Përballja e Isa Mustafës dhe Robert Bosch: “Kujt t’i besojmë”?

Politika

Përballja e Isa Mustafës dhe Robert Bosch: “Kujt t’i besojmë”?

Nga: N. Sh. Më: 28 janar 2022 Në ora: 22:34
Isa Mustafa dhe Robert Bosch

Ish-kryeminsitri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, janë përballur njëri me tjetrin në rrjetet sociale për shkak të kompanisë gjermane Bilfinger, e cila thuhet se ishte e interesuar të investojë në Kosovë në energji.

Mustafa në një postim në facebook ka thënë se kompania gjermane Bilfinger nuk ka ofruar asgjë më shumë sesa 15-20 faqe Powerpoint.

“Është e vërtetë se në takimin tim, si Kryeministër me Kancelaren Merkel, më 30 qershor 2015, ndër çështjet e rëndësishme shtroi edhe rindërtimin e Kosova A përmes firmës Bilfinger. Unë shpreha gatishmërinë e plotë ta zhvillojmë këtë projekt. Me angazhimin e Kancelares, të njëjtën ditë, në orët e mbrëmjes, kemi organizuar takim me përfaqësuesit e Bilfinger në Berlin. Kemi kërkuar ta konkretizojnë propozimin e tyre, koston e investimit, kapacitetin dhe burimet e financimit”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij përfaqësuesit e Belfinger u zotuan se do të informojnë brenda 15 ditëve, por nuk kanë informuar asnjëherë edhe përkundër insistimit të vazhdueshëm të kabinetit të tij.

“Duke pasur parasysh lidhjet ekonomike me Gjermaninë dhe teknologjinë gjermane në gjenerimin e energjisë elektrike në Kosovë, ne kemi qenë të interesuar që projektin ta realizojmë së bashku me ta, por kompania Bilfinger është treguar krejtësisht e painteresuar. Krahas kësaj ne kemi vazhduar me Kosovën e Re”, ka shkruar Mustafa.

E kësaj deklarate të Isa Mustafës i është kundërpërgjigjur, ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch.

Ish-ambasadori holandez e ka cituar statusin e Mustafës në Facebook, duke thënë se ato që ka shkruar Mustafa janë të pavërteta.

“Për fat të keq, e pavërtetë. Unë isha i përfshirë personalisht dhe ne, ambasada gjermane dhe ambasada holandeze, bëmë gjithçka për ta bindur qeverinë se përmirësimi i katër nga pesë njësitë ishte i realizueshëm dhe relativisht i lirë, por asgjë, asgjë nuk ndodhi. Një mundësi e humbur që energjia për relativisht pak para të sigurohej duke filluar nga periudha rreth viteve 2017/18”, ka shkruar Bosch.

Pas kësaj, ishte përsëri Isa Mustafa që i reagoi ish-ambasadorit holandez në Kosovë, Robert Bosch.

“S’dëshiroj të merrem me Ambasadorin Bosch, por dua të nënvizoj edhe njëherë se nga Bilfinger nuk na është ofruar asgjë më shumë sesa disa faqe të pamjeve të blloqeve të Kosova A në Powerpoint”, ka deklaruar Mustafa.

Mustafa ka kërkuar nga ish-ambasadori Bosch që ta prezantojë para opinionit dokumentacionin e “Bilfinger-it”.

Ai thotë se si Kryeministër nuk e ka parë asnjëherë këtë dokumentacion, pasi sipas tij, nuk i është prezantuar.

“Ndryshe, pasi Bosch po paraqitet si mbret i të vërtetës le të prezantojë para opinionit dokumentacionin e Bilfingerit me studim të fizibilitetit, me kosto dhe burime të investimit, me saktësim se a do të jenë pajisjet e reja apo të përdorura që do të montohen në Kosova A, me burime të financimit dhe normë të kthimit të investimit. Unë këtë dokumentacion si kryeministër nuk e kam parë kurrë, sepse nuk na është prezantuar”, ka deklaruar Mustafa.

Për këtë çështje, ka reaguar Driton Tali, ish-deputet i Kosovës dhe këshilltar i kryeparlamentarit Glauk Konjufca.

Tali për Bilfinderin nuk flet shumë, por vetëm i përballë deklaratat e Isa Mustafës dhe Bosch.

“Po tashti, ngase unë jam pjesë e LV-së, për hirë të korrektësisë do ta anashkaloj tërësisht qeverinë Kurti, dhe të merrem me atë që çka kanë deklaruar të tjerët, konkretisht ish qeveritarët tanë dhe diplomatët e huaj, të cilët ishin të involvuar në këtë projekt. Sipas ish kryeministrit Isa Mustafa "kompania gjermane Bilfinger nuk kishte ofruar asgjë më shumë sesa 15-20 faqe te Poëerpoint. Dhe pas bisedës me Kancelaren Merkel, më 30 qershor 2015, kishte kërkuar nga kompania Bilfinger që ta konkretizojnë propozimin e tyre, koston e investimit. Por, ata ishin treguar të painteresuar". Ngjashëm, pra si projekt jo serioz e paraqesin edhe ish ministrat gjegjës të asaj qeverie”, thotë Tali për gazetën “Bota sot”.

Ai duke cituar deklaratën e Bosch, pyet se kujt t’i besojmë?

“Por, një reagim krejt tjetër pati ish ambasadori holandez, ish Ekselenca e Tij, Robert Bosch. Ai, deklaratës së ish kryeministrit Mustafa, ju përgjigj me "fatkeqësisht jo e vërtetë. Unë isha i përfshirë personalisht dhe ne, ambasada holandeze dhe gjermane, bëmë gjithçka për të bindur qeverinë (Mustafa, plotesim i imi) se përmirësimi i katër nga pesë bloqet ishte i realizueshëm dhe relativisht i lirë, por asgjë, asgjë nuk ndodhi. Një shans i humbur pasi për relativisht pak para, energjia elektrike mund të kishte siguruar që nga viti 2017/18".

Tashti kujt t'i besojmë? Vendosni ju vet!”, përfundon Driton Tali.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat