Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka treguar se është duke u kërcënuar dhe shantazhuar nga shteti serb.
Ai tregon se, Prokuroria Speciale në Nish, ka propozuar ngritjen e një aktakuze ndaj tij. Kjo kinse për “tejkalim të apropriacioneve të buxhetit” përderisa ka ushtruar detyrën e kryetarit të Bujanocit më 2018 dhe 2019.
Ai shkruan se, Prokuroria propozon ngritjen e akuzës duke u bazuar në faktin se në momentin e nënshkrimit të kontratës për realizimin e këtyre projekteve, në buxhetin e Komunës, nuk ka pasur mjaftueshëm mjete sa ka qenë vlera kontraktuese e këtyre projekteve.
Lidhur me këtë, juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se në Serbi pozita e shqiptarëve është e rëndë, po ashtu edhe në Kuvend ka qëndrime të ashpra ndaj shqiptarëve.
Madje, e kanë ndryshuar edhe emrin e shqiptarëve, gjë që e kanë bërë edhe ligjore.
“Për qëndrimet politike do të akuzohet z.Kamberi për keqpërdorim në Serbi. Pozita e shqiptarëve në Serbi është e rëndë. Në Luginën e Preshevës janë kompetencat e ngushtuara të komunave shqiptare. Papunësia është e lartë. Gjendja sociale e rëndë dhe të drejtat nacionale e demokratike të kufizuara. Edhe në Kuvendin serb ka qëndrime shumë të ashpra kundër shqiptarëve. I tërë shteti është mobilizuar kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Ofendimet ndaj shqiptarëve janë të rënda. Deri edhe emrin shqiptar e kanë ndryshuar në "shiptari" dhe e kanë bërë ligjore. Deputeti shqiptar në Parlamentin serb, z.Shaip Kamberi, i ka pasur disa qëndrime shumë të qarta dhe të drejtuara për mbrojtjen demokratike të kombit”, theksoi Kelmendi.
Tutje thotë se Kamberi me fakte ka treguar se si po ofendohet kombi.
Kelmendi thotë se ka qenë e pritshme një gjë e tillë, madje sipas tij, ndoshta edhe mund të dënohet për keqpërdorim.
“Edhe për pozitën e shqiptarëve, të qytetarëve mysliman-shqiptar në Sanxhak ka diskutuar. Me fakte tregoi se si po ofendohet kombi. E mohoi dhe e kundërshtoi thirrjen "shiptari" etj., etj. Këto e kanë sjellur në konflikt me pushtetin, si me Daçiqin, Vulinin dhe Vuçiqin. Qëndrimet e z.Kamberi në Kuvend nuk lejohen aq thjesht të kalojnë nga shteti serb. Ka qenë dhe është e pritshme që të veprohet kundër z.Kamberi. Veprimet nuk do të paraqiten në fushën politike. “U gjet” keqpërdorimi i pozitës si kryetar në komunën e Bujanocit. Me këtë u hapën hetimet nga Prokuroria Speciale në Nish dhe me siguri se edhe do të akuzohet e ndoshta edhe të dënohet për keqpërdorim, si mjet, por me bazë politike. Natyrisht se qëllimi është politik”, shto ai.
Më tej potencoi se baza e ndjekjes penale është angazhimi i tij në mbrojtjen e kombit shqiptar, andaj edhe duan ta dënojnë për qëndrimet që i ka paraqitur në Kuvendin serb.
“Angazhimi i z.Kamberi në mbrojtjen demokratike të kombit shqiptar dhe atij myslimano-shqiptar në Sanxhak është baza e ndjekjes penale. Fare nuk ka keqpërdorim të pozitës nga z.Kamberi. Fakti që thuhet se me pamjaftueshmëri të mjeteve në komunë ka bërë kontratë, nuk është vepër penale, tërë kohën sa parashihen klauzolat në kontratë mbi kohën dhe mënyrën e ekzekutimit të saj. Pra, qëllimi është politik. Shteti serb dëshiron ta dënojë z.Kamberi për qëndrimet që i ka dhe i paraqiti në Kuvendin serb. Asnjë fakt tjetër nuk është”, përfundon ai.