Javën që e lamë pas, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar me 74 vota Projektligjin për Gjykatën Komerciale.
Gjithashtu, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan edhe 32 amendamente përcjellëse të këtij Projektligji.
Me ketë Gjykatë pritet që të lehtësohet puna e gjyqësorit, si dhe rritja e investimeve në Kosovës.
Agusholli: Gjykata do ta rrisë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë
Gramos Agusholli
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Gramos Agusholli foli për votimin e Projektligjit për Gjykatën Komerciale dhe ndikimin e tij.
“Po është e vërtetë se Kuvendi i Kosovës, me 74 vota për e ka miratuar Projektligjin për Gjykatën Komerciale. Fatkeqësisht vetëm deputetët e LDK-së u përmbajtën nga votimi”, thotë ai.
Gjithashtu, anëtari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti thekson se kjo gjykatë do t`i zgjidhë kontestet që janë në mes të bizneseve.
“Gjykata Komerciale do të jetë vendi ku do të zgjidhen të gjitha kontestet që janë në mes të bizneseve. Gjykata në fjalë do të ngritë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, dhe padyshim se gjëja kryesore do të krijojë klimë të mirë për investime nga jashtë. Është një vendim që dëshmon praktikisht se kjo qeveri është seriozisht e interesuar që klima e biznesit dhe investimeve të sigurohet edhe ligjërisht”, nënvizon Agusholli për “Bota sot”.
Gjykata Komerciale/ Kadriaj: Jo vetëm në letër
Mustafë Kadriaj
Ndërkaq, njohësi i çështjeve të ekonomisë, Mustafë Kadriaj , në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se Kosova ka pasur nevojë për një gjykatë të tillë, pasi në këtë mënyrë do të rritej gatishmëria për investime të huaja në vend.
“Për një gjykatë të tillë ka pas nevojë, dhe parimisht ajo do të duhej të reflektonte në përmirësimin e të bërit biznes duke rritur besimin në institucione, njëherit të rritë gatishmërinë për investimete huaja në Kosovë, të cilat ka kohë që janë larguar ose hezitojnë të investojnë si rezultat që kontestet gjyqësore ka vonesë të pafund ose nuk kemi vendime të drejta. Me këtë dua të theksoi që një gjykatë e tillë duhet të arsyetojë veten me veprime të shpejta dhe të paanshme, nëse nuk i arrin këto qëllime vetëm çka do ta ngarkoj buxhetin me staf, si dhe shpenzime përcjellëse”, thotë ai.
Po ashtu, Kadriaj ka shtuar se kjo gjykatë duhet të jetë efektive, e jo vetëm të mbetet, si në letër.
“Si përfundim është e nevojshme një gjykatë e tillë, por nuk mjafton vetëm të krijohet në letër dhe ngarkesë për buxhetin e Kosovës dhe të jetë efektive në kryerjen e detyrave konform ligjeve në fuqi”, deklaron Kadriaj për “Bota sot”.
Kelmendi: Gjykata komerciale lehtëson punën ne fushën civile-ekonomike e komerciale
Muhamet Kelmendi
Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike, profesori Muhamet Kelmendi, vlerëson se nga Gjykata do të ketë ndihmë të madhe në fushën komerciale dhe ekonomike.
“Natyrisht se Gjykata Komerciale do ta ndihmojë shumë Gjykatën Civile dhe ekonominë e Kosovës. Do të kemi një ndihmë të madhe në fushën komerciale dhe ekonomike. A do të bëhet kështu nuk dihet.”, ka thënë ai.
Po ashtu, ai shprehet skeptik nëse do të ketë sukses të madh Gjykata Komerciale.
“Nëse marrim gjendjen aktuale nuk pritet ndonjë sukses i madh edhe me këtë gjykatë. Kudo ka probleme me gjykatat dhe me gjykatës. Sistemi ka rrezik të korruptohet në tërësi. Jemi në një fazë të rëndë. I takon shtetit të veprojë. Shërimi me VETTING është arma kryesore”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.