Kuvendi i Kosovës këtë javë u mblodh në seancë të jashtëzakonshme parlamentare me ftesë të një grupi deputetësh të opozitës për të diskutuar për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Kjo seancë ishte thirrur në përpjekje për të kundërshtuar ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike dhe rritjen e çmimit të rrymës, sipas një propozimi të bërë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE-ja).
Deputetët e Kuvendit vazhduan për orë të tëra diskutimin në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë, mirëpo si përfundim nuk arritën të bien dakord mes vete.
Seanca u karakterizua me ‘përplasje’ të shumta mes deputetëve të pozitës dhe opozitës.
Partitë opozitare nuk i kursyen kritikat dhe akuzat në drejtim të kryeministrit Albin Kurti dhe kabinetit të tij qeverisë.
Megjithatë, kryeministri Kurti nuk qëndroi i heshtur ndaj kritikave të kundërshtarëve të tij politik.
Ai, në Kuvend iu përgjigj deputetëve të opozitës, duke u thënë se premtimet e tij i ka dhënë për katër vjet qeverisje dhe jo për një vit.
“Është shumë interesante një numër i madh i kritikave që i bëhet Qeverisë sonë është sikur të ishim në vitin 2024. Jemi akoma në vitin 2022, ka mundësi që këta dhjetë muaj iu janë dukur shumë të gjatë në opozitë. Ama viti është vetëm 2022, nuk është 2024, nuk jemi në përmbyllje të mandatit. Ende nuk është bërë asnjë vit i mandatit tonë dhe ju kërkoni që ne t’i realizojmë premtimet tona katërvjeçare dhe atë as të kësaj fushate të fundit, por të asaj para kësaj. Shikoni me çfarë standardi na matni neve.
Me fjalë të tjera kundërshtarët tanë i kanë pritshmëritë më të mëdha se votuesit tanë. Votuesit po kërkojnë që premtimet t’i kryejmë për katër vjet, dhe ju po kërkoni që ne t’i realizojmë për 10 muaj. Me fjalë të tjera, pritjet e opozitës janë më të mëdha se të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Kurti.
Analistët politikë për gazetën “Bota sot” komentuan qasjen kritike të opozitës ndaj Qeverisë, si dhe treguan nëse kanë bazë argumentuese kritikat e partive opozitare karshi kryeministrit Kurti.
Peçani: “Tango e fundit në Paris”
Ruzhdi Peçani
Njohësi i çështjeve politike, Ruzhdi Peçani në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi qasjen kritike të opozitës ndaj qeverisë Kurti.
Sipas tij, partitë opozitare kanë një inat dhe urrejtje të skajshme ndaj pozitës, prandaj edhe bëjnë veprime irracionale dhe oportuniste.
"Tani kur Kosova është para shumë sfidave, në planin ndërkombëtar dhe gjeopolitik – e kërcënuar, e prekur nga kriza energjetike, pandemike, që kanë kapluar edhe Evropën, opozita jo se bënte përpjekje që me pushtetin të ofrohen duke bërë unitetin, por vazhdon të sillet me veprimet irracionale dhe oportune.
Kundërshtitë mes opozitës dhe pozitës, jo se qëndrojnë vetëm në konceptet politike po edhe në një padurim absurd gjerë në animozitet. Opozita e tanishme si armë shfrytëzon obstruksionin në parlament. Opozita mban inate dhe urrejtje të skajshme ndaj pozitës, gjë që shihet edhe në seancat plenare në Kuvend”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Peçani thotë se reagimi kundër rritjes së çmimit të energjisë është normal nga ana e opozitës, por që kritikat duhet të jenë të arsyeshme.
Ai beson se në vetvete edhe opozita e ndjen përgjegjësinë për këtë krizë, por që nuk e shpreh.
“Reagimi i opozitës kundër rritjes së çmimit të energjisë është gjë normale. Çdo opozitë serioze në shoqëritë demokratike, reagon ndaj rritjes së çmimeve në çfarëdo lëmi qoftë. Kjo edhe e drejtë, çfarëdo qeverie qoftë nuk mund të jetë ideale dhe gjithmonë gjendet hapësirë për të kritikuar. Por, kritikat të jenë konstruktive dhe racionale. Opozita mjaft mirë e kupton këtë krizë energjetike, në vete ndjen edhe përgjegjësinë, ngase me vite qeverisën vendin”, theksoi analisti.
