Me 28 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e ka shqyrtuar kërkesën e parashtruar nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra dhe 12 deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Rekomandimeve të Kuvendit të 6 majit 2021, për rastin e pagesës së 11 milionë eurove për shpenzimet e rrymës në veri.
Me këtë vendim ishte obliguar Qeveria që brenda afatit prej 6 muajsh të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit, sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, në bashkëpunim me palët përgjegjëse, për faturimin e konsumatorëve në katër komunat përkatëse me energji elektrike.
“(Ii) të “obligohet Qeveria e Kosovës, që brenda afatit gjashtë (6) mujor të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi në bashkëpunim me palët përgjegjëse për faturimin e konsumatorëve në katër komunat e Republikës së Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan) me energji elektrike”, thuhet më tej.
Kuvendi i Kosovës me 6 majit 2021, kishte autorizuar KOSTT-in që të mbulonte ‘devijimet e energjisë elektrike’ në katër komuna të Republikës së Kosovës, duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensoheshin “nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”.
Në lidhje me këtë çështje, njohësit e çështjeve kushtetuese dhe juridike folën për gazetën “Bota sot”.
Ata treguan se si duhet të veprojë qeveria ndaj këtij vendimi.
Kelmendi: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë obligative
Vendimin e kushtetueses për faturimin e energjisë në veri, në një prononcim për gazetën “Bota sot” e ka komentuar njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi.
Muhamet Kelmendi
Fillimisht, ai u shpreh se vendimet e kësaj gjykate janë obligative jo vetëm për organet e pushtetit, por edhe për sektorin publik dhe privat.
“Gjykata Kushtetuese e Kosovës është organi më i lartë juridik dhe instanca e fundit që vendos në kuadër të shtetit.
Çdo vendim i kësaj gjykate është obligativ për organet e Kosovës. Kjo, jo vetëm për organet e pushtetit, përkatësisht në sektorin publik, por edhe në atë privat dhe për çdo çështje legjislative dhe kushtetuese”, deklaroi ai.
Në bazë të vendimit, Kelmendi theksoi se KEDS-i është i obliguar ta zbatojë vendimin ndaj konsumatorëve në veri të vendit.
“Organi kundër të cilit është paraqitur padia dhe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës e ka humbur gjykimin e ka afatin e caktuar, nëse gjykata nuk vendos ndryshe, për të ekzekutuar vendimin.
Zakonisht afati është 6 muaj. Ky vendim e obligon subjektin kompetent, KEDS-in që të zbatoj vendimin ndaj çdo konsumatori në veri të vendit”, shpjegoi juristi.
Krahas kësaj, ai thotë se pushteti ka dy mundësi për pagesën e borxhit, ku njëra ndër to është pagesa e drejtpërdrejtë.
“Pushteti nuk ka të drejtë, të ndalojë ekzekutimin. Qeveria e Kosovës ka mundësi që ta bëjë pagesën e borxhit. Si e bënë?
Zakonisht janë dy mënyra:
1. Pagesat e drejtpërdrejta dhe
2. I kalon mjetet tek konsumatorët dhe ata paguajnë borxhin”, nënvizoi Kelmendi.
Më tej, juristi e konsideroi vepër penale të KEDS-it përqindjen e vendosur te llogaritë e qytetarëve të tjerë të Kosovës, për ta bërë pagesën e rrymës për qytetarët e veriut.
“Mënyra se si bëhet pagesa, nëse konsumatorët nuk paguajnë dhe qeveria do ta paguajë, është një çështje e qeverisë dhe këtu ky vendim nuk ka efekt juridik.
Mirëpo, efekti është te llogaritë e qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë pas një përqindje që t’i mbajnë shpenzimet për veri, pa i bërë vetë ato shpenzime.
Kjo është vepër penale e KEDS-it, kjo këtu merr fund”, theksoi ai.
Madje, Kelmendi potencoi se në rast se KEDS-i nuk ua kthen borxhin qytetarëve të Kosovës, çështja mund të shkojë në gjykatë
“Kuptohet se tash ngarkohet KEDS-i që t’ua rikthej borxhin që e ka ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë paguar pa harxhuar, sipas një vendimi politik.
Ky vendim është nul. Por, nëse nuk e kthen borxhin KEDS-i, përsëri çështja mund të shkoj në gjykatë dhe në instancë të fundit vendos Gjykata Kushtetuese.
Vendimi sipas këtij vendimi është i kuptueshëm. KEDS-i duhet t’ua kthejë borxhin qytetarëve”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.
Burjani: Mos zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është vepër penale
Ndërsa, juristi Blerim Burjani u shpreh se mos zbatimi i vendimit të Kushtetueses është vepër penale.
Blerim Burjani
Ai në një prononcim për “Bota sot” thotë se në qoftë se bëhet deklarimi negativ për vendimin e kësaj gjykate në lidhje me pagesat e rrymës në veri, atëherë fillon puna e prokurorisë.
“Mos zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është vepër penale, kështu e thotë ligji për Gjykatën Kushtetuese, pra vendimet e saj janë obligative të pa paapelueshme, nuk mund të shtyhen fare, mjafton deklarimi negativ dhe fillon puna e prokurorisë”, deklaroi Burjani.
Ndër të tjera, juristi potencoi se deri më tani ka pas shtyrje të zbatimit të vendimeve të ndryshme, mirëpo që gjykata nuk është përzier në politikë dhe ekzekutiv, pasi i ka të qarta kompetencat.
“Deri më tash ka pas shtyrje të vazhdueshme të mos zbatimit të vendimeve, por s’ka pas deklarim negativ se nuk do ta zbatojnë atë. Gjykata nuk përzihet në politikë e as në ekzekutiv, kompetencat e saj janë të qarta dhe kjo gjykatë i ushtron ato”, theksoi ai.
Në fund, Burjani kërkoi që të zbatohet vendimi për faturimin e energjisë në veri.
Ai thotë se këto vendime janë të domosdoshme dhe se nuk duhet përsëritur politika e 21 viteve të kaluara.
“Vendimi për rrymë i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet, nuk do të ketë më rrymë falas që paguan për qytetarët e çfarëdo nacionaliteti që i përket,
edhe kësaj çështje mund t’i vije fundi.
Këto vendime janë të domosdoshme të merren nga Kosova dhe Qeveria e saj,
21 vitet e kaluara më nuk mund të përsëriten në politikën e Kosovës”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.