Pagesa e rrymës në veri/ Juristi nga Belgjika ‘godet’ opozitën, përmend dy kompani serbe: Ka informacione se …

Politika

Pagesa e rrymës në veri/ Juristi nga Belgjika ‘godet’ opozitën, përmend dy kompani serbe: Ka informacione se …

Nga: A.M. Më: 28 janar 2022 Në ora: 22:32
Foto ilustrim

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese ka obliguar qeverinë që brenda afatit prej 6 muajsh të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit, sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, në bashkëpunim me palët përgjegjëse, për faturimin e konsumatorëve në katër komunat përkatëse me energji elektrike. 

Ndërsa, juristi nga Belgjika Skënder Musliu në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar këtë vendim të Kushtetueses për faturimin e energjisë në veri dhe kritikat e opozitës për rritjen e çmimit të energjisë. 

Së pari, ai komentoi situatën me energjinë elektrike në komunat e veriut të Kosovës. 

“Fillimisht që nga paslufta, energjia elektrike e konsumuar nga katër komunat e pjesës Veriore të Kosovës, respektivisht Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut, është paguar nga Fonde të veçanta të BE-së, kurse nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, nga 2008-ta e gjer më vitin 2017, rrymën e kanë paguar, qytetarët e Kosovës, pa dijenin e tyre e në kundërshtim me ligjin, dhe pas vendimit të Gjykatës së Apelit, u ndërpre kjo praktikë, sepse pagesën e këtyre faturave e bënë Qeveria e Kosovës nga buxheti i shtetit, me aprovimin e Kuvendit”, deklaroi juristi. 

Krahas kësaj, Musliu u shpreh se vendimi i Kushtetueses për energjinë elektrike nuk konstatohet dhe zbatimi i tyre është obligativ. 

Megjithatë, duke i parë rrethanat në komunat në veri të Kosovës, ai dyshon në zbatimin e vendimit të Kushtetueses për pagesën e energjisë elektrike.  

Image
Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu

“Duhet theksuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si institucioni më i lartë juridik i vendosjes, nuk kontestohen, janë definitive, rrjedhimisht zbatimi i tyre është obligative dhe nuk diskutohen. Tani, duke pasur para sysh faktin se për dy dekada është krijuar një presedan negativ dhe diskriminues ndaj qytetarëve që paguajnë rregullisht rrymën dhe atyre të katër komunave në Veri, që nuk e paguajnë rrymën, parashtrohet pyetja, se a do të mund Qeveria e Kosovës për një kohë kaq të shkurtër ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. 

Duke i analizuar rrethanat në Veri të Kosovës, personalisht dyshoj në zbatimin e këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese nga Qeveria e Kosovës, jo se ajo nuk dëshiron apo është kundër, por ambienti i kontekstit politik nuk e mundëson një gjë të tillë. Në pjesën Veriore të Kosovës, në katër komunat respektive, Republika e Kosovës ende nuk e ushtron në plotëni autoritetin e shtetit dhe fatkeqësisht në atë pjesë sovraniteti është i kufizuar”, theksoi ai. 

Në vazhdim, juristi tha se qeveria i ka mekanizmat e nevojshme për t’i zbatuar vendimet e gjykatave dhe se është duke punuar në këtë drejtim. 

Mirëpo, Musliu kritikoi opozitën për akuzat e saj ndaj qeverisë në lidhje me mos pagesën e rrymës në pjesën veriore të vendit, pasi këtë praktikë e kanë vendosur ato parti sa ishin në pushtet.  

“Edhe pse shteti i ka në dispozicion të gjitha mekanizmat e nevojshme për t’i zbatuar vendimet e gjykatave, jam skeptik se në rastin konkret do të ndërmerr masa ndaj qeverisë, për shkak të kontekstit politik, edhe pse qeveria është duke punuar në këtë drejtim. 

Mirëpo ajo që irriton, është fakti se si opozita keqpërdorë gjendjen e krizës energjetike dhe manipulon me qytetarët, se kinse qeveria aktuale i paska fajet për situatën e krijuar. Reagimi i opozitës për mos pagesën e rrymës në pjesën Veriore të Kosovës, është histerike dhe plot hipokrizi, sepse këtë praktikë të kundërligjshme e kanë vendosur pikërisht ata që qeverisën me vendin që nga paslufta”, nënvizoi Musliu. 

Më tej, ai tha se partitë opozitare kritikojnë pozitën, pasi kanë informacione se energjinë që e paguan Qeveria e Kosovës në veri të vendit,  inkasimin e bëjnë edhe kompanitë serbe.  

“Opozita e sotme që aq shumë kritikon, e di shumë mirë sepse ka informacione, se energjinë e konsumuar në Veri të Kosovës, që e paguan Qeveria e Kosovës, inkasimin e bëjnë edhe kompani serbe, e ashtuquajtura «Elektroprivreda srbije» nëpërmjet « Elektrokosmet » . Në Veri të Kosovës, përveç se harxhohet dhe keqpërdoret rryma pa kontrollë, po ashtu nuk paguhet as uji. 

Ditëve të fundit në Kuvendin e Kosovës, opozita ka defiluar në foltore duke kritikuar dhe kërkuar përgjegjësi nga Qeveria Kurti, e cila për hir të vërtetës, gjithnjë ka qenë kundër këtij fenomeni, madje duke kundërshtuar dhe demonstruar forcë”, tha ndër të tjera juristi. 

Në fund, Musliu potencoi se është skajshmërisht diskriminuese, që t’iu paguhet rryma qytetarëve në veri dhe ky është një problem që qeveria Kurti e ka trashëguar vet pushtetet e kaluara. 

“Për fat të keq, ky është një problem që Qeveria Kurti e ka trashëguar nga qeveritë e kaluara, sepse nuk është e ligjshme e as e moralshme, por skajshmërisht diskriminuese, që t’iu paguhet rryma qytetarëve, përveç tjerash, që nuk njohin institucionet e Kosovës, që Kosovën e konsiderojnë territor të Serbisë, kurse nga ana tjetër e shfrytëzojnë Kosovën. 

Ky problem i trashëguar dhe mund të zgjidhet  pas arritjes së një marrëveshje për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, dhe vetëm atëherë Kosova do të mund t’i përdorë instrumentet e nevojshme për zbatimin e Ligjit, rrjedhimisht të paguhen faturat e rrymës, dhe jo vetëm”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat