Lista Guxo, e cila ishte formuar nga Vjosa Osmani para së të zgjidhej në postin e presidentes, gjatë muajit shkurt do të regjistrohet si parti politike.
Kështu ka njoftuar deputeti Haxhi Avdyli.
“Gjatë muajit ardhshëm bëhet regjistrimi, dhe fillojnë përgatitjet tjera për konstituimin e të gjitha organeve. Do të mbahet konventa, kryetari i ri, kryesia, degët dhe do të jetë proces i vazhdueshëm gjatë vitit 2022”, ka thënë deputeti Avdyli.
Por regjistrimin eventual si parti të kësaj Liste, po e sheh me rreziqe të mëdha analisti politik, Faton Mehmeti.
“Regjistrimi si parti i Listës Guxo mbart me vete rreziqe të shumta, mundësia e saj për rënie është e madhe. Qytetarët ndryshe përqafojnë një lëvizje dhe ndryshe si parti, për më tepër që Vjosa nuk mund të jetë në krye të saj. Lista Guxo është sinonim i Vjosës, identifikohet me të, duke qenë presidente Vjosa kjo gjë e penalizon shumë listën Guxo”, shprehet Mehmeti për “Bota sot”.
Sipas tij, kjo Listë mund të përfundojë njëjtë si Lidhja Demokratike e Dardanisë.
“Në këtë kuptim e shoh të vështirë këtë gjë. Lista Guxo rrezikon të pësojë si LDD, kështu që për momentin e shoh më të mirën për të që të mbetet kështu siç është, duke inkuadruar ose në LDK ose në VV por si fraksion i njërës nga këto. Kështu do të arrinte të ruante anëtarësinë, dhe njëkohësisht të mbetët e rëndësishme në përbërjen e politikëbërjes”, deklaron Mehmeti.
Por kush mund të jetë kryetar i Listës Guxo, në rast se kjo Listë regjistrohet si parti politike?
“Haxhi Avdyli mund të jetë kryetar i saj nëse regjistrohet si parti, por mungesa e Vjosës është fatale për Listën Guxo”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti politik, Faton Mehmeti.