Mbi 100 mijë trupave ruse janë vendosur pranë kufirit me Ukrainën dhe stërvitjet ushtarake të Rusisë në Bjellorusi, shtuan shqetësimet se Rusia po planifikon pushtimin e Ukrainës. SHBA-ja dhe Britania janë duke pritur që sulmi i Rusisë të fillojë në muajin shkurt, para mesit të muajit, dhe pas fillimit të lojërave olimpike.
Rusia po vazhdon me provokimet ndaj Ukrainës. Po ashtu, Rusia ka filluar edhe stërvitjet ushtarake në Bjellorusi.
SHBA-ja të mërkurën e ka lëshuar një urdhër për largimin e menjëhershëm të të gjithë shtetasve të saj nga Ukraina.
Po ashtu Rusia i ka nisur gjashtë anije nga Flota e Baltikut dhe nga Flota Veriore drejt Mesdheut për manovra, dhe ekziston frika se ato mund të përdoren për luftë duke i dërguar në Detin e Zi.
Këto lëvizje të Rusisë, e cila udhëhiqet nga presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë që t`i alarmojë fuqitë botërore.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe vendet e BE-së kanë paralajmëruar sanksione të ashpra ndaj Rusisë.
Ndërsa kanë intensifikuar angazhimin për rreth kufijve të Ukrainës me forca shtesë nga ajri, toka dhe deti, ndërsa i kanë dërguar edhe armatime shtesë Ukrainës për t’i rritur ajo kapacitetet e mbrojtjes.
Kjo rritje e tensioneve ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, është çështje aktuale edhe në Kosovë, ku ka zëra se në qoftë se fillon lufta edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, mund ta ndihmojë NATO-n.
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka shpreh gatishmërinë që FSK-ja t’i vendosë një numër trupash në dispozicion të SHBA-ve, në rast se i kërkohet për ndonjë mision.
Shefi i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, kolonel Sefer Isufi, i ka deklaruar REL-it se FSK-ja është plotësisht e gatshme që të jenë përkrah SHBA-së dhe forcave të saj në secilin mision.
“Ajo (SHBA-ja) e di më së miri se cilët komponentë të FSK-së mund t’i angazhojë në task-forcën e saj, apo t’i integrojë në kuadër të forcave të NATO-s, në operacionet eventuale në mbrojtje të vlerave euro-atlantike - gjë që është edhe vizion dhe aspiratë e Kosovës”, deklaron Isufi.
Bajqinovci: Kosova do t`i përgjigjet pozitivisht kërkesave të SHBA-së dhe NATO-s
Anëtari i Komisionit Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje në Kuvendin e Kosovës, Mefail Bajqinovci, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se nëse një gjë të tillë kërkohet nga partneret ndërkombëtarë Kosova është e gatshme t`i përgjigjet pozitivisht.
Mefail Bajqinovci
“Por nëse partneret tanë ndërkombëtarë në këtë rast SHBA-ja NATO-ja kërkon nga shteti ynë. Kosova do t`i përgjigjet pozitivisht çdo kërkese nga SHBA dhe partneret e NATO-s”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Gjithashtu, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, është shprehur se FSK është e përgatitur për çdo sfidë
“FSK-ja është e përgatitur profesionalisht për çdo sfidë e cila mund të kërkohet nga partneret tanë”, ka deklaruar Bajqinovci për “Bota sot”.
Berisha: FSK-ja mund të jetë pjesë e operacioneve ndërkombëtare
Po ashtu, edhe anëtari tjetër i Komisionit Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje në Kuvendin e Kosovës, Hisen Berisha, ka theksuar se Kosova mund të bëhet pjesë në operacioneve ndërkombëtare për mbështetje të paqes.
Hisen Berisha
"Shkurt, po! FSK, mund të jetë pjesë e operacioneve ndërkombëtare për mbështetje të paqes, me kapacitete të kufizuara për operacione humanitare. Po ashtu edhe me kapacitete individuale, si Oficer Shtabor etj”, ka thënë ai.
Më tej, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, ka folur edhe për kapacitetin luftarak të FSK-së.