Në vazhdim, ai beson se rritjen e çmimit të energjisë, opozita po e shfrytëzon për ta sulmuar kryeministrin Kurti.
Madje, Peçani thotë se shumica e deputetëve të opozitës po veprojnë jashtë kodit etik dhe përgjegjësisë së tyre.
“Ngritja e çmimit të energjisë, për opozitën, është vetëm një alibi për të sulmuar qeverinë dhe drejtpërdrejt kryeministrin Albin Kurti. Shumica e tyre, të frustruar dhe skizofren, veprojnë jashtë kodit etik dhe përgjegjësisë që kanë si deputetë – edhe pse thirren se janë politikanë, por jo, janë jashtë kontekstit të të qenurit politikanë, ishin dhe mbeten politokrat dhe plutokrat. Ishin dhe mbeten, si opozitë, parti politike të pa reformuara. Si kauzë nuk u qëndron forcimi i shtetit, qëndrojnë si opozitë ndaj pushtetit dhe shtetit”, nënvizoi Peçani.
Tutje, analisti kërkoi nga opozita që të tregohet e matur ndaj deklaratave dhe veprimeve të tyre.
Kurse, sa i përket protestave të paralajmëruara ai beson se kjo do të jetë përpjekja e tyre e fundit, pasi qeveria do vazhdojë të qëndroj më e fuqishme se kurrë.
“Opozita parlamentare duhet të tregohet e matur dhe nuk do duhej të kishin guximin të shfrytëzohen krizat e tilla për ta destabilizuar Kosovën. Po ndodhin protestat, jo se do jenë të suksesshme, të shkonin në favor të opozitës parlamentare dhe satelitëve jashtë saj si PSD, vetëm sa do thellonin armiqësinë me pozitën.
Nuk do jenë të suksesshme, ngase qëllimi qëndron në një kthim prapa në pushtet të partive opozitare. Dhe për këtë qytetarët janë të vetëdijshëm. Protestat do të jenë përpjekja e fundit, “Tango e fundit në Paris”– Qeveria do të vazhdoj të qëndroj si kurrë më e fuqishme”, përfundoi Ruzhdi Peçani për “Bota sot”.
Mehmeti: Opozita duket se është në ‘hall’ të madh
Faton Mehmeti
Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti thotë se me këto veprime duket se opozita ka një problem të madh.
Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se partitë opozitare të gjithë mllefin për situatat e tyre të brendshme po e shfryjnë ndaj kryeministrit Kurti.
“Opozita duket se është në hall të madh, s’po arrin të këndellet dot nga debakli i 14 shkurtit të vitit të shkuar. Në vend se të merret me vete, të gjej shkaqet e humbjes së tyre, rënies dhe gjendjes aktuale të tyre, ajo krejt mllefin po e shfryn te Albin Kurti. Thua se Albini qeverisi keq për ta, thua se Albini dëshpëroi qytetarët”, deklaroi ai.
Më tej, Mehmeti u shpreh se është hipokrizi që opozita po hedh akuza ndaj qeverisë për dëmet që vetë ia kanë shkaktuar sa ishin në pushtet.
“Të hedhësh akuza ndaj qeverisë për dëmet që vet i kanë shkaktuar, është hipokrizi e madhe. Kjo gjë vetëm sa e shton mllefin e qytetarëve ndaj atyre që nuk janë më në pushtet, me këtë qasje edhe për shumë kohë do të jenë në opozitë”, vlerësoi analisti.
Në fund, ai paralajmëroi PDK-në, LDK-në dhe AAK-në se me këtë qasje do të qëndrojnë shumë gjatë në opozitë, derisa kërkoi që t’i fillojnë reformat e tyre të brendshme.
“Fillimisht, opozita duhet të punojë me veten, të bëjnë reforma, të pranojnë gabimet dhe të fillojnë riorganizimin, pastaj edhe të kritikojnë qeverinë, por jo për gabimet e të shkuarës. Me këtë qasje, partitë në opozitë duket se e kanë shumë të gjatë jetën në opozitë”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.