë anëtare të NATO-s. Aleanca duhet të përgatitet për pranimin e Kosovës jo më vonë se përfundimi i ushtrisë së saj, i planifikuar për në vitin 2027. Por, nocioni se njohja ose anëtarësimi në NATO do të zhbëjë disi zhvendosjen e brendshme dhe ndërkombëtare të Serbisë në drejtime të gabuara, është imagjinar. Evropa “e tërë dhe e lirë” është një shkronjë e vdekur për momentin. Kështu është edhe Ballkani “i plotë dhe i lirë”. Ballkani do të ndahet sepse kështu e duan Moska dhe Beogradi. Pyetja e vetme është se ku do të vizatohen linjat”, ka deklaruar Server.
Por, presidenti amerikan Joe Biden, që në fushatën zgjedhore për president të SHBA-ve, dhe edhe më fuqishëm me ardhjen në Shtëpinë e Bardhë, ka theksuar se Kosova është një dhe se është vetëm një rrugë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Serbinë, ajo është njohja reciproke ndërmjte dy shteteve.
Kjo linjë zyrtare është konfirmuar edhe nga autoritetet tjera amerikane, dhe në të gjitha rastet nga ambsadori amerikan në Kosovë Hovenier, i cili është zotuar për të punuar në funksion të arritjes së marrëveshjes për njohje reciproke, dhe për ta njohur Kosovën, pesë vendet e BE-së, që ende nuk e kanë njohur.
Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, në gjithë territorin e saj, kjo është paradigma e diplomacisë Biden, e thënë qartë edhe në rastin e mos lejimit të mbajtjes së referendumit antikushtetues serb.
Pra, linja zyrtare amerikane, nuk ka ndryshuar aspak, dhe nuk ka asnjë lëvizje në dëm të Kosovës.
Ndërsa, në Kosovë kjo komentohet në mënyra të ndryshme.
Qarri: Rreziku për ndarje të Ballkanit real
Gani Qarri
Gani Qarri duke komentuar për gazetën “Bota sot” për këtë temë, thotë se rrezikun për ndarje të Ballkanit e vërteton edhe fakti se BE-ja e ka braktisur interesimin për integrimin e tyre.
“Duket se të paktën siç shprehet edhe vet analisti i mirënjohur amerikan z. Daniel Server, Ballkani sërish do të kthehet në një problem madhor për gjithë rajonin, madje sipas tij, ai edhe do të ndahet ngase kështu dëshiron Moska e Beogradi, dhe vetëm mbetet të shihet se si do të ravijëzohen vijat e reja. Se Ballkani rrezikohet nga ndarja, këtë sikur e vërteton edhe braktisja e tërësishme që BE-ja u ka bërë vendeve të Ballkanit Perëndimor, akt që po kthehet në kërcënim serioz për stabilitetin e gjithë rajonit”, thotë ai.
Sipas Qarrit, rrezik për këtë është edhe armatimi i pareshtur i Serbisë nga Rusia dhe Kina, që është plan për gllabërim të tokave.
“Për aq më tepër, në këtë drejtim, çon edhe armatimi i pareshtur i Serbisë nga Rusia dhe Kina, akt që nuk mund të ketë asnjë arsye tjetër, përveç planeve për gllabërimin me forcë të territoreve të Bosnje e Hercegovinës, tentimit për pushtimin me ushtri edhe të veriut të Kosovës, siç po paralajmëron shefi i ushtrisë së Serbisë, pastaj të Malit të Zi etj, nëse një gjë të tillë e lejon bashkësia ndërkombëtare, gjë që nuk mund të kalojë pa gjakderdhje të reja masive. Madje rritja e pranisë së personelit ushtarak rus dhe agjenturave të saj të fshehta në Serbi, po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme për stabilitetin politik në mbarë Ballkanin Perëndimor”, është shprehur ai.
Analisti vlerëson se siç ka thënë Server, rreziku për ndarjen e Ballkanit po bëhet real dhe për këtë tregon arsyet.
“Ndaj ashtu siç shprehet z.Daniel Server, me rritjen e ndikimit të Rusisë e cila është edhe aleate e Serbisë, sidomos sa i takon shkaktimit të destabilitetit dhe trazirave në këtë pjesë të Evropës, si dhe nxitja prej agjentëve të saj, e Millorad Dodikut për ndarjen e të ashtuquajturës "Republika serbe", rreziku për ndarjen e Ballkanit, po bëhet gjithnjë e më real. Kjo për vet faktin se shpërthimi i konfliktit në një vend multi-etnik si Bosnja, nënkupton shuarjen e saj si shtet dhe nxitjen në mënyrë zinxhirore të luftërave për territore dhe korrigjime kufijsh, në emër të krijimit të shteteve etnike, në krejt pjesën e trazuar të vendeve të vogla ballkanike, në shumicën prej të cilave, jetojnë disa kombësi, të pakënaqura me statusin e tyre të pakicave, nën dominimin e popujve të konsideruar shumicë”, potencon Qarri.
