Javën e ardhme, Kosovën do ta vizitojnë i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i posaçëm për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Escobar dhe Lajçak një vizitë të tillë pritet ta zhvillojnë edhe në Serbi.
I pari që e dha lajmin për vizitën e Escobar-it dhe Lajçak-it ishte shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, gjatë një konference për media në Bruksel.
Gjithashtu, gjatë kësaj konference, Borrelli ia tërhoqi vërejtjen Kosovës, duke thënë se po dëshmon më shumë jogatishmëri për t’u ulur në tryezë.
“Dua t’ia bëj të qartë Kosovës se dialogu nuk zhvillohet për shkak të dialogut, por për shkak se është kyç në përparimin e në rrugëtimin evropian. Së bashku me Lajçakun do të vazhdojmë të përgatisim takimin e radhës, por kjo do të ndodhë vetëm nëse të dyja palët merren vesh rreth rezultateve pozitive dhe konkrete. Prandaj, unë dhe Lajçaku do të vazhdojmë të angazhohemi me palët, e posaçërisht me Kosovën, e cila po dëshmon më shumë jogatishmëri për t’u ulur në tryezë”, deklaroi Borrell.
Kjo deklaratë e Borrell-it nuk është mirëpritur në Kosovë. Sipas njohësve të çështjeve politike, Borrelli së bashku me Lajçakun, po vazhdojnë ta “sulmojnë” Kosovën.
Deklarata Borrell-it, Krasniqi: Paralajmërim për Kosovën
Islam Krasniqi
Njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se SHBA-të dhe BE-ja janë të interesuara t’i japin fund dialogut.
“SHBA-të dhe BE-ja janë të interesuara që ta përmbyllin procesin e dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, e që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm me SHBA-të dhe me të dërguarin e tyre z. Escobar, pasi që i kemi të vetmit që na duan pa kushte”, thotë ai.
Krasniqi duke e ka komentuar deklaratën e Borellit, thotë se kjo mund të jetë paralajmërim për Qeverinë e Kosovës.
“Ne e dimë së dështimi i fundit në Bruksel ishte si pasoj e përfaqësuesve serb, por dihet mendimi i Borellit. Ky mund të jetë një paralajmërim për Qeverinë tonë, e cila duhet të përgatitet mirë, besa edhe ti afroj partitë opozitare duke kërkuar ndihmë nga to që fundi i epilogut të jetë i frytshëm, sepse mjaft kemi gabuar në këtë rrugëtim e që tani po na kushtojnë”, vlerëson ai.
Qarri i ashpër me BE-në
Gani Qarri
Ndërkaq Gani Qarri duke i komentuar këto zhvillime në një bashkëbisedim për “Bota sot” thotë se përkundër veprimeve të Serbisë, Kosova po atakohet nga Lajçak dhe Borelli.
“Çuditërisht përkundër shumëfishimit të armatimit të Serbisë deri në përmasa hiperproporcionale me vendet fqinje, rritjen e pranisë së personelit ushtarak rus dhe agjenturave të fshehta të Rusisë në Serbi, të cilat po bëhen gjithnjë e më të rrezikshme për stabilitetin politik në mbarë Ballkanin Perëndimor Lajçak dhe Borell, pa fije turpi, gjejnë shkas dhe kohë, për ta atakuar Kosovën, si vendi më paqësor dhe më i pafuqishmi në rajon, nga e cila nuk kërcënohet as rrezikohet askush”, thotë ai.
Më tej, Qarri duke folur edhe për konfirmimin e vizitës së Escobarit dhe Lajçakut për dialogun thotë se ndaj Kosovës nuk duhet ushtruar trysni.
“Kështu që megjithëse Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell e ka konfirmuar vizitën e Escobarit dhe Lajçakut në Kosovë e Serbi, mendoj se Kosovës nuk ka më askush pse ti bie në qafë, sepse të gjitha i kanë dhënë në avans Thaçi, Haradinaj, Mustafa etj, dhe vendi ynë i vogël, nuk ka më çfarë të jap, madje edhe kështu si është e ka bukur të vështirësuar qëndrueshmërinë shtetërore, përderisa vazhdon të ketë mungesë të gjërave më elementare për mbijetesë dhe zhvillim, si buka dhe energjia elektrike, të cilat nuk mund t’i sigurojë vet Kosova”, vlerëson Qarri.
Gjithashtu, ai përmendur veprimet të cilat do të duhej t`i ndërmerrte BE-ja për Kosovën në vend të sulmeve dhe fajësimeve nga Lajçaku e Borelli.
“Prandaj, në vend të sulmeve dhe fajësimeve kuturu nga Lajçaku e Borelli, Kosovës pikësëpari i duhet ndihma e mirëkuptimi i BE-së, liberalizimi i vizave e zhbllokimi i perspektivës së saj, për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si parakushte thelbësore për ringjalljen e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, e jo të kërkohet edhe bosnjëzimi edhe krijimi i një "Republike Serbe" në territorin e saj, për rreth 30 mijë pjesëtarë të pakicës serbe, për ta futur Kosovën serish në luftë me Serbinë okupatore, e cila pa kaluar shumë kohë, do të kërkojë aneksimin e asaj pjese, sido që të quhet apo emërtohet ngrehina serbe, në vendin tonë”, thotë ai.
Kosova e izoluar dhe e kushtëzuar
Po ashtu, ai ka treguar se në çfarë periudhe do të zhvillohet vizita e Escobarit dhe Lajçakut në Kosovë.
“E duke e mbajtur Kosovën të izoluar si në kafaz dhe kushtëzuar e atakuar në vijimësi dhe nga të gjitha anët, kjo nuk mund të jetë periudha më e mirë, kur po ndodh vizita e Escobarit dhe Lajçakut, pritshmëritë e të cilës nuk besojë të jenë të mëdha, për të mos thënë fare, për vet faktin se Lajçaku dihet që në Kosovë sidomos kësaj radhe vjen vetëm për ti shpërfaqur kërkesat e kriminelit Vuçiq, për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë edhe në Kosovë dhe krijimin e "asociacionit një-etnik kundër kushtetues të serbëve, në vendin tonë, gjë që Kosova nuk i ka as mundësit minimale, për ti pranuar, nëse nuk ka vendosur të shkojë në vet shkatërrim të para programuar”, deklaroi ai.
Sipas tij, Kosova nën kushtëzimet që po i bëhen nuk mund të tregojë gatishmëri për t`u ulur në tryezën e bisedimeve.
“Dhe për rrjedhojë, është plotësisht e kuptueshme përkundër insistimeve të Borrellit, i cili po tregohet plotësisht i njëanshëm dhe proserb, se Kosova nën këso kushtëzime, nuk mund të tregojë gatishmëri për t’u ulur në tryezë, kur prej saj kërkohet vetëm plotësimi i dëshirave të Serbisë, dhe Kosova nga BE, Borell, Lajçak & CO, vijon të mbahet ende komplet e izoluar dhe si i vetmi vend në rajon, pa liberalizim të vizave, ani pse publikisht, edhe nga vet BE, pranohet se Republika e Kosovës i ka plotësuar kriteret për liberalizim dhe lëvizje të lirë edhe të qytetarëve të saj në vendet e Bashkimit Evropian”, përfundon Qarri për “Bota sot”.