“Kurse sa i përket kapaciteteve luftarake, FSK-ja tani e ka përfunduar fazën e parë, ku janë planifikuar kapacitetet e Komandim Kontrollit, Trajnimit dhe Doktrinës dhe Logjistikes. Kurse ato luftarake intensifikohen tek në fazën e dytë që fillon nga viti 2022”, vlerëson ai.
Deputeti Berisha ka treguar se nën cilën komandë mund të marr pjesë FSK-ja në operacionet ndërkombëtare.
“Pra, FSK mund të jetë pjesë e Operacioneve Ndërkombëtare, nën komandën e vendit pritës "Host Nation" siç është aktualisht në Kuvajt”, ka cekur ai.
Në fund, anëtari i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, ka folur edhe për bazën ligjore e cila ia mundëson FSK-së që të përshihet në Operacione të Mbajtjes së paqes.
“Tani kemi rishikuar bazën ligjore për dërgim të Forcës jashtë vendi, çka mundëson edhe përfshirjen e Kosovës, përkatësisht Forcës edhe në Operacione të vendosjes/bërjes së paqes edhe në Operacione të Mbajtjes së paqes, ndërsa që në Operacione të Mbështetjes së Paqes ka mund të jetë pjesë kundër “host nation”, siç tani me USA, që nga viti 2013, kur janë deklaruar Kapacitetet e Plota Operacionale. Tani kemi dhe oficer, nënoficer e ushtarë të specializuar nëpër Qendra Shkollimi të NATO-s dhe vendeve partnere, të cilët janë të integruar dhe kanë ndërvepruar me të gjitha ushtritë e botës, me theks NATO-s”, deklaron deputeti Berisha për “Bota sot”.
Ja çfarë mund të bëjë FSK-ja në Ukrainë
Ish Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe eksperti i sigurisë, Hafir Hoxha, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se Kosova mund të marrë pjesë në konflikt të armatosur.
Hafir Hoxha
“Kosova në këtë moment dhe në këtë situatë në të cilën gjendet mundet me qenë pjesë e konfliktit të armatosur, edhe nëse nuk i dislokon fare trupat e veta ushtarake jashtë vendit.
Tani, fuqitë e NATO-s nuk munden shumë haptazi të vendosen në hapësirën e Ukrainës, ndoshta politika ndërkombëtare do të kërkojë dislokim të forcave ushtarake atje si forca neutrale, më shumë se sa të rreshtohet në anën e Ukrainës”, thotë ai.
Gjithashtu, Hoxha jep një këshillë për FSK-në dhe Kosovën rreth politikës së shteteve evropiane.
“FSK-ja dhe Kosova duhet t`i shikoj interesat dhe politiken e investitorit në çlirimin e saj, (pra të KFOR-it, të USA-s) tani në një farë forme jemi borxhli, t`iu ndihmojmë atyre, nëse ata vlerësojnë se kemi mundësi me iu ndihmuar. Nuk duhet të bazohemi në politikat e shteteve evropiane, pasi ato nuk janë unike, nuk janë të njëjta karshi problemit Rusi–Ukrainë, e as nuk janë dhe nuk ishin të njëjta, as në problemin tonë mes Kosovës dhe Serbisë”, vlerëson ai.
Më tej, Hoxha specifikon se për çfarë është e aftë FSK-ja në qoftë se do të fillonte lufta në Ukrainë dhe do t`i kërkohej ndihmë nga Kosova.
“FSK-ja ka kuadro profesionale edhe pajisje për të intervenuar në detyra të komplikuara, por jo edhe në ato luftarake! Nuk posedon pajisje, s`ka kuadro të gatshme për ta përdorur armatimin e rëndë luftarak, siç janë mjetet kundërajrore, antitank, mjetet e blinduara sulmuese dhe ato të artilerisë! Lufta nëse fillon atje, këto do të jenë pajisjet luftarake për të cilat ne nuk jemi trajnuar dhe nuk i posedojmë ato mjete. Por, nuk do të thotë se nuk kemi mundësi t’u ndihmojmë në logjistikë si në transport, në mbajtje të rendit, në pjesët e shtetit që janë në situata të jashtëzakonshme. Pra, nuk duhet refuzuar kërkesën eventuale për ndihmë, por duhet t`iu bëjmë me dije se për cilat detyra jemi të gatshëm të ndihmojmë”, përfundon Hoxha për “Bota sot” .