Duket se së shpejti do të kemi një krizë spitalore me rritjen rapide, prej mbi 30% të numrit të infektuarve në baza ditore, që kur u përhap në Kosovë, varianti i ri kovidit Omicroni.
Kosova përveç që ka pasur dështime në menaxhim të pandemisë nga qeveritë, ajo ka dështuar në masë edhe për shkak se shumë mjekë, sidomos në qendra rajonale kanë refuzuar në heshtje shërbimin etik dhe profesional, duke shkaktuar rritje të numrit të vdekshmërisë.
Një valë e re me dyndje spitalore të pacientëve do ta rikthente krizën e vitit të shkuar në mars dhe në gusht, kur edhe vdekshmëria ishte e lartë.
Edhe pse për një kohë të shkurtër filloi rënia e rasteve me Covid-19, në muajt e fundit ka pasur përsëri rritje, me ç’rast numri i të infektuarve ka arritur pothuajse në 3 mijë.
Së fundmi, qeveria aktuale e Kosovës ka miratuar masa të reja të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.
Ndër të cilat theksohet se sa i përket orës policore, kufizimi i lëvizjes së qytetarëve me vendimin e ri do të jetë nga ora 22:00 deri në orën 05:00.
Procesi mësimor do të zhvillohet me prani fizike, përveç në rritje alarmante të numrit kur kalohet në mësim online. Po ashtu e ndaluar është edhe veprimtaria e klubeve të natës dhe organizimi i festivaleve, dhe gastronomia deri në ora 21.00.
Por, infektologët konsiderojnë se është e domosdoshme sigurimi i barnave anticovid të miratuar tashmë nga shumica e organizatave që japin lejen e përdorimit të tyre. Dy nga ilaçet më të njohura aktualisht janë të prodhuesve Pfizer dhe Merck, por që Kosova dhe as tregu ynë duket se nuk i ka.
Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hotit, në treg gjenden vetëm ilaçet e mëparshme, remdesivir, favipiravir, chloroquine etj. Kjo sepse ende nuk kanë ndryshuar as protokollet e trajtimit. “Të gjitha terapitë e përdorura deri tash kunder covid i ka Kosova. Terapitë e reja të aprovuara për përdorim emergjent kundër covidit, si Molnupiravirin, do ta trajtojë Grupi për Udhërrëfyesin dhe Protokollin për Covid për ta futur në përdorim sipas dëshmive shkencore”, thotë Hoti për “Bota sot”.
“Vendi t’i siguroj barnat për parandalimin e Covidit”
Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot”, infektologu Hamdi Ramadani, në një prononcim për “Bota sot”, deklaron se ditëve të fundit shifrat janë alarmante, andaj sipas tij, efekt të mirë mund të ketë metoda online për punë, si dhe për shkolla, gjë që do të ndikonte në ndaljen e rritjes së numrit të rasteve.
Hamdi Ramadani
“Ashtu siç jeni në dijeni vendi ynë që nga viti i ri e këndej, me ardhjen e mërgatës nga vendet tjera, ka më shumë infektime me variantin Omikcron, pas identifikimit të tij këtu, dhe po shënohet rritje e vazhdueshme e numrit. Por, se këto dy ditët e fundit shifrat janë edhe më alarmante, tashmë me mbi 3 mijë raste në ditë. Kjo është situatë shumë e rënduar dhe shqetësuese, shikuar nga ky drejtim edhe organet shtetërore ditë më parë kanë kaluar në masa më rigoroze shtrënguese për ta ndalur këtë valë të madhe me raste pozitive. Por, edhe me numrin e rritur spitalorë që do të vazhdojë, mendoj se metoda online e punës, shkollave, fakulteteve etj, mund të ketë efekt të mirë në ndaljen e numrit dhe rritjes aq ekstreme të rasteve pozitive të Omikron-Covid 19”, thotë ai.
Tutje u shpreh se nga kjo valë e madhe mund të dalim vetëm nëse respektohen masat, gjithashtu edhe qytetarët duhet ta kuptojnë se situata është serioze dhe të vaksinohen.
Ramadani shtoi se barnat e dizajnuara kundër pandemisë nga OBSH, EMA dhe FDA, janë po ashtu në përputhje në luftimin e pandemisë.