Por, sipas tij analisti amerikan kësaj here ka dalur me qëndrime të kundërta, karahasuar me të kaluarën.
“Megjithëse eksperti amerikan për çështje të Ballkanit, z. Server, vërtet është një analist i shquar, ndonjëherë habit me parashikimet e tij, paksa kontraverse, i cili para 1-2 vitesh deklaronte se nëse Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, kjo do ta vendosë atë në pozitë të vështirë dhe kthehet në pengesë për anëtarësimin e saj në BE, ndërsa tani, për ndryshim nga atëherë, ndoshta ka informacione konkrete, se aktualisht kanë ndryshuar rrethanat politike, ai deklaron se do të ndahet Ballkani, pasi që, këtë e dëshiron Serbia dhe Rusia?!”, vlerëson analisti.
Mirëpo, sipas Qarrit, duhet pasur parasysh se në Ballkan janë pesë-gjashtë shtete me shqiptarë të ndarë pa dëshirën e tyre dhe se ndarja e kufijve nuk mund të bëhet pa shqiptarët.
“Por, sido që të vije puna, një gjë dihet dhe duhet kuptuar mirë nga të gjithë, se në Ballkan nuk jetojnë vetëm serbët, por edhe shqiptarët, të ndarë në pesë-gjashtë shtete pa dëshirën e tyre, ndaj vizatimi i kufijve të rinj, nuk mund të bëhet më pa shqiptarët, të cilët pas më tepër se një shekulli ndarjeje e copëtimi, kanë nevojë jetike, që përfundimisht të bashkohen në një shtet të vetin natyror, i cili do tu garantonte mbijetesën si popull autokton evropian dhe ofronte sigurinë e vazhdimësisë kombëtare në tokat e veta etnike”, thotë Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.
Shahu: Ndarja e Ballkanit në vija të kuqe e caktuar nga presidenti Bush plaku
Njohësi i çështejve politike Rexhep Shahu
Në anën tjetër, njohësi i çështejve politike Rexhep Shahu, është kundër që mund të ndodhë ndarja e Ballkanit, derisa ai tregon vijën e caktuar nga president Bush me Kosovën brenda interesave amerikane.
“Tema si kjo janë të rënda, por asgjë misterioze nuk ka dhe askush nuk mund të pengojë askënd të shoh e të tregojë ëndrra. Server i bën për ujë të ftohtë dhe kthjellon historinë. Unë mendoj se një ndarje e ka Ballkani ose rajoni, është nga ajo “vija e kuqe” që pati caktuar presidenti Bushi plak dhe ajo vijë ishte përtej Kosovës, Kosova ishte brenda interesave amerikane. Mendoj se rreth asaj vije të kuqe flitet e përflitet”, është shprehur ai.
Sipas Shahut, Rusia nuk ka ortak përpos Serbisë, ndërsa vlerëson se nëse SHBA-të e fusin Kosovën në NATO, Rusia e Serbia ngelen si avionët pa karburant në qiell.
“Nuk mendoj se Rusia mund të jetë ortake ose hisenike në Ballkan, ajo e shumta mund të ketë konak në Serbi dhe askund tjetër në asnjë shtet të Ballkanit. Por, nëse do të ndodhë, që po të vendosë Amerika ndodhë menjëherë që Kosova të hyjë në NATO, atëherë Rusia e Serbia ngelen si avionët pa karburant në qiell. Nëse flitet për ndarje të Ballkanit, flitet jo për kufij të rinj se kufijtë nuk caktohen sa herë do ndonjë shtet, por flitet për kufij ideologjik, për zona influence”, potencon ai.
Ai thekson se Kosova nuk do të jetë asnjëherë nën ndikimin rus dhe Serbia mund të sheh ëndrra që të bëhet e madhe, por ajo ka mbetur e vogël dhe nuk mund të ndryshojë.
“Unë vazhdoj të jem besimplotë se Kosova si investim politiko-shtarak amerikan është e do të jetë në zonën amerikane të influencës dhe asnjëherë me asnjë lloj ndihme ajo nuk hyn nën ndikimin rus. Serbia mund të shoh ëndrra të bëhet e madhe, ka mbetur vetëm Serbi se nuk ka shanse që të bëhet e madhe apo të bëhet ‘Jugosllavi’, sado që do të bëhet “Ballkan i hapur”, deklaroi Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.