“Dhe nëse masat do të respektohen dhe duhet respektuar në mënyrë strikte, atëherë mund të dalim nga kjo valë e madhe e variantit Omikron dhe të ulet sado pak numri i rasteve. Por, shpresoj se edhe qytetarët do të jenë në nivel të përgjegjësisë së tyre që ta kuptojnë se është fjala për pandemi dhe për një situatë serioze për të gjithë, në mbështetje dhe respektim të masave antikovid dhe së dyti me marrje të vaksinës përforcuese në çdo moshë nga 18 vjeç e naltë, që të ndalet dhe të kufizohet kjo valë e madhe e pandemisë, së treti mendoj se administrimi i vaksinës doza-përforcuese dhe po ashtu dhe barnave të dizajnuara kundër pandemisë disa javë më parë të miratuara nga OBSH-ja, CDS-ja, EMA dhe FDA-ja janë në përputhje me luftën për ta ndaluar pandeminë kovid me variant të llojit Omikron dhe tjera variante të mundshme”, shtoi Ramadani.
Më tej ai propozon që këto barna t’i ketë edhe vendi ynë, sepse do të ndikojnë në shërimin e pacientëve.
“Barna këto që duhet edhe vendi ynë t’i siguroj për këtë kohë të rënduar, sepse do të ndikojnë në ulje të rasteve spitalore dhe shërim të pacientëve me një përqindje deri në 90%, qoftë barna të prodhuara nga Pfizer apo ato të prodhuara nga britanezët ose barna të tjera të ngjashme. Por, nuk jam në dijeni se a i ka siguruar këto medikamente të rëndësishme vendi ynë, por kjo ka bërë qe shkenca dhe mjekësia të punojnë, pra dhe sot t’i kemi barnat specifike ndaj pandemisë kovid 19”, përfundon Hamdi Ramdani.
“Masa të paarsyeshme”
Ndërsa, ekonomisti Mustafë Kadriaj, mendon se Qeveria po merr masa vetëm atëherë kur po rriten rastet.
Mustafë Kadriaj
Gjithashtu ai thekson se, po merren disa masa të paarsyeshme që sipas tij janë, ora policore dhe mbyllja e palestrave, sepse këto nuk ndikojnë në ndalimin e përhapjes së pandemisë.
“Si rezultat i neglizhimit nga ana e qeverisë vetëm kur po rriten rastet me covid, të vetmen punë që e bënë është marrja e masave në paralizimin ekonomik. Pra, Qeveria duhet me qenë vigjilente, përmes mekanizmave të ketë teste dhe vaksinim masiv e jo me çdo kusht masa, ku disa masa janë të paarsyeshme, mund të kujtojmë orën policore si dhe mbylljen e palestrave dhe të fitneseve, ndërsa qendrat tregtare janë të mbipopulluara dhe potencialisht vetëm në një ditë pune të një qendre ka qarkullim sa një palestër fitnesi tërë vitin nuk mund ta ketë. Pra, kësaj Qeverie i ka humbur rruga në oborr, nuk di çfarë po bënë kështu vetëm sa me dalë para opinionit dhe bashkësisë ndërkombëtare që po merr masa. Por, këto masa nuk ndikojnë në parandalimin e përhapjes së pandemisë”, potencoi Kadriaj.
Ai shton se Qeveria nuk po i përkrahë bizneset, si dhe propozon se masat që duhet ndërmarrë janë testimi dhe vaksinimi masiv.
“Pra, qeveria aktuale me masat e ndërmarra nuk po ndikon në ruajtjen e shëndetit, njëherit po paralizon ekonominë, ndërsa nuk i përkrah bizneset dhe punëtorët, të cilët ju rrezikohet aktiviteti ekonomik dhe vendet e punës. Të vetmet masa që duhet të marr Qeveria, duhet të jetë testimi dhe vaksinimi masiv pa e ndalur aktivitetin ekonomik dhe palestrat sportive, e them këtë sepse me ndaljen e aktivitetit ekonomik vetëm çka përkeqësohet gjendja ekonomike, si dhe me mbylljen e palestrave sportive do të rëndohet shëndeti i qytetarëve”, thekson ai.